ANALIZË: Monedhat virtuale: nga dëshira për fitim të shpejtë, deri në kolaps!

Vlerësimet e ekonomistëve botërorë për fatin e monedhave virtuale, ku bën pjesë edhe Bitcoin-i nuk janë optimiste. Në Maqedoni, qytetarët e kanë të ndaluar me ligj të investojnë në bursat e huaja dhe të posedojnë llogari në bankat e huaja, mirëpo nuk është i vogël as numri i njerëzve që kanë investuar në “paratë” virtuale. Në fillim të vitit ndodhi kolaps i vërtetë në tregun e monedhave virtuale, me ç’rast vlera e tyre u përgjysmua, ndërsa disa prej tyre edhe humbën krejtësisht, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Pas vlerës maksimale në dhjetor – Bitcoini shënon rënie

“Në përgjithësi, për monedhat virtuale, mund të them me siguri se do të kenë përfundim të keq. Kur dhe si do të ndodhë kjo nuk e di, mirëpo do të kenë përfundim të keq.” – thotë Uoren Bafet, njëri nga njerëzit më të pasur në botë, njeri që e mban titullin top investues.
Rënia marramendëse e monedhës më të popullarizuar virtuale – Bitcoin-it, që ndodhi në janar, përfundoi me çmim prej 9.966 dollarësh për një monedhë në fund të ditës së punës të javës paraprake. Sipas të dhënave që i analizoi “Portalb”-i, nga 100 monedha virtuale, më shumë se gjysma akoma kanë “parashenjë të kuqe”, gjegjësisht vlera e tyre është në rënie. Gazeta prestigjioze “Bloomberg” shkroi: “Janari ishte muaji i vuajtjes për investuesit në monedhat virtuale”. Në fakt, në ditën e fundit të janarit, Bitcoin-i humbi më shumë se 50% të vlerës së saj në krahasim me vlerën maksimale në dhjetor, me ç’rast rënia ishte prej 20.000 dollarësh për një monedhë në 10.000 dollarë për një monedhë.

“Ka shumë panik në treg. Njerëzit bëjnë gjithçka që t’i tërheqin paratë e tyre” – deklaroi Çarlls Hajter, themelues i Cryptocompare, i cili njëkohësisht posedon edhe monedha virtuale.

Rënia dramatike e vlerës së monedhave virtuale ndodhi pas paralajmërimeve për restrikcione në tregtinë me paratë digjitale. Sinjale të këtilla dërguan Koreja Jugore dhe Kina, ndërsa për zgjidhje të ngjashme ligjore është duke menduar edhe SHBA-ja. Për ardhmërinë e monedhave virtuale, rregullimin dhe koordinimin global, pritet të diskutohet edhe në Samitin e radhës G20, i cili do të mbahet në mars, në Argjentinë.

Monedhat virtuale” – kumar me rrezik të madh?

Rregullativa ligjore në vend nuk lejon investim të qytetarëve të Maqedonisë në bursat e huaja. Është i ndaluar edhe posedimi i llogarisë në bankë të huaj. Kjo rregullativë që nga fillimi e kufizon posedimin ligjor të monedhave virtuale, madje kjo sanksionohet, gjegjësisht dënohet sipas ligjit, thonë ekonomistët.

“Me Ligjin për punë devizore sanksionohet investimi në bursa të huaja dhe posedimi i llogarisë jashtë vendit. Kjo vlen deri sa nuk kalon faza e dytë e Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim me Bashkimin Evropian, e cila për shkak të kontestit të emrit me Greqinë, akoma është e bllokuar”, thotë ekonomisti Pavle Gacov, dhe shton:
“Monedhat virtuale janë para imagjinare. Pas parave imagjinare qëndrojnë persona imagjinarë me pronë imagjinare dhe financa të tilla. Pikërisht aspekti imagjinar bën që këto monedha të jenë të lëndueshme. Pas tyre nuk qëndron asnjë ekonomi botërore, as ndonjë autoritet, gjegjësisht organ rregullator. Në fakt, persona privatë dhe interesa private janë të lidhura me këto monedha dhe vlera e tyre varet nga këto persona dhe interesat e tyre. Vlera e monedhave virtuale nuk i nënshtrohet rregullimit nga autoritetet monetare dhe për këtë arsye është jostabile, gjegjësisht ato u nënshtrohen spekulimeve financiare dhe për këtë arsye kanë vlerë që ndryshon lehtë dhe shpejtë. Vlera varet kryesisht nga lëvizja në anën e kërkesës për këtë monedhë dhe pothuajse nga asgjë tjetër që është e njohur për publikun e interesuar”.

