Zëri që flet nga përtejvarri

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Ai lindi në Shkodër në një familje që thonë se qe me origjinë nga Reka e Epërme. U shkollua në vendlindje, në Manastir e në Tivar. Gjatë viteve të mësuesisë në fshatrat e veriut shqiptar shkroi veprën atipike në vargje e prozë. Mjerisht, vdiq herët dhe mori me vete shumë këngë të pakëndueme…

Rinia e Migjenit qe e mbushur me lexime veprash të Niçes, Dostojevskit, Shopenhauerit… Ato e larguan nga fryma e seminarit të bezdisshëm ortodoks të Manastirit dhe nga zhguni i ngushtë priftëror për shpirtin e tij univers. Ndoshta në sajë të këtyre leximeve Migjeni u gjend në ballë të Rilindjes së dytë që e mësoi shqiptarin të jetojë i lirë dhe me dinjitet.

Migjeni qe ideator i artit kryengritës, poeti më rebel që ka pasur ndonjëherë letërsia shqipe. Rebelizmit të tij ia paguajti tagrin vepra e botuar me shtrembërime dhe e gjykuar me dioptrinë zhdanoviste që deshi ta vë në shërbim të ideologjisë moniste.

Vepra e Migjenit nuk u pranua lehtë nga lexuesit e adaptuar me letërsinë romantike. Për shkaqe të njohura, ajo portretoi jo atdheun e ëndrrave rilindëse, po atdheun real, në një kohë kur qenë zverdhur hiperbolat dhe kur shqiptarët kishin nevojë ta njohin veten ashtu siç ishin, kishin nevojë t’i shërojnë dregëzat që rrezikonin të përskeqen në gangrenë kombëtare.

Thelbin e veprës migjeniane e përbëjnë antagonizmat e mprehta shoqërore dhe mjerimi si produkt i tyre. Vargjet trishtuese e skanojnë palcën e jetës shqiptare – hipokrizinë politike e fetare, pushtetin e korruptuar dhe gjithë tragjeditë e kohë-hapësirës së poetit.

Në raport me heronjtë e romantizmit, heronjtë e Migjenit duken të tjetërbotshëm. Ata nuk janë titanë betejash të ashpra atdhetare, po viktima vuajtjesh të pafundme nga pasojat e jetës së zbritur në mizerje të përgjithshme, ku zënë shtat veset animale, që nga amoraliteti, gjer te humbja e besës dhe burrnisë.

Migjeni i vu pikën kultit të epopeve mbi shqiptarët bastion virtytesh. Malësorin e tij e ç’natyralizojnë brekët legjendare, gjestet majmunore përpara prefekturës së misrit, kurse gruaja shet nderin për të njëjtat arsye…

Sado e pakët në sasi, vepra migjeniane shkund themelet e kalave të tiranëve dhe aristokratëve feudalë, shemb mitin e prijësve qorra, që majmen si derrat e kënaqur në kurriz të Sokratëve të përvuajtur që ngordhin urie.

Ai është i pari krijues yni që fenomeneve jetësore ua veshi kostumet e vërteta; i pari që, për heronjtë e pastrehë dhe të pabukë, nuk kërkoi mëshirë, po drejtësi. Kjo është kryeshenja që e dallon prej krijuesve konformistë që të ligat i marrin si kësmet hyjnor dhe i hapin udhë trashjes së ndjesive fataliste.

Thënë shkurt: shkrimet e Migjenit e demokratizuan letërsinë shqipe, e çliruan atë nga iluzioni i lavdisë së rrejshme. Për mua, ato janë copëza ajsbergësh me shumë kate nënujore, që do të përmbushen me kuptime të reja edhe nga lexuesit e brezave që vijnë pas nesh. Letërsisë sonë i duhej një zë i gjithmonshëm dhe ajo është me fat që ka një Migjen, që na flet edhe nga përtejvarri sa herë na zë gjumi mesditave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP