Çekia mbështet hapjen e negociatave Shqipëri-BE

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti sot në një takim kryetarin e Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Milan Stech (Milan Štěch), i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në përfundim të takimit, Ruçi dhe Stech dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve, ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.

“Gjatë takimit unë vlerësova marrëdhëniet shumë të mira politike që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Çekisë, njëherësh edhe bashkëpunimin shumëpalësh që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi me Çekinë në organizatat e ndryshme ndërkombëtare si në NATO, OKB, OSBE, në Këshillin e Evropës, etj. Ashtu sikurse vlerësova mbështetjen që Çekia ka dhënë për njohjen e Kosovës, si dhe vazhdon këtë mbështetje të saj për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndamë të njëjtin mendim se marrëdhëniet shumë të mira politike që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Çekisë t’i intensifikojmë për të arritur bashkëpunimin në fushën ekonomike, veçanërisht në fushën e energjetikës, infrastrukturës, të turizmit, bujqësisë, të tregtisë, të arsimit”, theksoi Ruçi, thuhet në një njoftim publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Nga ana tjetër Stech tha se Çekia mbështet hapjen e negociatave Shqipëri-BE gjatë këtij viti.

“Shpresoj që marrëdhëniet tona do të jenë sa më të mira edhe në të ardhmen. Ne kemi vlerësuar të gjitha hapat e afrimit të Republikës së Shqipërisë me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe ne mbështesim hapjen e negociatave gjatë pjesës së dytë të gjashtëmujorit të vitit 2018. Jo vetëm që kemi vlerësuar marrëdhëniet bilaterale, por gjithashtu kemi pasur mundësinë të flasim dhe në lidhje me investimet që Republika e Çekisë ka interes gjithashtu të investojë në Republikën e Shqipërisë”, tha Stech.

Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve nesër është parashikuar të mbahet forumi i biznesit Shqipëri – Çeki.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button