FITORJA

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

Drita e dobët elektrike mezi depërton nëpër tym deri te tavolinat e kafenesë së lagjes ku e kalojnë kohën qytetarët e mirë. Tymi i përzier i cigareve të ndryshme ta djeg fytin. Nga shporeti ku vlon çaji e piqet kafeja përhapet era e qymyrit jocilësor që digjet me vështirësi. Në një tavolinë janë ulur Sulë Përparca, Lush Qeremidja, Qero Vilispiti dhe Fuat Xhimcagjeli. Luajnë letra e bisedojnë. Temë e bisedës: kandidatët e zonës për deputet: Musë Gjardhi, Vesa Kroni dhe Premtim Bardhi.

Në një çast Sulë Përparca i përplas letrat mbi tavolinën e mbuluar me mushama në të cilën ka mbetur një shtresë e padukshme sherbeti nga çaji, boza ose limonatat, pasi është fshirë sa për sy e faqe. Thotë:

Jo bre!… Kurrën e kurrës!… Po votuakam për të!

Hej çka u bë?! Çka kërciti tash atje?! bërtet dikush nga tavolina në qosh të kafenesë, pasi dëgjohet përplasja e dorës së Sulës mbi tavolinë.

Nuk votoj për Musën! u thotë Sulë Përparca shokëve që ka rreth tavolinës së tij. Nuk votoj! Po votuakam për Musë Gjardhin! Asnjëherë!

As unë! shton Lush Qeremidja.

Unë s’kam votuar kurrnjëherë për Musën, pse të votoj tash?!… u bashkohet shokëve Qero Vilispiti. Vetëm Fuat Xhimcagjeli hesht.

Po ti? e pyet kafexhi Dik Dallaverja Xhimcagjelin, derisa i vendos kafetë në tavolinë. Kafexhiu ia bën me sy dikujt, demek po luaj kujna me Fuatin.

Ku të zë zori ty, o kafexhi! Po ec e shërbej, shpërndaj bozë! Mos u merr me politikë ti, se s’është politika për bozaxhinj! i përgjigjet ashpër Fuati Dikut.

Ule zërin, Fuat! ia kthen kafexhiu. Dhe, mati fjalët! Me Dikun ke punë! Dik Dallaverja më thonë mua!

Fuat Xhimcagjeli ngrihet në këmbë. Është nxehur. Don të përlahet fizikisht me kafexhiun. Të tjerët ndërhyjnë. I ndajnë.

Pastaj bie një heshtje. Dëgjohet vetëm cingërrima e lugëve të çajit. Për një minut – dy fillon gumëzhima.

Hej lëshoji lajmet! Ora është dhjetë e natës. Ta shohim mos ka krisur diku diçka.

Jo, bre, tash janë zgjedhjet! thotë kafexhi Dik Dallaverja. Nuk çan krye kush për tjetër send, përveç punës së zgjedhjeve.

Ani, ani!… Lëshoje televizorin.

Tymi i duhanit është bërë i stërdendur, ndërsa goja e shumëkujt nuk mbyllet.

Jepi pak zë, Diko! bërtet Sulë Përparca. Dik Dallaverja e ngre zërin e televizorit. Lajmet kryesisht, thuajse mbi shtatëdhjetë për qind, janë për zgjedhjet. Flet një anëtar i Këshillit zgjedhor dhe i shpjegon rregullat – pse nuk duhet vendi të jetë një njësi zgjedhore, del tjetri dhe ankohet për të ardhurat. Thotë se marrin pak e kanë shumë punë. Pastaj me radhë vjen kronika e zezë: “U vranë, u prenë”… “U zunë me drogë”… “U

zunë pesë femra nga vendet e ish bllokut sovjetik nëpër kafenetë e vendit – të sjella me trafik qeniesh njerëzore”.

A ta ndal televizorin? pyet Dik Dallaverja. Tash vijnë lajmet e jashtme,shton.

Fike, fike!

Pasojnë analizat për zgjedhjet që do të mbahen. Katër burrat janë ngërdheshur. Lush Qeremidja e ka mbështetur kokën mbi dorën e djathtë bërrylin e së cilës e ka mbi qoshin e tavolinës dhe dëgjon, Qero Vilispiti i rrotullon çelësat në gishtin tregues të dorës së djathtë, Sulë Përparca e ka lëvarur një cigare në buzën e poshtme. O janë përqendruar të dëgjojnë o duan ta thonë ndonjë fjalë. Fuat Xhimcagjeli thotë:

Do të humbin këta të kuqtë. As integristat nuk kanë shansa të mdhaja.

