8 Marsi, pritet rritje e numrit të grave në Armatën e Maqedonisë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas “8 Marsi”, Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë sot organizoi tribunë me temë “Perspektiva gjinore në mbrojtje”.

Tribunën e hapi koordinatorja e përhershme e OKB-së dhe përfaqësuesja e përhershme e Programit për Zhvillim të OKB-së (UNDP) në Maqedoni, Luisa Vinton, e cila para të pranishmëve tha se në Maqedoni ka ndryshime në këtë sferë, ka avancime të të drejtave të grave dhe avancim të barazisë gjinore ndërsa përkujtoi se nga fundi i vitit të kaluar është ratifikuar Konventa e Stambollit.

Duke u përqendruar në rritjen e numrit të grave në forcat ushtarake, Vinton theksoi se pritet përparim i mëtejshëm në këtë sferë.

“Aq sa di unë, nga viti 2012 numri është rritur dyfish dhe tani është rreth 9 për qind gra që janë oficere dhe pikërisht kjo duhet të urohet në aspektin e pjesëmarrjes së grave”, theksoi Vinton.

Ajo potencoi se paqja dhe siguria mund të garantohen vetëm atëherë kur do të ketë përfaqësim të grave në të gjitha segmentet dhe përfaqësi në negociatat, kur bëhet fjalë për rezultatet e konflikteve.

Sipas ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, gjendja me numrin e grave në Armatën e Republikës së Maqedonisë nuk është mjaft e mirë, ndonëse siç theksoi, situata është e tillë pothuajse në të gjitha armatat. Ajo theksoi se numri i oficereve në ARM po rritet, por jo me ritëm të shpejtë, duke siguruar se do të ketë përmirësime në këtë drejtim.

Ajo potencoi se gjatë pranimit të rekrutëve këtë vit në akademinë ushtarake, më shumë se gjysma e kandidateve kanë qenë vajza, të cilat kanë qenë në mesin e më mirë të plasuarave lidhur me suksesin, testimin dhe përgatitjen fizike.

“Nëse hiqni dorë prej 50 për qind të popullatës tuaj, me arsyetimin se aty thjeshtë nuk duhet të ketë ambicie, keni hequr dorë nga oficerët, nënoficerët, ushtarët potencialisht të mirë. Analizat e NATO-s në një pjesë të misioneve tregojnë se ka përparësi të caktuara, që i kanë gratë, e që më lehtë mund të realizojnë kontakt me banorët lokal, për shembull me gratë në ndonjë fshat afgan”, tha Shekerinska.

Nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Tashevska Remenski, para të pranishmëve shfaqi shpresën se në të ardhmen e afërt do të promovohet edhe gruaja e parë gjenerale në Maqedoni duke shtuar se deri tani në Maqedoni është bërë hap i madh para ndërsa janë thyer edhe shumë barriera.

Duke folur për rezolutën e OKB-së nga viti 2000, me të cilën rregullohet pjesëmarrja e grave në forcat ushtarake dhe të sigurisë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska tha se ky dokument në praktikë ende nuk e jep intensitetin e vet.

Zëvendëskryeministri pëgjegjës për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani tha se nga vlerësimi i gjendjes së grave në një shoqëri mund të bëhet projeksioni për mundësinë e shpërthimit të konfliktit, gjegjësisht luftës, duke theksuar se sa më i madh të jetë mosinkluziviteti ose dhuna mbi gratë, aq më i madh është potenciali në një shtet që të ndodhë dhunë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button