Pikëtakimet e munguara ndërmjet Antikës dhe Sllavistikës

Antika dhe Sllavistika janë dy koncepte që perfaqësojnë dy aspekte aq të kundërta si historike ashtu dhe linguistike, sa që është vështirë të gjesh pikëtakime dhe përputhje ndërmjet tyre. Antika është e lidhur me historinë e qytetërimit të Greqisë së lashtë disa qindra vite apo disa shekuj përpara erës sonë, ndërsa Sllavistika është e lidhur ngushtë me historinë dhe qytetërimin e popujve sllavë gjegjësisht fiseve të vjetra sllave që kanë depërtuar në Ballkan që nga shekulli i VII e këtej. Si që mund të shihet, këto kultura i ndan pothuajse një milenium i tërë dhe t’i bashkosh këta në një pikë takimi don të thotë të kapërcesh dhe të injorosh një histori të tërë mijëvjeçare.

Në këtë vakuum mijëvjeçar të dyndjeve dhe shpërnguljeve të popujve në gadishullin e vjetër ballkanik dhe kontinentin e vjetër europian nuk kanë mundur të mbijetojnë dhe janë shuar e zhdukur nga faqja e dheut shumë popuj, ndër të cilët dakët dhe thrakët në Ballkan, apo etrurët, si dhe shumë fise të vjetra kelte në Europë.

Sa i përket gadishullit ballkanik, ndër banorët e parë të këtij nënqielli njihen të parët pellazgët, gjegjësisht pasardhesit e tyre -fiset ilire, dhe të dytët fiset helene, për trashëgimtarë të të cilëve aspirojnë dhe pretendojnë të jenë shqiptarët dhe grekët e sotëm.

Sigurisht që pretendimet e politikës ditore janë pa baza shkencore dhe mbeten në sferën e spekulimeve joserioze dhe qesharake, për vetë faktin se ato askush nuk i merr seriozisht. Por, problemi bëhet i madh kur këto pretendime bëhen bazë e politikës shtetërore të një kombi, të pasigurt në vetvete, për sa i përket identitetit të vet kombëtar dhe historik.

T’i dalësh zot një historie të tërë të një krahinë që rastësisht koincidon me emrin e popullit tënd, do të ishte një fazë fillestare, për të filluar “betejën politike”  për trashëgiminë ekskluzive të historisë së famshme të Maqedonisë së lashtë antike, por nuk është vetëm kjo e mjaftueshme për ta fituar këtë betejë.

Për të vazhduar më tej në këtë luftë nevojitet edhe ‘beteja shkencore” gjegjësisht kontinuiteti historik në rrafshin e trashëgimisë kulturore, arkitekturale, antropologjike dhe semantiko-shkencore.

Pra, detyrimisht bëhet pyetja cila është trashëgimia kulturore e ndërlidhjes historike ndërmjet popullit të vjetër apo antik maqedonas, me popullin sot të transformuar rrënjësisht nga antik në atë sllav?! Ku janë gjurmët e toponimeve dhe vokabularit antiko-maqedonas, të mbetura në fondin gjuhësoro-semantik që do të dëshmonin kontinuitetin e zhvillimit historik dhe të tranformimit gjegjësisht “përzierjes antiko-sllave” për të cilën pretendohet me të madhe viteve të fundit?!.

Përmendoret dhe ndërtimet arkitektonike njëkohësisht antike dhe barokiane që u ngritën me shumë bujë këto vitet e fundit nuk mund në asnjë mënyrë ta kompensojnë dhe zëvendësojne mungësen e kësaj trashëgimie, sepse këto do të duhej të ishin ndërtuar shumë qindra vite më herët. Jo rastësisht në tërë botën fjala “monument” gjegjësisht “përmendore”  përdoret për vepra që ‘dëshmojnë’ të kaluarën kulturore dhe historike të një shteti apo kombi.

Eshtë e palogjikshme dhe ridikule ta dëshmosh të kaluarën me të tashmen, në mungesë të argumenteve historiko-shkencore. Këto përmendore që ngriten sot do të mund të dëshmojnë nesër, vetëm për një periudhë të rrjedhave politike të historisë bashkëkohore, për vetë faktin se po ndërtohen sot, dhe jo në dhe për të kaluarën e lavdishme të popullit të famshëm antik maqedonas, pasi që këto nuk kanë ekzistuar asokohe.

Pastaj, ku janë fjalët e vjetra burimore antike maqedonase të cilat gjuha e sotme sllave maqedonase do të duhej t’i kishte trashëguar, sado të pakta të ishin ato?!  Fjalori i lashtë i gjuhës së fisit antik maqedonas patjetër të kishte lënë ndonjë gjurmë në vokabularin e sotëm të gjuhës maqedonase, ashtu siç kanë lënë gjurmë anglo-saksonishtja e vjetër te gjuha e sotme angleze apo gjuha e galëve të vjetër në gjuhën e sotme frënge.

Prandaj, s’mund të mos bëhet pyetja, cilat janë fjalët e mbetura të trashëgimisë antike maqedonase, qoftë edhe të gjuhës së fqinjëve të dikurshëm të greqishtes së vjetër që do të dëshmonin kontaktet e tyre të pranëjetesës, kur e shohim se fondi i fjalorit të sotëm i gjuhës maqedonase është kryekëput me ngjyrim sllav, përjashtuar huazimet turke dhe bullgaro-serbe dhe prurjet moderne të internacionalizmave dhe teknicizmave.

Nëse reflektojmë në këtë mënyrë, nuk mund të konsiderohet rastësi fakti  që valuta shtetërore e Shqipërisë së sotme identifikohet me personalitetin e Lekës se Madh.

A nuk është ky një argument i fuqishëm i vetëdijes shekullore shqiptare për lidhshmërinë kontinuale me trashëgiminë maqedonase-antike. Aq më tepër kur, neve shqiptarëve nuk na mohohet trashëgimia ilire nga shkencëtarët më eminentë ta shkencës së etimologjisë gjuhësore, si dhe nuk kontestohet bashkëkohësia heleno-ilire, pra kur edhe Maqedonasit e Lashtë kanë ekzistuar dhe vepruar, në periudhën kur gjithë gadishulli i sotëm ka qenë i banuar me fise të ndryshme ilire, ndër të cilët edhe dardanët dhe epirët si fise fqinje të Maqedonisë antike.

Në ketë drejtim, ne shqiptaret nuk kemi pësuar ndonjë transformim gjuhësor të identitetit kombëtar ilir, qoftë në romak, sllav apo turk, që don të thotë se pikërisht Ne mund të pretendojmë në trashëgiminë ekskluzive të maqedonasve antikë si popull i vjetër ilir, as grek dhe as latin.

Kjo tezë është edhe nga te huajt shkencërisht e mbështetur, sipas të cilës ndër të tjerat, sygjerohet se maqedonasit e lashtë kanë folur në dialekt ilir të përzier me greqishten, sipas K. O. Müller (1825) dhe G. Bofante (1987).

Si rrjedhojë, vetëm ne shqiptarët, pjesërisht dhe grekët mund të konsiderojmë se kemi më së shumti të drejtë të jemi pretendentë për trashëgiminë e Maqedonisë së lashte antike, në mos më shumë, atëherë për arsyen e vetme se së paku kemi qenë fqinjë  të dikurshëm dhe kemi bashkëjetuar në atë kohë në territorin e sotëm të Gadishullit ballkanik!

Pra, bashkekzistenca e ilirëve dhe grekëve të vjetër epo helenëve nuk është e kontestueshme nga askush. Shikuar nga aspekti logjik, këmbëngulja persistente në trashëgiminë antike të një populli në mozaikun historik, rezulton me konkluzionin logjik se maqedonasit antikë duhet të kenë qenë ose fis i vjetër helen ose ilir.

Vazhduar në këtë drejtim, rezulton se maqedonasit e lashtë si fis i vjetër helen apo ilir, të cilët historikisht do të ishin përzier me fiset maqedonase sllave, si p.sh.bërsjakt, velegezitët, rinhinët, strumljaniët, sagudatët dhe draguvitët, të ardhur në fillim të shekullit VI, do të duhej të ishin, nëse jo gjuhësisht atëherë së paku gjenetikisht shumë të afërt me fiset tjera ilire, si dardanët, epirët, dakët, thrakët, pasardhesit e drejtpërdrejtë të të cilëve jemi kryesisht ne shqiptarët.

 

Pra, prejardhja jonë historike ilire nuk vërtetohet vetëm nga shkencëtarë shqipfolës, por nga shumica e historianëve dhe linguistëve botërorë, ndër të cilët i pari ishte historiani suedez Hans Erik Tunman (Thunmann, 1746-1778), në studimin e tij “Hulumtime për historinë e popujve të Europës Lindore (“Untersuchunger über die Geschichte der Östlichen europäischen Völker”, 1774), dhe pas tij ishte njëri ndër albanologët e parë, shkencëtari austriak dhe diplomati Johan Georg von Han (1811-1869) në veprën e tij kapitale (Albanesische Studien, 1854).

Ketë hipotezë e kanë perkrahur edhe shumë të tjerë, duke mos i perjashtuar as historianët sërbë dhe kroatë. Pastaj, albanologu austriak që njihet edhe si babai i Albanologjise, Norbert Jokl (1887-1942), ndër të tjerat thekson se: “sido që të jetë, mund të shohim se mbetjet e trashëgimisë gjuhësorë të gjuhëve të vjetra ballkanike ilire dhe thrakase, janë ngushtë të lidhura me gjuhën shqipe”. Pra për mbetje të tilla të maqedonasve të vjetër në gjuhën e sotme maqedonase, as që mund të bëhet fjalë (jashtë vendit, kuptohet)!.

Edhe në studimet shkencore për gjuhën e helenëve, ndër të cilët veçojmë, Vaclav Blazhekun, i cili në studimet e tij mbi “Gjuhët paleoballkanike-Studimet helenike”, thekson se: ‘një ndër gjuhët helene është edhe gjuha maqedonase, përveç frigishtes, peonishtes, mesapishtes, etj. por për fat të keq nuk ekzistojnë gjurmë të një gjuhë maqedonase leksike, por burimet e vetme të njohura për maqedonasit antikë janë: glosat e leksikografëve dhe onomastëve antikë.

Madje edhe Tit Livi, sipas këtij të fundit, ka thënë për maqedonasit, si dhe për dy fise tjera, si etolianët dhe akarnasit, se janë të një gjuhe të njëjtë helenishte. Këtë qëndrim e gjen edhe në literaturën relevante shkencore të Akademisë së Shkencave Kroate, por dhe atë sërbe dhe bullgare, të cilët e ndajnë mendimin se maqedonasit antikë kanë qenë fis helen, që kanë folur dhe shkruar në gjuhën e lashtë greke apo helene!

Aktualisht, sugjerimet filogjenetike te Maqedonise antike, perfshijnë:

  • Ajo është një gjuhë indoeuropane që është e afërt me greqishten dhe është e lidhur me thrakët dhe gjuhet frigjiane, e sugjeruar nga Meillet (1913) dhe I.I. Russi (1938), ose pjesë e lidhjes gjuhësore që përfshin thrakishten, ilirishten dhe greqishten (Kretchmer, 1896), E. Schëyzer (1959);
  • Eshtë një dialekt ilir i përzier me greqishten, sygjeruar nga K. O. Müller (1825) dhe G. Bofante (1987).
  • Eshtë një dialekt grek, pjesë e variantave veri-perëndimore (lokrian, etolian, ficidian,etc) i greqishtes dorike, sugjeruar ndër të tjerët nga N.G.L. Hamond (1989), Olivier Masson (1996), Micheal Mier-Brügger (2003), dhe Johannes Engels (2010)
  • Një dialekt verior grek, i lidhur me greqishten eolike dhe thesaliane, sygjeruar ndër të tjerët nga A.Fick (1874) dhe O. Hoffmann (1906)
  • Nje dialekt grek me ndikim të substratit jo-indoeuropain, sygjeruar nga M. Salelliarou (1983).
  • Një gjuhë simotër e greqishtes brenda gjuhës indoeuropane, maqedonase dhe greke, që formojnë dy nëndegë të grekomaqedonishtes, nëngrup brenda gjuhëve indoeuropiane (nganjëherë të quajtur helenike) sygjeruar nga Jozefi (2001), Georgiev (1966), dhe të tjerë.

Shikuar nga aspekti politik, çdo insistim i panevojshëm dhe i padobishëm në trashëgiminë kulturore të  maqedonasve së vjetër të periudhës së antikës, vetëm i krijon pengesa vendit, njësoj siç do t’i kishte krijuar pengesa politike edhe shtetit shqiptar në aspiratat e saj euro-atlantike, sikur të pretendonte politikisht dhe jo vetëm shkencërisht, në trashëgiminë kulturore mbi Maqedoninë antike, vetëm sepse monedha e zyrtare e shtetit shqiptar e mban emrin e Lekës se Madh, gjegjësisht të Aleksandrit te Madh.

Madje, në këtë plan Shqiperia do ta kishte shkencërisht më lehtë ta dëshmonte kontinuitetin historik dhe gjuhësor, sepse nuk e ka këtu hendikepin e zbrazëtisë dhe vakuumit mijëvjeçar, siç është rasti me popullatën Maqedonase, e cila gjatë rrugëtimit të saj historik doemos ta kishte transformuar identitetin gjuhësor nga një gjuhë të vjetër të dialektit ilir apo helen, më vonë edhe romak, pastaj në atë bizantin dhe përfundimisht, falë procesit historik të dyndjes së popujve sllavë, dhe detyrimisht do të ishte krijuar një konglomerat fjalësh kryesisht sllave, por me përqindje të caktuar të fjalëve me origjinë nga maqedonasit e vjetër.

Prandaj, nga njëra anë,

  • bazuar në faktin së letër-njohtimi apo karta e identitetit ë një kombi është gjuha të cilën e flet, dhe në mungesë të argumenteve të qëndrueshme shkencore mbi vazhdimësine gjenetiko-gjuhësore ndërmjet popullatës së sotme maqedonase sllave dhe popullatës së Maqedonisë së lashtë gjegjësisht antike, dhe
  • duke pasur parasysh se fjalori semantik dhe linguistik i gjuhës së sotme maqedonase është kryekeput sllav dhe bën pjesë në familjen e gjuhëve sllave, dhe ka mungesë të mbetjeve dhe prurjeve linguistiko-kulturore të maqedonishtës së vjetër në vokabularin e sotëm të maqedonishtes, ashtu siç ka fjalë të mbetura dhe të huazuara turke dhe serbe e bullgare,

dhe nga ana tjetër,

  • shikuar nga aspekti i pragmatizmit politik, për bashkëqytetarët tanë maqedonas do të ishte shumë më e levërdishme të mos pretendonin në ngjashmërinë etniko-kulturore ndërmjet maqedonasëve të vjetër dhe antikë, por të insistonin vetëm në vazhdimësinë kulturore të sllavishtës së vjetër, sepse në ketë mënyrë do të lehtësohej edhe zgjidhja e kontestit politik në lidhje me emrin e Maqedonisë së sotme, pasi që do të zhdukej edhe frika dhe argumenti kryesor politik i grekëve se maqedonasit në një të ardhme të afërt, në bazë të përvetësimit historik të maqedonasve antikë, do të parashtronin pretendimet e tyre teritoriale mbi gjithë territorin e quajtuar sot me emrin ‘Maqedoni’, përfshirë edhe krahinën e sotme me të njëjtin emër në Greqinë veriore.

Si rrjedhojë, çdo uzurpim dhe identifikim me popullin e moçëm helenisht folës, nuk gjen përkrahje dhe s’është objekt trajtimi as nga shkencëtarët jo-sllavë, dhe as nga shkencëtaret tjerë sllavishtfolës të fqinjësisë më të afërt, që besojnë në të vërtetën dhe në faktet shkencore, dhe nuk bien prè e spekullimeve të motivuara nga romantizmi nacionalist dhe nevojat e politikës ditore.

Edhe nga aspekti i Psikolinguistikës nuk mund të thuhet se maqedonasit e sotëm janë trashëgimtarët gjenetikë të maqedonasve antikë. Këtë e demanton çdo ditë, afrimiteti i tyre familjar me popujt tjerë sllavë, që është shumë i natyrshëm nga aspekti natyror dhe biologjik i afërsise së gjakut. Përndryshe, një afrimitet i tillë i bashkëqytetarëve tanë maqedonas si pasardhës të maqedonasëve antikë, do të çonte natyrshëm edhe në afrimitetin gjenetik me shqiptarët, si pasardhës të drejtpërdrejtë të fqinjëve të tyre ilirë.

Pra. mentaliteti psikologjik është poashtu kriterium plotësues shkencor për të dëshmuar identitetin dhe për identifikimin kulturor dhe perkatësinë nacionale individuale, gjë që sjell domosdoshmërisht në perfundimin se edhe këtu ekziston një hendek i madh kohor i pikëtakimit ndërmjet Antikës dhe Sllavistikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button