“Kroacia dëshiron ti ndihmojë Kosovës në periudhën e shtetndërtimit”

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur në takim homologen e tij nga Kroacia, zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministren e Punëve të Jashtme, Marija Pejçinoviq-Buriq, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë konferencës së përbashkët për media Pacolli tha se Kosova dhe Krocia janë në bashkëpunim të ngushtë sa i përket të gjitha problemeve rajonale. Ai tha se gjatë takimit me ministren kroate kanë biseduar për forcimin e marrëdhënieve rajonale, bilaterale ekonomike.

Pacolli tha se Kosova është e hapur për partnerë të biznesit nga Kroacia. Sipas tij, partnerët nga Kroacia mund të ofrojnë shumëçka nga eksperienca e tyre, duke shtuar se ata në Kosovë mund të gjejnë një ambient shumë adekuat i cili praktikisht ofron edhe hapësirë dhe fuqi punëtore proaktive të gatshme për sfida.

Ai foli edhe për dëshirën që të ketë lëvizje të lirë në mes të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës. “Jam shumë falënderues se në të gjitha takimet bilaterale dhe multiraterale që i kemi patur Kroacia ka qenë zë i theksuar i Kosovës dhe në asnjë takim Kroacia nuk ka hezituar për t’i trajtuar problemet edhe për Kosovën. Kroacia do të jetë edhe më tutje zë i Kosovës sidomos në marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën. Ministrja më ka premtuar se do të ndërmjetësojë që të krijojmë kushte për lëvizjen e lirë të qytetarëve mes dy vendeve”, theksoi Pacolli.

Zv/kryeministrja kroate Pejçinoviq-Buriq tha se Kroacia si pjesë e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s dëshiron t’i ndihmojë Kosovës në shumë sfera sidomos në periudhën e shtetndërtimit. Ajo theksoi se ka takuar komunitetin kroat në komunën e Janjevës ku shprehu dëshirën që pakica shqiptare në Kroaci dhe ajo kroate në Kosovë të avancojnë dhe të jenë në gjendje të mirë sa i përket arsimimit, infrastrukturës dhe punësimit.

Sa i përket pyetjes rreth mundësisë së njohjes së Kosovës nga Serbia si hap i fundit i dialogut në mes të dy shteteve, Pejçinoviq-Buriq tha se mundësia e vetme është dialogu dhe zgjidhja duhet të gjendet në kuadër të këtij dialogu. Sipas Buriq qëndrimi i BE-së është i përkushtuar që dialogu të vazhdojë në fazën teknike për momentin duke shtuar se mund të fillojë edhe faza politike.

“Si në të gjitha kontekstet tjera në mes të Kosovës dhe Serbisë munësia e vetme është që dy shtetet të gjejnë hapësirë për një marrëveshje atëherë BE-ja mund të ndihmojë në fund. Kjo hapësirë është e mjaftushme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët nga të dyja palët. Nëse nuk ështe marrëveshja përmbajtësore atëherë nuk ka zgjidhje. Duhet të arrihet tek një marrëveshje e cila është e pranueshme nga të dyja palet”, tha Pejçinoviq – Buriq.

Zv/kryeministrja kroate tha se liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për perspektivën europiane të qytetarëve të Kosovës, ku qeveria e Kosovës përmes punës së saj duhet të tregojë pëkushtimin ndaj implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe axhendës evropiane.

“Në këtë kuptim ne i mbështesim të gjitha përpjekjet që Qeveria e Kosovës i bën në drejtim dhe shpresojmë që së shpejti do t’i përmbush kushtet për liberalizimin e vizave dhe të krijohet hapësira për zhvillimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP