“Pakistani do t’i përgjigjej çdo sulmi me dron të SHBA-ve”

Pakistani ka deklaruar se do t’i përgjigjej në përputhje me rrethanat çdo sulmi me dron të SHBA-ve në vendin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ushtria e Pakistanit e ka bërë të qartë se çdo sulmi (të SHBA-ve) me dron do t’i përgjigjej në përputhje me rrethanat”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Muhammad Faisal gjatë një takimi me mediat në kryeqytetin Islamabad, duke iu përgjigjur pyetjeve.

Reagimi i pazakonshëm vjen pas deklaratave të fundit nga zyrtarët më të lartë të SHBA-ve, duke përfshirë presidentin Donald Trump, të cilët akuzuan Islamabadin se po “luan lojë të dyfishtë” dhe për strehimin e militantëve që luftojnë në Afganistanin e shkatërruar nga lufta.

Që nga vitit 2004, sulmet me dron kanë qenë një taktikë e shpeshtë nga forcat e SHBA-ve që synonin militantët e dyshuar të talebanëve dhe Al-Kaedës në rajonin fisnor veriperëndimor të Pakistanit, kryesisht në veri dhe jug të Waziristan-it, që kufizohet me Afganistanin.

Mirëpo, viteve të fundit ka pasur një rënie të ndjeshme në sulmet me dron në tokën pakistaneze, pasi ushtria pakistaneze në qershor të vitit 2014 nisi një sulm të shkallës së plotë në veri të Waziristan-it, një ish fortesë e talebanëve pakistanezë, duke detyruar militantët të iknin drejt Afganistanit.

Sipas mediave lokale, që nga viti 2004 në Pakistan më shumë se 3.450 persona janë vrarë në 417 sulmet me dron. Sipas grupeve të ekspertëve ndërkombëtarë dhe grupeve të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Byronë e Gazetarëve Investigativ, 70 për qind e viktimave të dronëve ishin civilë të paarmatosur.

Pavarësisht nga kundërshtimet publike të Pakistanit ndaj sulmeve me dron të SHBA-ve, thuhet se në heshtje është dhënë miratimi ndaj operacioneve kontroverse që janë në vazhdim. Pakistani poashtu ka zhvilluar dronët e saj për t’i përdorur në goditjet e militantëve në rripin fisnor veriperëndimor.

Marrëdhëniet tashmë të ftohta midis SHBA-ve dhe Pakistanit, aleatë në të ashtuquajturën luftë kundër terrorizmit, janë shtuar më shumë që kur presidenti Trump mori detyrën në janar të vitit të kaluar, kryesisht për shkak të përplasjeve të interesave në Afganistan.

– Vizita e ministrit të Jashtëm japonez

Në ndërkohë, vizita e ministrit japonez të Punëve të Jashtme, Taro Kono, ka vlerësuar sakrificat dhe kontributet e Pakistanit në luftën kundër-terrorizmit.

Kono, i cili është në një udhëtim dy-ditor në Islamabad zhvilloi takime të ndara me kryeministrin Shahid Khaqan Abbasi, ministrin e Jashtëm Khawaja Muhammad Asif dhe shefin e ushtrisë Javed Bajwa. Në këto takime janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy palëve si dhe mbi paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ministria pakistaneze e Punëve të Jashtme bëri të ditur se në takim, Asif ka informuar homologun e tij japonez për përpjekjet e Pakistanit kundër terrorizmit, që synojnë të gjithë terroristët, pavarësisht nga origjina apo orientimi i tyre.

Kono, nga ana e tij, ka vlerësuar sakrificat e bëra nga populli i Pakistanit në këtë drejtim dhe ka theksuar nevojën për një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ndërsa, në një intervistë të sotme për një media lokale angleze, Kono tha se, “Japonia lartë i ka vlerësuar përpjekjet serioze të Pakistanit në luftën kundër terrorizmit”.

“Japonia ka mbështetur fuqishëm përpjekjet e qeverisë së Pakistanit dhe të popullit të saj që qëndrojnë kundër terrorizmit”, tha Kono, duke shtuar se Japonia do të vazhdojë të punojë me Pakistanin me theks të veçantë në bashkëpunimin në fushën e kundër terrorizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button