Nëse pështyma nuk të thahet, zëri nuk të ngjiret, mënga nuk të ngjyhet…

Alfons Çupaj

Alfons Çupaj

E kujtoj shpesh sesi i thahej pështyma në fyt. Zëri i dridhej dhe shpesh i ngjirej, jo nga britmat e as nga thirrjet “pusho”, po prej zellit të pashoq, që çdo sekondë e orës së mësimit të shkonte për përçimin e dijes.

Shpesh, mbështetej pa u vënë re me njërën dorë mbi mur. E fshehte aq bukur lodhjen, edhe pse në fund të ditës ishte i drobitur. Mëngët e xhaketës së zezë ishin gjithmonë të bardha prej shkumësit; në dërrasën e zezë nuk kishte kurrë vend bosh.

Se nuk mund të jesh mësues nëse pështyma nuk të thahet, zëri nuk të ngjiret, mënga nuk të ngjyhet.

Se mësuesi shqetësohet gjithmonë; për të sotmen, për të nesërmen.

Ai gëzon vetëm kur sheh se i ke çarë rrugët e jetës. Feston si fëmijë bashkë me ty, por prapë lufton, i lumtur si kurrë më parë, se nuk është i vetëm përballë frontit të së keqes.

Se mësues do të thotë të pikëllohesh kur mbaron ora e mësimit, e ndoshta padrejtësisht, të vjedhësh minutat e pushimit të vyer mes orëve, për të përfunduar atë që po thoje. Se nuk mund të jesh mësues nëse vera nuk të mërzit, e moti i keq nuk ta trazon shpirtin.

Se mësuesi nuk shqetësohet për tituj, për certifikata me mik, apo pjesëmarrje në ceremoni false, kur përzgjedhjen e bën partia.

Mësues do të thotë, që kur të vijnë të pushojnë nga detyra politikisht, të largohen të mahnitur nga puna jote, e të vendosin të shpërblejnë me një pagë.

Sa fort nevojë kemi sot për mësues të tillë, kur vlerat, dija e morali po klithin prej dhimbjeve, të gjakosura nga sulmet tinzare të injorancës, që sot është ulur këmbëkryq në vend të parë.

Sot dija nëpërkëmbët portave të qytetit, nga turma me pushtet, shtypës e përçudnues të virtyteve.

Me gjuhë të sakatosur, fjali të gjymtuara, pa përmbajtje, pa mesazh, dëgjohet piskama e injorancës.

E mjerisht, plot porta kanë hapur dyert, duke i uruar mirëseardhjen. Mirëseardhje që vret. Zhurmuesit e së keqes kanë depërtuar në shumë veshë, e dhjetëra virtuozë janë hedhur rrugëve.

Po mësuesi është shpresë! E trand të keqen, e shkul injorancën, i tmerron kopukët!

Do e sjellin prapë pranverën!

Përulëm para veprës tuaj! Me e epërmja, e tejlarta, shpresëdhënësja!

U puth duart!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP