Shoqata e personave me shikim të dëmtuar “Realiteti” ka disa kërkesa nga Taravari

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari me bashkëpunëtorët e tij vizitoi Shoqatën e personave të verbër dhe me shikim të dëmtuar “Realiteti”.

Ndër kërkesat e anëtarëve të shoqatës ishin ato që personat me shikim të dëmtuar të lirohen nga pagesa e ujit, të vihet rend në trafik për të mos parkuar automjetet nëpër trotuare, ulja e tehoreve të trotuareve te kalimet për këmbësorë, ndërtimi rampave qasëse për personat me invaliditet, transport publik falas dhe kërkesa të tjera mjaft racionale.

Kryetari Taravari i siguroi ata se do të angazhohet që për të gjitha këto, në bashkëpunim edhe me Këshillin e Komunës dhe me institucionet tjera shtetërore, si dhe me sektorin privat, të gjendet një zgjidhje dhe të përmirësohet cilësia e jetës të personave me shikim të dëmtuar, por edhe të gjithë personave tjerë me nevoja speciale.

Kryetari i shoqatës Xhevat Fejzuli, falënderoi kryetarin Taravari që personalisht kërkoi të takojë anëtarët e kësaj shoqate, ndërsa më pas e njoftoi atë me aktivitetet që i zhvillon, si dhe me sfidat me të cilat ballafaqohet kjo shoqatë.

“Jemi një organizatë joqeveritare e cila nuk financohet nga shteti, por falë angazhimit tonë dhe njerëzve të vullnetit të mire, arrijmë që të realizojmë disa aktivitete të vogla dhe të ndihmojmë që anëtarët tanë të përballojnë sfidat e jetës. Shoqata jonë numëron 62 anëtarë dhe ne kemi një plan-program vjetor mjaft modest, me disa aktivitete të cilat nuk janë shumë të kushtueshme”, njoftoi Fejzuli kryetarin Taravari.

Ai falënderoi edhe drejtorin e ri të NP Komunalec, Isak Lazami,  ku është e vendosur selia e kësaj shoqate, që ka mundësuar ata të shfrytëzojnë ngrohjen qendrore dhe se tregon interesimi për t’i ndihmuar ata.

Kryetari Taravari, kërkoi që të gjithë anëtarët e pranishëm të shpalosin problemet e tyre dhe lirshëm të kërkojnë ndihmë për çfarëdo kërkese të tyre.

“Jo vetëm kërkesat të cilat tani do t’i shpalosni këtu, por cilado qoftë nevojë që do t’ju paraqitet, lirisht  na kontaktoni, qoftë mua si kryetar, qoftë shërbimet komunale, por edhe drejtorin e ndërmarrjes. Për gjithçka që është e mundur në kuadër të kompetencave tona, do t’ju ofrohet ndihmë. Do t’ju asistojmë me material zyre dhe me mbështetje tjetër logjistike. Do të angazhohemi që të organizojmë seminare dhe punëtori me profesionistë që merren me trajtimin e personave me shikim të dëmtuar. Në bashkëpunim edhe me sektorin privat do të mundësojmë të mbani edhe manifestime të ndryshme për të cilat ju do të shfaqni interesim”, theksoi Taravari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button