ITSHKSH:Simpozium për lëvizjen prijatare për liri dhe pavarësi

Në sallën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore  të Shqiptarëve (ITSHKSH) sot u mbajt Simpoziumi shkencor me temë: “Lëvizja Popullore e Kosovës në vitet 1982-1984 dhe heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri dhe Zija Shemsiu”.

Simpoziumi u organizua nga Shoqëria “Lëvizja”, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Shoqatën e të Burgosurve Politikë dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Në emër të organizatorit, Shoqërisë “Lëvizja”, simpoziumin e shpalli të hapur Tahir Hani, i cili theksoi rëndësinë historike të lëvizjes çlirimtare të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi për liri dhe pavarësi.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se LPK-ja ishte vazhdimësi e lëvizjeve progresive shqiptare që kishin për qëllim idealin e lirisë së kombit shqiptar. Për këto ideale të larta, bijtë më të mirë të kombit, kanë dhënë shumë gjak, mund e sakrifica deri në ditët e sotme.

Kurse, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, tha se lëvizja çlirimtare dhe heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, ishin vazhdimësi e përpjekjeve liridashëse të vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, të cilët përmes pavdekësisë së tyre, e trasuan rrugën e lirisë së Kosovës.

Më pas, filloi punimet simpoziumi shkencor “Lëvizja Popullore e Kosovës në vitet 1982-1984 dhe heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu”, ku me kumtesa u paraqitën mbi 30 referues që vinin nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Me mjaft interes u dëgjuan kumtesat e Emrush Xhemjalit, Paskal Milos, Hydajet Hysenit, Sherif Konjufcës, Albulena Halilit, Shemsi Sylës, Sami Kurteshit, Hysen Matoshit, Tahir Hanit, Isak Sherifit, Fatmir Arifit, Esat Deharit, Xhevat Bislimit, Berat Luzhës, etj.

Pas leximit të kumtesave, pati një debat me shumë interes nga ana e studiuesve dhe pjesëmarrësve, shumica e të cilëve ishin edhe protagonistë të atyre ngjarjeve.  Të gjitha punimet e këtij simpoziumi shkencor, pritet të botohen në një edicion të veçantë të Shoqërisë “Lëvizja”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button