Stuhi në Ballkan!?

Mersel Bilalli

Mersel Bilalli

Gjatë sundimit të Hamurabit babilonas, me qytetin Ashuri qeveriste një udhëheqës ushtarak ambicioz i quajtur Jahdun-Lim. Ai donte që t’i  lindnin vetëm djem të cilët do të bëheshin luftëtarë dhe udhëheqës të famshëm. Kishte thënë se po t’i lind ndonjëherë vajzë do e bënte copëza. Dhe për habi, sikur zoti Shaman ia plotësoi dëshirën dhe i lindën pesë djem. Por, pas një kohe, si për fat të keq të tij, i lindi një vajzë! Jahduni u tërbua i tëri, shante e ulërite dhe nxitoi drejt shpatës. Për një moment mendoi se diç i kishte gabuar zotit Shaman.

Në atë çast dëgjoi zërin e zotit të qiellit Enil – “Lëre fëmijën përpara tempullit qiellor, sepse shumë do të duhet.” Jahduni hoqi dorë nga qëllimi i kobshëm dhe e la fëmijën pa asnjëfarë përkujdesje para tempullit. Kaluan shumë ditë, por askush nuk dëshironte ta merrte. Nëna e foshnjës fshehurazi çdo ditë me lot në sy shkonte ta ushqej fëmijën e braktisur. Pas një viti, Jahduni ra dakord që të kthejë fëmijën në shtëpi. Kaluan vite e djemtë u bënë me pushtet të fuqishëm, por edhe me shumë grindje mes veti, për çka edhe territoret i ndanë. Për Jahdunin e moshuar dhe të paralizuar, kishte mbetur vetëm vajza e tij për t’u kujdesur, e cila nuk kishte pranuar as të martohej për arsye që t’i përkushtohej të atit të saj. Ai me zemër të thyer sikur donte t’i lante mëkatet me lot. Fuqi më të madhe ka uji në formën e lotëve nga të cilët buron një oqean emocionesh.

Pikërisht  “Jahdun-ët” tanë, tani lëshojnë lotë krokodili për fëmijën e hedhur, ndërkaq aq mizorisht e kishin shkelë, grabitur dhe vjedhur. Madje edhe nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dëgjuam fjalë të mëdha nga një burrështetas i vogël për nevoja çajtoresh. Absurde të mëdha nga udhëheqësia liliput. Ndërkaq e quanin baba të kombit, sepse kombit ia konsumoi mëmën. Kurse arsyeja, drejtësia dhe morali ishin shkelur dhe ishin lënë përpara tempullit, sepse kur flet paraja hesht morali. Dhe tani kur shohin se ata varen nga vajza e braktisur, sikur dëshirojnë ta përqafojnë atë aq fort sa që do e mbytin. Dhe pa fije turpi, janë ankuar te Mogerini për dështim në moszbatimin e reformave në gjyqësor, arsim dhe ekonomi!

Për vite me radhë thonin se çështja e emrit ishte një kontest irracional, se UE ishte “një kurvë babilonase”, se NATO do shkatërrohej. Ndërkaq cilido që ka një gram dije, mirë e di se në politikë as që ka konteste racionale. Ata nuk janë punë për Nënë Terezën. Me këtë formë të kuptimit të lirisë, okupuan shtetin. Nuk donin të kuptojnë se e vërteta vjen nga Zoti, kurse gënjeshtra nga djalli. Njerëzit që kishin frikë nga Zoti, ishin të detyruar t’i përkrahnin ata që nuk kishin frikë nga Zoti, pasi uria edhe peshqit më inteligjent i bën të shkojnë drejt grepit.

Por, edhe te pushteti aktual nuk çelin lulet si duhet. Përkundër rezultateve të shkëlqyera në planin ndërkombëtar, brenda ka një mungesë të madhe dije, organizimi dhe idesh. Me resorë të rëndësishëm për zhvillim  – ekonomik, rural e ekologjik menaxhojnë persona pa dije elementare. Për disa, madje mund edhe të turpërohemi kolektivisht. Kësosh më një shtet normal nuk do i pranonin as për pastrues. Nuk ka shtet në botë ku nuk punohet me njerëz për t’i orientuar, informuar apo trajnuar rreth asaj se çka mund të bëjnë që së paku veten ta punësojnë. Sot kemi shumë universitete, por s’kemi dije. Kemi shumë spitale, por s’kemi shëndetësi. Kemi plotë shtëpi Zoti, por s’kemi fe. Është krijuar një ushtri e madhe e të rinjve pa ide, të cilët përveç telefonit s’dinë asgjë tjetër. Duhet program operativ se si ta zhvillojmë bizneset, bujqësinë, blegtorinë, turizmit rural, shërbimet, etj. Ajo që çon përpara nuk janë lokomotivat, por idetë.

EMRI

Kapaciteti ynë shtetëror është i tillë sa që për 27 vjet nuk ishim në gjendje ta zgjidhim një mosmarrëveshje të vogël që tani më është bërë mjaft e madhe. Dhe çdo ditë bëhet akoma më e madhe. Vite me radhë politikanë të imtë notonin paralel rrjedhës së lumit, ndërkaq politika shpesh e kërkon të kundërtën. Patriotët e rremë me këngë patriotike na e varrosën të tashmen e të ardhmen. Aty ku shumë bubullon, nuk ka shi. Nga një shtet lider në rajon, me rënie të lirë u bë e fundit. Madje nën atë. Dhe më në fund, duke dashur ta ruajnë pushtetin, humbën mendjen. Dihet se patriotizmi i rremë është një përpjekje e të dobëtit që të bëhet i fortë. Nëse ia arrin kësaj, atëherë popullata zhveshët gjer në lëkurë. Grekët mirë e dinin se Kali i Trojës i tyre mundet të ushqehej më së miri në Shkup.  Madje i ndërtuan edhe një përmendore në vetë sheshin!

Gjithashtu është fakt se instalimet pro-Putiniste këtu, janë kundërshtarët më të mëdhenj të gjetjes së një zgjidhjeje për emrin. Ata duan të dështojë agjenda euro-atlantike në mënyrë që të realizohet projekti i djallëzot i tyre – destabilizimi i Ballkanit me miliona viktima. Vetëm për ate që ariu polar nga detërat e veriut të del në detërat e jugut. Ata janë si një lloj kali trojan rus. Por, një lojë e tillë është lexuar që moti edhe nga vet dikur rusofil Ciprasi. Prandaj tani mu ai është më i interesuari për zgjidhjen e këtij problemi madje edhe sikur t’i humb zgjedhjet, vetëm që të mos marrë përgjegjësi për ferrin e mundshëm ballkanik që do ta krijonin qarqet lucifere rreth regjimeve ruso-turke. Jo rastësisht, Bullgaria me gjitha forcat po përpiqet për integrimin e shpejtë të rajonit përpara se të arrijë stuhia e tillë e kobshme.

Mos të harrojmë se në këtë pjesë të Ballkanit akoma është e pranishme logjika e “shteteve të papërfunduara” që në një moment të caktuar do të shkonin në ndryshim të përgjakshëm të kufijve. Në Bosnjë, Milorad Dodiq gjithë kohës po kërcënon me një referendum për shkëputje, ndërsa të tjerë nga Federata e BeH mbajnë lidhje me çfarëdo radikalësh. Serbia ka zemrën në Moskë, kurse xhepat në Bruksel dhe pretendon pjesën veriore të Kosovës, e cila edhe ashtu është një vullkan në pushim, por gjithmonë tymos. Kosova ka probleme me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, me Bashkimin e Komunave Serbe dhe me Gjykatën Speciale. Mali i Zi, edhe pse është anëtar i NATO-s ka 40 për qind të popullsisë serbe të cilët shumë lehtë në një moment të caktuar mund të instrumentalizohen. Maqedonia vazhdon me probleme të shumta të saja. I gjithë Ballkani qëndron mbi një detonues të rrezikshëm, kurse sustat jo gjithmonë janë në duart e sigurta. Jo rastësisht janë aktivizuar alarme të fuqishme me drita të kuqe si në Bruksel ashtu edhe në Uashington.

Prandaj, çështja e emrit nuk është zgjedhje midis zgjidhjes dhe moszgjidhjes, por midis destabilizimit dhe paqes, midis ekzistencës dhe zhdukjes, midis katastrofës dhe shpëtimit, midis përparimit dhe mjerimit, midis jetesës këtu dhe eksodit. Dhe shumë gjëra tjera në mes! Ndoshta me zgjidhjen nuk do ta fitojmë parajsën, por sigurisht se do mund të shpëtojmë nga ferri.

Përgjegjësia këtu është edhe e opozitës. Të kalkulohet nga interesi i rejtingut këtu është njëjtë sikur të hapni një vrimë në anijen në të cilën edhe vet jeni. Edhe po të mos fundoset, sigurisht se në kujtesën e udhëtarëve do të mbetet e regjistruar se ju nuk jeni kujdesur për ta. Është e lehtë të thuhet se pushteti e ka përgjegjësinë, por nëse hidhemi në ferr atëherë ç’kuptimi ka ajo përgjegjësi ?! Është e lehtë të thuhet se nëse çështja e emrit nuk zgjidhet, nuk do shembet qielli! Por, me siguri se do vazhdojë të shemben jetërat tona.

Gjithkush e di se deri dje ishim ata që sot duamë të harrohet. Dhe sërish vazhdojmë të jemi të njëjtët. Si duket si me asnjë tjetër historia nuk ka luajtur si me këtë popullatë. E liga me kënaqësi na shoqëron, sepse e di se gjuha na shërben për helmim masiv. Vështirë kuptojmë se e keqja shpesh fiton për shkak të pasivitetit të atyre që e dinë se ç’është e mira, megjithatë sërish e duan të keqen. Dhe në gjithë këtë, disa assesi nuk mund të kuptojnë se kur pësoni humbje, nuk duhet ta humbni dhe mësimin nga ajo

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP