Katër të vdekur në Gjermani nga uragani “Friederike”
Për shkak të ndërprerjes së qarkullimit hekurudhor në Gjermani, trenat dhe personeli nuk ndodhen sipas planit në vendet e parashikuara. Këtë e bëri të ditur një zëdhënëse e Hekurudhave Gjermane në një prononcim për radion kombëtare gjermane, Deutschlandfundk, njofton DW.
Pengesa të shumta ka pasur edhe në transportin rrugor. Disa autostrada janë bllokuar, për shkak të pemëve të rrëzuara. “Friederike” është furtuna më e fortë në Gjermani që prej uraganit “Kyrill” të vitit 2007. Furtuna më e fortë që prej njëmbëdhjetë vjetësh në Gjermani mori jetën e disa viktimave. Sipas të dhënave më të fundit, numri i të vdekurve ka arritur katër. Dy prej atyre që humbën jetën qenë punonjës të zjarrfikësve. Vetëm në landin e Rinit Verior-Vestfalisë u plagosën më shumë se 50 vetë.
Me shpejtësi rekord deri në 200 kilometra në orë, uragani “Friederike” goditi Gjermaninë Perëndimore dhe Gjermaninë Qendrore. Veçanërisht rëndë u prekën landet e Rinit Verior-Vestfalisë, Saksonisë së Poshtme dhe Tyringisë.