Edhe pse është e ndaluar me ligj, heshtazi, ka qytetarë që posedojnë monedha virtuale. Nuk përjashtohet mundësia që në mesin e tyre të ketë edhe persona të njohur. Një pjesë e ekspertëve thonë se investimi në monedhë digjitale varet nga disa faktorë, për shkak se bëhet fjalë për një treg të parregulluar, gjegjësisht spekulativ, me ç’rast vetë investimi në monedha virtuale identifikohet me kumar me rrezik të lartë.

“Për dallim nga monedhat kombëtare dhe ato konvertibile të pranuara ndërkombëtarisht, vlera e të cilave mbrohet, gjegjësisht menaxhohet nga ana e autoriteteve monetare të vendeve të caktuara, vlera e monedhave virtuale nuk mund të mbrohet me mekanizma monetare të organizuara në mënyrë të këtillë. Vlera e saj në fakt paraqet një varkë të cilën e ka kapur një stuhi e fuqishme detare, pa vlerësime objektive për rezultatin përfundimtar. Këto monedha nuk kanë ardhmëri, së paku deri tani. Kjo do të vlejë deri sa pas tyre të mos qëndrojë ndonjë sistem i organizuar financiar ndërkombëtar apo një ose më tepër vende të fuqishme ekonomike. Tani për tani një mundësi e këtillë as që shihet në horizont” – thotë Gacovi.

Në kulmin e “fitimit të shpejtë”, kur çmimi i monedhave virtuale filloi të rritet së bashku me informatat se edhe shtetas të Maqedonisë kanë blerë monedha virtuale, Banka Popullore doli me paralajmërim.

“Për shkak të rritjes së shpejtë të interesimit për investim në monedhat virtuale, çmimi i tyre rritet shumë shpejt, ndërsa mjeti financiar, vlera e të cilit rritet shumë shpejt, bëhet spekulativ, gjegjësisht flluskë, e cila do të plasë herët apo vonë” – potencoi BPM-ja.

Interpretimet e publikut për restrikcionet e këtilla ligjore ishin të ndryshme, duke pasur parasysh faktin se në vendet e Evropës, përveç në Maqedoni dhe në Shqipëri, me monedhë virtuale mund të blihet onlajn, me kartelë, Për shembull, në Prishtinë, ka bankomate speciale prej ku mund të blihen monedha virtuale.

Edhe përkundër asaj se në suaza të Evropë dhe më gjerë, nuk është vënë në pikëpyetje ligjshmëria e monedhave virtuale, ato mbeten “terren i rrezikshëm financiar” për ata që do të vendosin të investojnë në to.

“Tregtia me monedhat digjital bëhej nëpërmjet platformave të cila zakonisht nuk janë të rregulluara dhe rregullat për punë të të cilave u nënshtrohen ndryshimeve të shpeshta, e madje kishte edhe ndërprerje të punës pa paralajmërim dhe pa dhënë sqarim. Nuk ka asnjë mbrojtje ligjore për mjetet që janë investuar nëpërmjet këtyre platformave softuerike, e as që ekziston mekanizëm për dëmshpërblim të klientëve, siç është rasti me depozitat e investuara në bankë. Monedhat e blera virtuale ruhen në llogari virtuale ose në të ashtuquajtur kuletë digjitale, e cila është caku më i shpeshtë i sulmeve të hakerëve, gjë që shkaktoi humbje të drejtpërdrejta për investuesit” – sqaruan nga BPM-ja.

Në fillim të vitit 2010 çmimi i një Bitcoin-i ishte 0,003 dollarë, ndërsa sot është 10.000 dollarë. Pas rritjes marramendëse kishte edhe rënie marramendëse, gjë që vërtetoi se akoma bëhet fjalë për treg spekulativ, ku pothuajse është e pamundur të parashikohen pritjet, komentojnë ekonomistët. Në ditën e fundit të punës së javës së kaluar, Bitocoin-i shënoi rritje, mirëpo me të kuqe ishin të ngjyrosura mbi 50 monedha të tjera virtuale. Kështu, Litecoin ra për 6,29%, Zchas për 1,90% ndërsa Maker për 1,62%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button