Gostivar, sektori i arsimit filloi vizitat nëpër shkolla, Snopçe: Të kthejmë disiplinën dhe rregullshmërinë

Udhëheqësja e Sektorit të arsimit pranë Komunës së Gostivarit, Aslian Snopçe, filloi turin e vizitave nëpër shkollat fillore dhe të mesme komunale të Gostivarit. Gjatë ditës së sotme, Snopçe vizitoi Shkollën e Mesme Komunale “Gostivar“, dhe u takua me drejtorin Dritan Imeri, shërbimin pedagogjik dhe me kryetarët e klasave të viteve të katërta.

“Qëllimi i vizitës ishte që të ndjekim nga afër se si realizohet procesi mësimor, por edhe të dëgjojmë kërkesat e kuadrit mësimor dhe të nxënësve. Në fokus patëm disiplinën, rregullshmërinë, mbajtjen e uniformave, por edhe të japim sugjerimet se si të përmirësohet gjendja aktuale. Ishte konstatim i përbashkët se nevojitet një angazhim i koordinuar dhe një përkushtim më i madh që me hapa konkrete të rritet niveli i disiplinës dhe të ndërmerren masa disiplinore si ndaj nxënësve ashtu edhe ndaj mësimdhënësve të cilët shkelin kodet e përcaktuara”, thotë Snopçe.

Ndërkaq drejtori Dritan Imeri theksoi se vizitat e këtilla janë të mirëseardhura dhe se në koordinim dhe bashkëpunim me administratën komunale, mundësitë për ecje para me hapa më të shpejtë, janë më të mëdha.

Në lidhje me ekskursionet e nxënësve që duhet të realizohen kah fundi i viti shkollor, si dhe për festimin e mbrëmjes së maturës u ra dakord që të merren parasysh kërkesat e nxënësve, por realizimi i tyre patjetër të bëhet në koordinim dhe me pëlqim të prindërve, drejtorisë së shkollës dhe Sektorit të arsimit pranë Komunës së Gostivarit.

Vizitat nga ana e përfaqësuesve të Sektorit të arsimit në shkollat fillore dhe të mesme komunale, si dhe në çerdhet e fëmijëve, do të jenë të rregullta dhe të njëjtat do të realizohen pa agjendë të caktuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP