Kryeministri Zaev bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të KB-ve, Guterres

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (KB), António Guterres, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur në një njoftim nga Qeveria e Maqedonisë, sekretari i përgjithshëm i KB-ve, Guterres, ka përshëndetur reformat dhe qasjen pozitive të shtetit në marrëdhëniet me fqinjët.

Pozitivisht është vlerësuar Marrëveshja me Bullgarinë në të cilën, siç thuhet, shihet edhe kontribut për marrëdhëniet mes fqinjëve në rajon, përveç si përmirësim të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.

Sekretari i përgjithshëm Guterres, në emër të KB-ve mbështeti bisedimet që zhvillohen me Greqinë nën patronazhin e ndërmjetësuesit Matthew Nimetz. Ai vlerësoi se ekziston dinamikë pozitive dhe mundësi për të ardhur deri te zgjidhja e pranueshme e ndërsjellë.

Sekretari i KB-ve Guterres paralajmëroi se do të bsiedojë edhe me kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras dhe “tha se i inkurajon të dy kryeministrat dhe qeveritë e të dyja shteteve që të vazhdojnë të punojnë në drejtim të zgjidhjes së kontestit shumëvjeçarë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Nga ana tjetër kryeministri Zaev falënderoi sekretarin e përgjithshëm të KB-ve, Guterres edhe për angazhimin e ndërmjetësuesit Nimetz, i cili një kohë të gjatë punon në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të ndërsjellë.

Kryeministri Zaev vlerësoi se Marrëveshja me Bullgarinë ka përmirësuar marrëdhëniet bilaterale dhe ka kontribuar drejt rritjes edhe të shkëmbimit tregtar mes dy shteteve, por dha inkurajim që të hyhet në tejkalimin e problemit që ka Republika e Greqisë me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë.

Në bisedën telefonike me sekretarin e KB-ve Guterres, kryeministri Zaev shfaqi shpresën se do të arrihet zgjidhje e pranueshme e ndërsjellë dhe se kjo do të jetë e mirë për të dyja shtetet, por edhe për mbarë rajonin.

“Ta lëmë të merremi me të kaluarën dhe të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë të përbashkët”, shtoi kryeministri Zaev, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë.

Kryeministri Zaev në bisedën falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe UNDP-së në zhvillimin e Republikës së Maqedonisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button