DITA JONË

Xhabir Ahmeti

… pastaj vjen nata tjetër. E njëjtë si e djeshmja. Dritat e veturave  bëjnë figura të ndryshme duke depërtuar në pjesët e dritareve që s’i mbulon perdja. Sa rehatohen veturat në parkingjet e stërmbushura, duke e ngritur intensitetin e erës së naftës së djegur, ia jep ezani nga një xhami. Pas një kohe të shkurtër, vjen myezini tjetër me ezanin e tij, pastaj tjetri, tjetri… Nuk e kanë më me vete sahatin e hoxhës myezinët e tashëm.

Krijohet një kaos zërash.

Vërtetë, pse s’merren vesh myezinët t’i reduktojnë thirrjet e ezanit: një inçizim për disa xhami?

Pastaj një frenim i fortë makine!

Pastaj dikush shan jashtë me zë të lartë.

Pastaj kur nis qetësia e errësirës ta marrë pushtetin, ia jep një shpend nate: hu, hu, huuuu.

Dëgjohet një grua që mallkon…

Pastaj disa pijanecë gërvallen…

Sa treten zërat e pijanecëve në paanësinë e territ, nga kati i mësipërm i ndërtesës dikush e hedh qesen me mbeturina, e cila bie mbi strehën e lamarintë të dyqanit të ndërtesës  si një bombë.

Hej, oj bushtër, desh më vrave! A je në vete?! reagon një burrë.

Pastaj bie zilja herë në një banesë, herë në tjetrën.

Në korridor qëndron një përderës: “Ju lutem bëni merhamet për mua të shkretin…”.

Kohë darke. Darkë.

Pas darke ngadalë çdo gjë nis të qetësohet, përveç zogut të natës që hukat nga larg.

Koha është për serialet turke e induse.

Gratë i lënë enët e palara të darkës pranë kroit në kuzhinë dhe ulen para televizorëve të tyre. Duke shikuar bëjnë terjaqillëk me çaj e me komente: “Au sa e poshtër kjo”!… “I shkreti djalë”!…

Burrat dalin në çajtore, me qeset me mbeturina që i hedhin me atë rrugë. Këtë e quajnë detyrë shtëpie.

Përsëri asensori vajton dhe e prish rehatinë e grave që ndjekin serialin e tyre të preferuar.

Pas burrave dalin djemtë e vajzat në “jetë të natës”

Asensori e përsërit vajin. I ngre nervat e grave që shikojnë serialin.

Derisa të gjithë janë dhënë pas “detyrimeve” të veta,  lagjen e mbulon era e rëndë e ajrit të ndotur.

Në çajtore, krahas letrave, zhvillohet debat i fortë politik.

Të gjithë e kritikojnë partinë që është në pushtet. Ankohen për standardin që ka rënë. Për varfërinë që e ka marrë pushtetin në jetën e tyre.  Debatin e shoqërojnë cingërrimat e lugëve të çajit. Asgjë s’bëni kjo parti!

“Pse e votoni kaq vite, kur s’ju pëlqyeka? pyet kafexhiu nga banaku i çajtores së tij të vogël.

Një çaj agës! bërtet njëri, duke i hapur letrat i gëzuar.

Një kafe e kërkon tjetri.

Kamarieri  ngutet me tabakanë me kafe e me çaja dhe me mend shan diçka apo dikë. I lexohen në buzë fjalët e ndyta.

Unë nuk lypa kafe.

Unë e dua një çaj dredhëzash.

Njëri e nxjerr nga xhepi shishen e vogël me raki dhe e pi një gëllënjkë. “I dhemb dhëmbi”.

Dikur fiken dritat një nga një në banesat e ndërtesës së vjetër përballë çajtores.

Kamarieri e shikon orën. Feierrund! thotë. E ka mësuar këtë fjalë  në Gjermani ku ka punuar si kamerier disa muaj ilegalisht.

Pastaj burrat çohen e kthehen nëpër shtëpitë e veta me duar në xhepa.

Përsëri aktivizohet vaji i ashensorit.

Gratë e mallkojnë çajtoren. Dhe, ashensorin.

Edhe kjo natë rrëshqet ngadalë, duke i hapur shteg agimit.

Edhe njëherë vajton ashensori. Kthehen djem e vajza nga “jeta e natës”.

Grave u prishet gjumi. “Ah, rini, rini”! kanë simpati për të rinjtë dhe i qajnë vitet që u kanë ikur.

Pastaj, sërish ezani i mëngjesit. Si mbrëmë. Po tash zëri përhapet më lehtë se nuk ka filluar tollovia e komunikacionit.

Drita e parë e diellit futet për dritareje.

Burra e gra zgjohen dhe bëjnë plane si “ta arnojnë” ditën e re në mbretërinë e varfërisë dhe të partisë.

Të rinjtë flenë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

One thought on “DITA JONË

  1. cfare shperthimi me keto tekstet e fundit, Xhabir!
    ne pritje te myxheverit te rradhes, edhe njehere po ta perkujtoj ate takimin per botimin e kolumnave ne forme edicioni special! Salajdini, Fatmiri dhe ti per arsyet letrare, Pajaziti per qasjen shkencore qe e sjell afer lexuesit ne menyre shume te vecante, Roberti me gjuhen e numrave dhe logjiken par exellence, Merseli me tekstet plot vetedijesim politik dhe humor te holle. Eshte mekat keto vlera te mbeten vetem ne rrjet. Publicistika shqiptare ne Maqedoni dhe me gjere ka nevoje per botimin e tyre. Gjithsesi do ta bejme, me shprese permes ketij portali, por sidoqofte do ta realizojme, me kismet:-)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP