KRYETARI I KOMUNËS

Shkojmë, baba e bijë, ngutemi të mos vonohemi në mbrëmjen letrare. Hyjmë në shtëpinë komunale të kulturës. Në korridor na pyesin: a jeni për mbrëmjen letrare? Po, po. Lartë është, thotë një djalë me flokë të gjatë dhe xhinse. Po, lartë është, përsërit një vajzë sykaltër e me zë të ëmbël dhe na prin. Ecni me mua, thotë.

Salla është përplot me njerëz. Kanë mbetur vetëm tre-katër vende. Në dy rendet e para. Vajza na çon aty, te vendet e lira. Time bije i ofrojnë të ulet në rendin e parë pranë sekretarit shtetëror dhe kryetarit të komunës, kurse unë ulem në rendin e dytë fill pas kryetarit të komunës.

Sekretari shtetëror na përshëndet me një të lëvizur të kokës dhe me një buzëqeshje, ndërsa kryetari i komunës nuk e lëviz kokën fare. Rri dhe e shikon një copë letër. Duket i shqetësuar. Njerëzit tjerë janë të qetë, kurse ky i përplas këmbët dhe nuk i heq sytë nga letra që ka përpara.

Presim. Organizatorët vonohen disa minuta. Dikur fillon zhurma nga publiku për shkak të vonesës. Pastaj publiku duartroket. Kuptohet, kërkon të fillojë mbrëmja. Pastaj një vajzë e bukur del para mikrofonit. E përshëndet sekretarin shtetëror dhe kryetarin e komunës, me emër e mbiemër, dhe pjesëmarrësit. Në fund edhe publikun. Thotë dy – tri fjalë për ta njoftuar publikun me manifestimin: kush e organizon, sa krijues marrin pjesë dhe sa vite ka që mbahet. Tregon se mbrëmja ka karakter garimi. Pastaj vajza e fton kryetarin e komunës ta hapë manifestimin. Dhe, ai del para nesh me letrën në dorë:

Zonja dhe zotërinj, e nis fjalën kryetari, kam nerën me hapë këtë manifestim t’randsishëm ku kanë me u lexuar krijimet letrare t’krijuesve tonë t’njoftun letrarë. Pas këtyre përsëritjeve, krijime letrare, krijues letrarë, që në fjalinë e parë, ai vazhdon me një gjuhë të politikës arriviste, të bërë prej fjalëve shqipe dhe atyre të huaja, aty këtu edhe me ndonjë fjalë sllave. Brenda fjalive të tij duket turpi cekëtinës së mendimit. Në fund publiku e shpërblen me një duartrokitje dhe kryetari kthehet në vendin e tij duke e tundur kokën, kurse vajza i fton tre poetët e parë t’i lexojnë krijimet e tyre. Pas tyre edhe tre të tjerë e kështu me radhë. Fjalët shqipe të renditura nëpër vargje ta jepnin përshtypjen e yjeve që këputen nga qielli pa re, bien butë në kopsht midis lulesh dhe dridhërijnë me njëfarë lumineshence të vazhdueshme e njëherësh emetojnë një muzikë të ëmbël përrallore, duke e zbukuruar kështu mbrëmjen. Janë këto çaste të rralla që t’i fal poezia e cila është e vetmja shpikje njerëzore që mund t’i lexojë ëndrrat dhe ritmet e zemrës. Në vargje gjenden mrekullitë e dashurisë dhe të jetës. Poezia është pallati magjik ku banon Erosi.

Prandaj, me gjithë numrin jo të vogël të pjesëmarrësve, mbrëmja letrare ikën shpejt, ashtu siç ndodh me gjërat e bukura. Vajza, në fund, e thërret jurinë që të tërhiqet e t’i ndajë tri çmimet për poezitë më të mira.

Pritja, si çdo pritje, është e bezdisshme. Dhe, njerëzit atëherë komentojnë me pëshpërima: kjo më pëlqeu, kjo s’më pëlqeu. Secili e ka favoritin e tij, secili e ka komentin e tij për poezitë e lexuara. Ndër ta është edhe “mendimi” i kryetarit të komunës për letërsinë dhe për poetët. Ai kthehet kah sekretari shtetëror dhe me zë jo aq të ulët komenton.

Ja se çfarë i thotë kryetari i komunës sekretarit shtetëror në kohën kur pritet të dalë juria e t’i shpallë fituesit e mbrëmjes:

Fjalët e kryetarit:

Ku m’zu taksirati mu me këtë poezi, kur kam plot punë tjera. Poezi! Kot punë! Shih, kta poetë, a shkrimtarë, çka janë, janë krejt t’fshimë, janë budallë. Atë qi nuk munen me e ba n’jetën e tyne, shkojnë n’shpi dhe e qesin n’letër. Budallallëqe nodhin, s’ka fjalë, po ktine s’va shkon kush me budallallëk. E na e hupëm ni ndeje t’mirë… N’vend se me u knaqë dikun, na me kta djerrakohës…

Ndoshta kryetari i komunës mundohet kështu t’i krahasojë xhepat e tij të stërmbushur me para me xhepat e zbrazur të shkrimtarëve, pasurinë materiale që ka grumbulluar me vlerat shpirtërore. E ndoshta diçka e bren nga brenda. Ndoshta.

Sekretari shtetëror ndjehet ngushtë, por s’ka kah ia mban. E ka “faktor” në parti. Vetëm i thotë: mirë, mirë… Kurse kryetari i komunës vazhdon të hedhë baltë mbi poetët dhe poezinë.

Pas fjalëve të kryetarit të komunës mbrëmja të bëhet bajat. E humb shijen edhe akti solem i ndarjes së çmimeve.

Dalim jashtë. Qielli është i qëndisur me yje. Pres ta shoh ndonjë yll të këputet e të bjerë në këtë vend të molisur të kësaj komune, por jo. Edhe ato yje, atje lart në qiell, nuk shndrijnë si zakonisht. Duken si të ngrirë. Mundohem të kthej në kujtesë poezinë që më pëlqeu më së shumti, vargjet që më falën çaste magjike, t’i shoh të stolisura me yje vargjet e maestro poetit. Kot. Fjalët e kryetarit të komunës dalin me çizme para çdo orvatjeje dhe shkelin çdo poezi, çdo varg. Dhe, fikin çdo yll.

A po sheh kush na udhëheq neve, baba? më pyet ime bijë.

Para nesh kthehet errësira shekullore. Duket bishti i gjatë i Mesjetës si shkon zharg prapa veturës luksoze të kretarit të komunës. Kurse qielli ynë është i veshur në të zeza.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Cka te thuhet ! Tragjedi me komedi , se pari kryetari eshte i pafajshem deri sa eshte zgjedhur nga votuesit edhe pse flitet shum per rregullat e votimit ku ka shume keqetrajtime , keqe perdorime ne kohen e kampanjave dhe votimit , pa aftesia per te menaxhuar nje komune prap nuk e fajeson kryetarin sepse ka edhe konsulent te pa afte ka edhe keshill te pa afte , andaj revolta e nje pjese qytetare eshte dhe nuk eshte e arsyeshme deri sa te jemi shumice e votave qe duam dhe dijme te votojme njeri te afte per detyre kryetari te komunes . fjala popullore qe peshku qelbet nga koka mjafton qe ne nuk mundemi te jemi mire si nga kultura e as nga shum atribute te nje kombi duke patur nje kryetare injorant e analfabet qe nga larg duket se i vije era qelbesire duke na infektuar me antivlera , mendoj qe politik beresit jane ata qe prodhojne kandidatet per te na lene pas dore duke i llogaritur interesat materijale te klaneve dhe individeve ne do te ngelim prap ne klase edhe pse meritojme me shum , uroj zoti Xhabir Ametim per artikullin qe sado pak vetedison popullaten deri ne votimet e ardheshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button