Guterres: Është koha t’i japim fund ferrit në Gutën Lindore

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres sot deklaroi se është koha që më në fund t’i jepet fund ferrit në Gutën Lindore duke shtuar se rezoluta e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushim një mujor në Siri do të ketë kuptim vetëm nëse zbatohet plotësisht, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e sesionit të 37-të të rregullt të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UNHRC) në Gjenevë, Guterres potencoi sulmet e ashpra nga forcat besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad të kryera ndaj civilëve në enklavën e Gutës Lindore e cila për 6 vite është nën rrethim të plotë.

“OKB-ja është gati të ofrojë ndihmë humanitare për civilët në Gutën Lindore dhe të evakuojë njerëzit e plagosur dhe të sëmurë. Këta njerëz nuk mund të presin më. Është koha t’i jepet fund këtij ferri në tokë”, tha Guterres.

Kreu i OKB-së vuri në dukje shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në rajonin e Arakanit në Mianmar në të cilën komuniteti minoritar i muslimanëve Rohingya është ekspozuar ndaj sulmeve brutale të forcave të Mianmarit dhe militantëve budistë.

“Në disa raste edhe personalisht e kam vizituar rajonin dhe nga përvojat personale mund të them se njerëzit në Arakan janë të ekspozuar ndaj diskriminimit më të madh në botë. Kështu ishte rasti edhe para vitit të kaluar kur filloi vala e re e dhunës”, tha Guterres.

Duke treguar për privimin nga e drejta për shtetësi dhe të drejtave themelore të njeriut të muslimanëve në Arakan, Guterres ka thënë se ka prova se ky popull është viktimë e spastrimit etnik të kryer nga forcat e Mianmarit.

Guterres i bëri thirrje qeverisë së Mianmarit që t’i qaset një zgjidhjeje të përhershme të krizës së Arakanit, kurse bashkësisë ndërkombëtare i bëri thirrje për të ndihmuar refugjatët e Arakanit që janë vendosur në Bangladesh.

Në hapjen e seancës së UNHRC-së në Gjenevë të pranishëve iu drejtua edhe Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Rad Al Hussein i cili gjithashtu vuri në dukje vuajtjet brutale të civilëve në Gutën Lindore duke shtuar se forcat e regjimit sirian kanë vazhduar të kryejnë sulme edhe pas miratimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit që parashikon vendosjen e armëpushimit.

Në ditën e parë të sesionit të UNHRC-së në Gjenevë të pranishmëve do t’i drejtohet edhe kryetari i UNHRC Vojislav Suc, kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Miroslav Lajçak dhe shefi i diplomacisë zvicerane Ignazio Cassis.

Këshill prej 47 anëtarësh në katër javët e ardhshme do të diskutojë mbi një sërë shqetësimesh për të drejtat e njeriut në pjesë të ndryshme të botës.

Temat kryesore të sesionit do të jenë zhvillimet në rajonet e krizës, si Siri, Jemen, Mianmar, rajoni palestinez nën pushtimin izraelit, Irak, Libi, Sudanin e Jugut dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Komisionet kompetente do të dorëzojnë më shumë se 100 raporte të të drejtave të njeriut nga rajonet në fjalë.

Po ashtu njoftohet se deri në fund të seancës, deri më 23 mars, do të ketë panele diskutimesh të shumta për çështjet e luftës kundër terrorizmit, torturës, lirisë fetare, të drejtave të grave dhe fëmijëve dhe të ngjashme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button