Protesta e karafilit të kuq

Tetë marsi nuk është ditë feste. Është imponuar si e tillë por në fakt nuk është një festë. Është imponuar si festë nga pak nga të gjithë. Së pari nga vetë gratë që janë pajtuar që në këtë ditë të kenë lirinë e cila u mohohet gjatë ditëve tjera. Është imponuar edhe nga burrat që mendojnë se karafili i kuq do i zgjedhë të gjitha problemet e vitit të kaluar dhe do e lajë borxhin e çdo keqtrajtimi të vetëdijshëm e të pavetëdijshëm që do i bëhet gruas në vitin në vijim. Karafil shpagimi për çdo ëndërr të parealizuar të gruas, për çdo mungesë përkrahjeje, për çdo diskriminim që asaj i bëhet. Prandaj, tetë marsi nuk është ditë feste, është ditë vetëdijesimi, për pozitën reale të gruas në shoqëri, pozitë kjo në të shumtën e rasteve, e pa-lakmueshme.

Statistika e Eurostatit që i referohet pagave të qytetarëve të vendeve evropiane për vitin 2016 është thjeshtë një zhgënjim, që edhe një here e tregon vlerën e vërtetë të karafilit të kuq ngjyra e të cilit mundohet ta mbulojë realitetin e hidhur. Ndërsa realiteti i bazuar në këtë statistikë tregon qartazi hendekun mes grave dhe burrave që për punën e njëjtë, në vitin 2016 janë paguar ndryshe, në mes të Evropës. Kështu, dallimi më i madh mes pagave të burrave dhe grave për punën e njëjtë është vërejtur në Estoni, ku burrat për të njëjtën punë paguhen 25.3% më shumë ze gratë. Problemi është se në këtë listë një vend social si Gjermania zë vendin e tretë, sepse aty gratë paguhen 21.5% më pak se burrat për punën që e bëjnë.
Në vendin e katërt është Britania e madhe ku gratë marrin 21.0% më pak dhe pas saj në vend të pestë është Austria ku ky dallim është 20.1% gjithnjë në favor të burrave. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë përfshirë në këtë statistikë, dhe mund ta paramendoni si është realiteti aty. Për shembull, në Maqedoni, ku rroga minimale vazhdon të jetë diku rreth 12.000 denarë, me ligj është përcaktuar se rroga minimale në industrinë e tekstilit dhe lëkurës është përcaktuar 10.000 denarë. Kur të kemi parasysh që pikërisht në këto dy industri, numri më i madh i të punësuarve janë femra, e kuptojmë qartazi që me ligj është përcaktuar që ato të kenë rrogë më të ulët se ajo minimalja. Dhe e gjithë kjo duhet të mbulohet me një karafil të kuq në vit, apo jo?

Tetë marsi duhet të jetë dita kur shoqëria duhet të reflektojë për pritshmëritë që i ka prej gjinisë femërore. Të reflektojë për rolin që e parashikon për gruan në shoqëri. Të reflektojë për mënyrën e edukimit dhe dallimin gjinor që bëhet aty. Të reflektojë, për shembull pse prej fëmijës vajzë pritet që ajo të jetë e dëgjueshme, e urtë, e bukur, ndërsa prej fëmijës djalë tolerohet arroganca, parregullsia dhe të qenit i zëshëm. Të reflektojë duhet shoqëria për ndasitë që i krijon mes vajzave dhe djemve duke filluar nga ngjyrat e preferuara deri tek pritshmëritë për rolin që ata duhet të kenë në shoqëri. Të reflektojë dhe të gjejë përgjigje pse vajzat që tregojnë aftësi të dalluar në shkollë, befas humbin nga qarkullimi dhe nga tregu i punës në vitet e karrierës së tyre.
Studentet vajza në universitete zakonisht tregojnë rezultate shumë të larta, por karrierat e tyre ose fillojnë vonë ose ndërpriten në kohën kur ato duhet të krijojnë familje dhe të risin fëmijë, sepse nuk e kanë përkrahjen e duhur për të ecur përpara, sepse prej tyre pritet që edhe të jenë të punësuara dhe njëkohësisht të kujdesen për të gjitha punët tjera që lidhen me shtëpinë, derisa bashkëshortët e tyre e kanë privilegjin të ndjekin karrierën e dëshiruar pa pengesa të kësaj natyre. Të reflektojë duhet shoqëria për atë se pse nëpër institucione dhe kompani të ndryshme të pakta janë gratë që kanë pozita menaxheriale. Edhe kur i kanë, qasja ndaj tyre është shumë më e ashpër se qasja ndaj burrave në ato pozita. Të reflektojë duhet shoqëria për atë se pse ende kemi numër simbolik të femrave që janë ministre, kryetare komunash, shefe sektorësh… Të reflektojë duhet shoqëria për këto problem dhe jo të kërkojë të shpaguhet me një karafil të kuq dhe ndonjë parfum të shtrenjtë.

Tetë marsi duhet të jetë dita kur gratë do të kërkojnë me ngulm paga të barabarta me burrat, pozita të barabarta në kompanitë dhe në institucionet ku ato punojnë. Tetë marsi duhet të jetë dita kur gratë nuk do të kënaqen me karafilin e kuq por do të kërkojnë trajtim të barabartë dhe njerëzor gjatë gjithë vitit. Tetë marsi duhet të jetë dita e protestës, sepse nëse dikush mendon se kjo protestë duhet të ketë mbaruar me Klara Cetkinin, është në lajthitje të rëndë. Tetë marsi duhet të jetë dita kur edhe meshkujt do të vetëdijesohet për këto probleme dhe do ta pranojë gjininë tjetër jo si gjinia më e dobët, më e butë, më e bukur, por si partner i vërtetë, si bashkëpunëtor, si bashkudhëtar në sfidën e quajtur jetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button