Thua? pyet Qero Vilispiti.

Edhe unë mendoj si Fuati, thotë Qero Vilispiti. Se, të kuq janë edhe këta, edhe ata.

Unë do të votoj për Premtim Bardhin, thotë Sula.

Unë për Vesa Kronin, shton Lush Qeremidja.

Ja, ja, ndërhyn Fuati, këta dy, Premtimi e Vesa, janë intelektualë, bre! Po, e para, intelektualët s’i do votuesi ynë dhe e dyta, krejt faktorët politikë do të angazhohen kundër tyre. Dhe, kur e di se s’kanë shans intelektualët, atëherë mos e digj votën. Pastaj nuk u jepet vota atyre që filozofojnë, vëlla.

Nuk votoj për integristët! e ngre zërin Sulë Përparca. Nuk votoj për të kuqtë!

As unë! shton Qero Vilispiti.

Ti mos voto, thotë Fuati, punë për ty. Ju kot e përimtoni votën shqiptare. Përsëri integristët do të fitojnë.

Ku e di ti?

As unë nuk them se integristët janë kushedi çka… As të kuqtë… Po kjo punë dihet. Ata kësaj radhe e kanë edhe bazën të veten, po e kanë edhe mbështetjen e faktorit të brendshëm dhe faktorit të jashtëm.

O Fuat, a je me ne a me arushën?

Me ju jam, po…

Dhe, kështu kaluan ditë e ditë duke u hëngër për zgjedhjet: kush do të bëhet e kush jo.

Pas zgjedhjeve katër burrat u takuan sërish në kafenenë e Dik Dallaveres. Premtimi e Vesa dolën pa asnjë votë. Musë Gjardhi fitoi.Tash bënin analizën e zgjedhjeve.

Njëzet e katër i ka prej meje, thotë Qero Vilispiti.

Njëzet vota i ka Musa prej shtëpisë sime, thotë Sulë Përparca.

Prej meje i ka tridhjetë, shton Lush Qeremidja. Secili prej burrave deklaratën e tyre e krip me një: “Ishte kjo zgjidhja më e mirë”… E kritikojnë Premtimin, e kritikojnë edhe Vesën: “Çka të nënës kërkojnë filozofët në politikë”!…

Fuat Xhimcagjeli hesht. Pastaj vjen kafexhi Dik Dallaverja me kafetë e me koka kola dhe e prek në sup Fuat Xhimcagjelin.

E kam ditur se je burrë i zoti, o Fuat! Pirolla të qoftë! Aferim! i thotë. Pastaj shton: Këto pije i keni prej shtëpisë, o burra.

Çka është puna? pyet Sulë Përparca. E kupton se diçka ka ndodhur e madhe pasi Dik Dallaverja qeras. Diku qeras kur e di se do t’i kthehet “investimi” shumëfish.

Xhimcagjeli ynë do të bahet zëvendësministri! thotë Diku, thuajse është fort i gëzuar. Kështu më thotë një burim mirë i informuar, shton.

Eu Fuat bre, edhe po hesht! thotë Sula. Kurse Qero Vilispiti e pyet:

A mos ishe ti Fuat kundër integristëve e kundër të kuqve, a mos gaboj?

Jo, jo, thotë Fuat Xhimcagjeli. Gabim e ke. Të tjerët ia vërtetojnë fjalët Xhimcagjelit. Pastaj të tre burrat ngrihen dhe e marrin ngrykë Fuat Xhimcagjelin. He, Fuat bre, edhe po hesht! E kemi ditur se kah do të shkojë fitorja.

Qero Vilispiti thotë:

Ja ti Fuat, ja Sula, keni qenë kundër, në mos gabofsha.

Gabim je Vilispit, gabim! reagojnë.

Pastaj festojnë tërë natën. Natyrisht, secili lavdërohet për punën që ka bërë për fitoren e Musë Gjardhit. Dhe, për suksesin e Fuat Xhimcagjelit. Nuk i harrojnë as shakatë e pakripa në llogari të Premtim Bardhit dhe Vesa Kronit.

Ku ta dish si duken tash Premtimi e Vesa?! thotë Lush Qeremidja.

Si baglat në shi! thotë Fuat Xhimcagjeli.

Plas gazi.

Diku del. Shpejt kthehet me një shishe raki dhe me djathë.

Pesë burrat i bën bashkë pushteti.

Atë natë Dik Dallaverja e angazhon një myshteri të shërbejë në kafene dhe ulet pranë Fuat Xhimcagjelit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP