Kur nuk sundon ligji, mbisundon anarkia!

Florim Zeqa

Florim Zeqa

Për politikanët kosovarë, gënjeshtra dhe mashtrimi janë shndërruar në çelës të suksesit, ndërsa hajnia në çelës të pasurimit të tyre. Përveç këtyre pasioneve, politikanët kosovarë janë pajtuar edhe me turpin si dukuri të zakontë në jetën e tyre. Kur vjedhin e mashtrojnë nuk ndihen të turpëruar, madje as kur tradhtojnë njëri-tjetrin dhe elektoratin e tyre nuk u skuqet fare fytyra!

Me këto metoda antihumane të veprimit, politikanët e ditëve të sotme i kanë sjellë shumë të mira materiale vetes, familjeve dhe farefisit të gjerë të tyre, duke filluar nga postet e privilegjet e pushtetit e deri te pasurimi i skajshëm.
Në anën tjetër, për fat të keq në mesin e popullatës edhe pse tashmë jemi të lirë, ende ekziston psikologjia e robit dhe nënshtrimit. Të gjithë ata, që në një mënyrë apo tjetër e ndajnë mendjen e të qëndruarit besnikë ndaj pushteteve antipopullore, s’janë gjë tjetër veçse robër dhe të nënshtruarit e të gjitha pushteteve në Kosovë, nga koha e regjimit titist, millosheviqian e deri te ky i ditëve të sotme, i cili nuk dallon aspak dhe për asgjë nga pushtetet e pasluftës në Kosovë.

Si pasojë e kësaj, përvjetori i 10 i pavarësisë, shtetin e Kosovës e gjenë përpara sfidës më të madhe dhe më të rrezikshme që nga paslufta, e cila përveq kthimit prapa në pikën zero, të vitit 1999, rrezikon ri-kthimin nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila e njehë Kosovën pjesë integrale të Serbisë, duke rrezikuar seriozisht të arrituren më të madhe kombëtare në shekullin e fundit-Republikën e Kosovës, e arritur kjo e përbashkët me miqt ndërkombëtar.

Me qeveritarët pa vizion, shteti drejt vdekjes “klinike”

Shtetit tonë nuk i mjaftuan 19 vjet nga paslufta dhe 10 vjet nga njohja ndërkombëtare për të ndërtuar institucione kredibile, zhvillim ekonomik, mirëqenie qytetare dhe stabilitet politik.

Në rrethana normale, çdo vendi të dalë nga një luftë çlirimtare do t’i mjaftonin më pak se pesë vite për t’u konsoliduar në të gjithë mekanizmat shtetërorë, do t’i mjaftonin më pak se dhjetë vite për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet ekonomik.

Ndodhë kështu pasi të fortët e politikës e diktojnë ligjin dhe drejtësinë në vend, për të mbetur gjithnjë të paprekshëm nga drejtësia, edhe përkundër shkeljeve dhe abuzimeve serike me institucionet shtetërore, deri në shkeljen e aktit më të lartë juridik në vend-Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për ironi të faktit, shkelësit e Kushtetutës në vend të ndëshkimit, shpërblehen me poste në institucionet më të larta të shtetit!

Targën e shkatërrimit të shtetit e bartin ata që e kanë pushtetin në dorë e jo të nëpërkëmburit e tyre, ndërsa si gjithnjë çmimin e paguajnë qytetarët e vendit, shtresat më të rrezikuara të popullatës, të varfrit dhe pensionistët me të ardhurat më të ulëta jo vetëm në rajon, ndoshta në tërë globin, pasi ekzistojnë vetëm dhjetëra shtete me gjendje katastrofale të qeverisjes siç është Kosova.

Mungesa e vizionit politik e liderëve shtetërorë në njërën anë, krimi i organizuar dhe korrupsioni në anën tjetër janë bërë pengesa serioze të ecjes së shtetit dhe mirëqenies qytetare.

Vetëm një klasë e re politike, me vizion të qartë, me ide të shëndosha dhe projekte konkrete zhvillimore mund ta çojë përpara shtetin, në të kundërtën, me këtë klasë politike të papërgjegjshme dhe servile ndaj ndërkombëtarëve mund t’i kalojmë edhe 19 vite të tjera me kriza dhe skandale politike të llojit të njëjtë, në agoni, në mjerim social, pa shpresë për ardhmëri, drejt vdekjes “klinike” të shtetit, me qytetarë të heshtur që u ngjajnë të sëmurëve në gjendje “kome”…!
Vetëm lëvizja progresive e qytetarëve është shpëtim për vendin. Qytetarët aktivë në jetën shoqërore janë burim shprese dhe ardhmërie për vendin e tyre, ndërsa pasiviteti qytetar e shndërron shtetin në një moçal, ku as bretkosat nuk mbijetojnë.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të dëshmojë prezencën e saj në Kosovë

Edhe përkundër prezencës së fuqishme ndërkombëtare në Kosovë, të mekanizmave politikë (BE dhe SHBA), ushtarako-policorë (KFOR dhe EULEX) dhe shërbimeve të shumta të intelegjencës, Kosovës së sotme të mbushur përplotë prapaskena dhe padrejtësi, po i mungon vetëm prezenca e jashtëtokësorve (UFFO-ve) për të plotësuar mozaikun e një vendi krejtësisht jashtligjorë.

E thashë pikërisht kështu, për faktin se edhe përkundër gjithë mekanizmave ndërkombëtar të sundimit të ligjit, që afro 19 vite rresht në vend të drejtësisë sundon vetëm anarkia!

Ndodhë kështu pasi të fortët e politikës dhe nëntoka kriminale e bëjnë ligjin dhe “drejtësinë” në Kosovë.
Do t’u hyja në hak sikur të përmendja emrat e ndonjërit prej politikanëve, prokurorëve apo gjykatësve, pasi e gjithë skena politike dhe ajo e drejtësisë është bërë përafërsisht e njëjtë.

Pavarësisht cili subjekt politikë vjen në pushtet, asnjëri nga politikanët, prokurorët dhe gjykatësit  nuk i mbrojnë interesat e qytetarëve. Secili në mënyrën dhe stilin e vet mundohet të shkëputë diçka nga pasuria publike dhe tenderomania e bizneseve të pista për t’u pasuruar në mënyrë të jashtligjshme brenda një mandati politik ose më pak se kaq!

Përfundimisht ka ardhur koha, që edhe bashkësia ndërkombëtare e instaluar në Kosovë të dëshmojë vetën se është e përkushtuar për sundim të ligjit dhe për qasje të barabartë të qytetarëve para drejtësisë, për zhvillim ekonomik dhe mirëqënje të popullatës në përgjithësi, në të kundërtën, në një të ardhme të afërt në Kosovë më shumë do të kemi pushtetarë se sa qytetarë, ku ndoshta edhe UFFO-t do të zbresin për ta bërë Kosovën një vend 100 % jashtëligjorë!
Këtë shkrim dëshiroj ta përfundoj me një tënje të Gore Vidal:  “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” (Gore Vidal).

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP