Bangladesh, sezoni i cikloneve kërcënon fëmijët nga Arakani

 Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) ka paralajmëruar se me ardhjen e sezonit të cikloneve mund të përkeqësohen kushtet shëndetësore dhe të sigurisë të më shumë se 520 mijë fëmijëve Rohingya të Arakanit që jetojnë në kampet në Bangladesh pas largimit nga sulmet në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një raport të publikuar nga UNICEF është potencuar deklarata e Edouard Beigbeder, përfaqësuesit të UNICEF për Bangladeshin i cili ka thënë se “Me ardhjen e sezonit të cikloneve ajo që tashmë është një situatë e tmerrshme njerëzore rrezikon të bëhet katastrofë. Qindra mijëra fëmijë jetojnë në kushte të tmerrshme ndërsa do të përballen me një rrezik edhe më të madh të sëmundjeve, përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe zhvendosjes së mëtejshme”.

“Uji i pasigurtë, kanalizimi i papërshtatshëm dhe kushtet e këqija të higjienës mund të çojnë në shpërthime të kolerës dhe në Hepatitin E. Gjithashtu edhe uji i grumbulluar e i palëvzishëm mund të tërheq mushkonja që bartin malarien. Mbrojtja e fëmijëve nga sëmundjet duhet të jetë një prioritet absolut”, tha Beigbeder.

Ndër të tjera në raportin e UNICEF-it theksohet se më shumë se 4.000 raste të dyshimta të difterisë janë raportuar në mesin e popullatës së refugjatëve, ku janë shënuar 32 raste të vdekjes nga të cilët 24 janë fëmijë.

UNICEF dhe partnerët kanë nisur një fushatë për vaksinimin e difterisë dhe po punojnë për t’u dhënë fëmijëve dhe familjeve ujë të pastër dhe qasje në shërbime shëndetësore por mbipopullimi dhe përkeqësimi në rritje i kushteve të motit mund të rrisin rrezikun nga shpërthimi i epidemive të mundshme.

Sipas raportit, përveç kërcënimit të rritur nga shpërthimi i sëmundjeve, sezoni i cikloneve sjell një rrezik në rritje nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, një rrezik të drejtpërdrejt për jetën e fëmijëve. Theksohet se ka mbetur një kohë e shkurtër për t’u përgatitur përpara sezonit të cikloneve i cili fillon në muajin mars.

Përveç kësaj, shirat mosun që fillojnë në qershor mund të sjellin gjithashtu rrëshqitje shkatërruese të dheut dhe përmbytje. Ekziston një rrezik serioz që strehimet, sistemet e ujit dhe infrastruktura të tjera mund të dëmtohen rëndë në stuhitë apo përmbytjet thuhet ndër të tjera në raport.

– Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Ushtria e Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur, më 25 gusht të vitit 2017, filloi një valë të madhe dhune ndaj muslimanëve të Arakanit. Sipas të dhënave të organizatës “Mjekët pa Kufi” (MSF), nga 25 gushti 2017 janë vrarë 6 mijë e 700 muslimanë. Ende shumë njerëz tentojnë të ikin nga Arakani, vend ky në të cilin u dogjën me qindra fshatra.

Qeveria e Mianmarit nuk lejon dërgimin e ndihmave humanitare për muslimanët të cilët nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve përpiqen të kalojnë në Bangladesh. Një numër i madh i qytetarëve të Arakanit kanë humbur jetën për shkak të urisë, sëmundjeve dhe vështirësive të tjera gjatë ikjes.

Mendohet se në vitet 1970, në Arakan kanë jetuar afro dy milionë muslimanë dhe si pasojë e spastrimit etnik nëpërmjet sulmeve sistematike, ky numër ka rënë në 350 mijë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button