Meta bllokon “Greqinë”: S’mund të bëhem pjesë e cenimit të Kushtetutës

Ilir Meta shpjegoi arsyet pse nuk i dha ministrit të Jashtëm autorizimin për plotfuqinë për të negociuar me Greqinë. Në letrën që Presidenti i ka dërguar Ditmir Bushatit kërkohet që të saktësohet objekti i qartë për autorizimin e plotfuqisë si dhe të plotësohen emrat, funksionet dhe profesionet e atyre që do të jetë pjesë e grupit negociator, transmeton Top Channel. 

Përsa i përket metodologjisë, Presidenti kërkon shpjegim se ku do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte, e ku ai barazlargësisë me korrektim.

“Presidenti s’mund të anashkalojë asnjë moment. Nuk mund të bëhem pjesë e asnjë cenimi të Kushtetutës, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të asnjë bashkëfajësie, qoftë edhe padashje”, deklaroi kreu i shtetit.

Top Channel pyeti Presidentin Meta nëse po e shfrytëzon politikisht këtë moment.

“Qëllimi i Presidentit nuk është të bëjë lojë politike në marrëdhëniet me fqinjët. Presidenti nuk mund të vihet para fakteve të kryera”, u përgjigj ai.

A ndjehet Ilir Meta nën presionin e Qeverisë se ky qëndrim i tij mund të shtyjë në kohë arritjen e marrëveshjes, që synohet të nënshkruhet nga Kryeministri Rama dhe homologu i tij grek Tsipras, gjatë vizitës së këtij të fundit në pranverë?

“I uroj suksese gjatë vizitës së paralajmëruar nga mediat në Korçë dhe Shqipëri, por axhenda e cilitdo personalitet të nderuar nuk mund të më imponojë mua që të mos përmbush detyrimet e mia”, deklaroi Meta.

Presidenti Meta theksoi se Gjykata Kushtetuese i njeh kreut të shtetit të drejtën që të udhëheqë negociatat, por shtoi se nuk e synonte një gjë të tillë, pasi nuk ndjehej ekspert.

Presidenti e quajti gjithashtu të panevojshme që të dërgonte një njeri të besuar të tij në grupin negociator, pasi plotfuqia kur jepet është delegim i besimit për të gjithë grupin, theksoi ai.

Në lidhje me marrëdhëniet me ministrin e Jashtëm, Presidenti tha se ka kërkuar komunikim zyrtar për çështjen, por nuk ka marrë asnjë informacion të tillë deri më tani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button