SHBA ofron prokurorë federalë për të ndihmuar hetimet ndaj Saimir Tahirit

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje me prokurorë federalë për hetimet që po zhvillohen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Këto komente ambasadori Lu i bëri për portalin e lajmeve BalkanWeb në përfundim të një takimi që ai pati sot me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, transmeton Koha.net.

Ambasadori amerikan, u shpreh se “çështja e zotit Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor”, dhe se “është ofruar mbështetja e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjencive të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës”, deklaroi ambasadori Lu. Ai nënvizoi se do të donte të shihte “një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore” duke shtuar se ky është një mesazh që i është përcjellë palës shqiptare.

“Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”, tha ambasadori amerikan duke shtuar se “bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës”.

Ish ministri i Brendshëm është nën hetim pasi dyshohet sipas prokurorisë, se ka patur lidhje me një grup narkotrafikantësh shqiptarë, pjesë e një organizate italo-shqiptare që dërgonte marijuanë drejt Italisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL