Shqipëri – Gjermani – Maqedoni, bashkëpunim për një treg të përbashkët rajonal

Zyra Ndërkombëtare “FM Consulting” vijon organizimin e vizitave njohëse, në Maqedoni me sipërmarrje shqiptare dhe të huaja. Në datën 22-23 shkurt 2018 do të jetë një përfaqësi e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), si dhe biznesmenë të suksesshëm në vend që do të organizojnë takime të nivelit të lartë në Maqedoni.

Gjatë dy ditëve të qëndrimit, drejtuesit e DIHA-s, falë axhendës së detajuar dhe të mirë organizuar nga drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare “FM Consulting”, Fatos Mustafa do të kenë mundësi të njihen nga afër me mundësitë e bashkëpunimit që mund të krijohen mes sipërmarrjes së tre vendeve: Gjermanisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Përfaqësuesit nga Shqipëria do të kenë mundësi që të priten në takim nga kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev, por edhe nga ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Politikat lehtësuese që zbaton aktualisht Qeveria e Maqedonisë në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit mund të shërbejnë si një model, për të nxitur krijimin e një zone të përbashkët ekonomike rajonale. Një qasje që është mbështetur së fundmi edhe nga Qeveria Shqiptare. Gjithashtu përfaqësuesit e DIHA-s do të priten në takime nga Aleksandar Mladenovski, drejtor Ekzekutiv i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZhTI) në Shkup; Ljupcho Nikolovski, Ministër për Bujqësinë, Pyjet dhe Ujërat Ekonomike; por edhe nga Marko Aquaticci, Zëvendës Ambasador në Ambasadën Gjermane në Shkup; Patrick Martens, përfaqësues i Biznesit Gjerman për Maqedoninë dhe Shqipërinë, si edhe me përfaqësues të organizmave që mbështesin sipërmarrjen Nebi Hoxha, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore”, thuhet në kumtesë.

Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare “FM Consulting”, Fatos Mustafa thotë se kjo është një vizitë shumë e rëndësishme, ku përfaqësuesit e biznesit gjerman mund të shohin nga afër suksesin e arritur falë politikave mbështetëse, që mund të adaptohen edhe nga Shqipëria.

“Kjo është një mundësi e mirë për bizneset gjermane që të njihen me potencialet që ka si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia, në fusha të tilla, si tregtia, ndërtimi, turizmi, manifaktura, etj. Sipërmarrjet e të dy vendeve nuk duhet ta shikojnë njëra-tjetrën si konkurrente, por duhet të ndërveprojnë për të bërë të mundur që të kemi një treg të përbashkët rajonal”, tha Mustafa.

Gjatë vizitës dy ditore pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të zhvillojnë më shumë rrjetin e tyre, si dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zgjerimin e investimeve. Në Maqedoni, po zbatohen me sukses modelet për thithjen e Investimeve të Huaja Direkte, siç janë Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale. Maqedonia ka shtatë zona prioritare për investime ku kanë ngritur aktivitetet e tyre kompani prestigjioze evropiane, por edhe amerikane.

Avantazhet e zonave zhvillimore teknologjike industriale janë: sigurojnë në mënyrë të vazhdueshme: energji elektrike, rrjet modern telekomunikacioni, ngrohje qendrore, sistem të lartë të sigurisë dhe monitorimit. Avantazh përbën edhe regjimi fiskal, pasi iniciativat për investime në këto zona përjashtohen për një periudhë 10 vjeçare nga taksa 10% e korporatave, të ardhurave personale, nga TVSH-ja dhe detyrimet doganore. Ato ofrojnë qasje të shpejtë drejt tregjeve evropiane, etj. Zona të tilla ndodhen edhe në Shkup dhe Tetovë, Kërçovë, Strugë. Për Zyrën Ndërkombëtare “FM Consulting” këto ture njohjeje mes bizneseve shërbejnë për të krijuar ura të shumta bashkëpunimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP