PRISHËSI I ËNDRRËS

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

“Kur kishte filluar të binte fama e tij ai ishte më Promethe se kurrë…”. Kështu shkruan Ismail Kadare në trilogjinë “Prometheu” – një trilogji mbi heroin mitik, njeriun idealist, që vuan për shkak të mendimeve dhe bëmave të tij.

Sa herë e përmendim Prometheun na kujtohet i vetëflijuari për njerëzit, atëherë kur sundon njëmendësia.

Riaktualizimi dhe ripërmasimi i mitit mbi Prometheun, në vepër të re, bëhet domosdoshmëri në kushte totalitarizmi, sepse, kështu, njerëzve u jepet modeli i intelektualit rebel, që i kundërvihet aparatit të tmerrshëm totalitar, i kundërvihet sistemit shtetëror, që synon ndrydhjen e vullneteve.

Ardhja e Migjenit në botën kulturore shqiptare ngjante me ardhjen e një Prometheu.

Migjeni solli një zjarr tjetër poetik, ide të reja, në kohën kur vendin e kishte mbuluar mjegulla e iluzioneve.

Ardhja e Migjenit, sipas Kadaresë, nuk është e papritur, sepse ai ishte vazhdimësi letrare e “periudhës së bronztë” (me përfaqësuesit e saj Barletin, Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin), e “periudhës së argjendtë” (Rilindjes Kombëtare, kur u krijua miti për Shqipërinë si “zonjë e rëndë” dhe shqiptarët “si popull i zgjedhur”), si dhe i periudhës së mëvonshme letrare. Së bashku me Nolin dhe Lasgushin e krijuan, sipas Kadaresë, “periudhën e artë”. Si triptik ata e krijonin gjeniun. Një ndarje përafërsisht të ngjashme e kishte bërë edhe studiuesi kosovar Mensur Raifi.

Migjeni në letërsinë shqipe erdhi si civil edhe pse kishte studiuar në kolegje klerikale. Ai nuk vinte si engjëll, por si “djall me brirë”. Ai lëshonte blasfemi mbi “idhujt pa krena”. Ai e godiste idiolatrinë. Kjo goditje barazohej me herezinë.

Migjeni erdhi në kohën kur shqiptarët, “ndonëse nuk e kishin pasur për gjë të përlesheshin me fatalitetin, sepse një pjesë e kodit të tyre zakonor kishte vulën e tij” (Kadare), në kushtet civile, pas formimit të shtetit shqiptar, tjetërsoheshin sa nuk njiheshin më. Shqiptari, i përshkruar shumë herë si krenar, tani i përkulej një nëpunësi të thjeshtë shtetëror. Gruaja shqiptare, e quajtur edhe “burrneshë“, tani e shiste trupin për mbijetesë. Shqiptarët nuk ishin në gjendje ta tejkalonin kënaqësinë e ëndrrës së rilindësve; që t’i zëvendësonin normat morale me normat juridike; që ta dallonin iluzionin nga realiteti tjetër, kur lypsej krijimi i vetëdijes shoqërore – shtetërore.

Migjeni u bë prishës i ëndrrës. Ai, sipas Kadaresë, e dinte se popujt (edhe shqiptarët) u nënshtroheshin ligjeve të njëjta të zhvillimit, kurse ushqyerja me iluzione çonte drejt katastrofës që zhduk kombe. Prandaj Migjeni nuk himnizon, por rrënon. Ai nuk e ushqen veten me iluzionin për “zonjën e rëndë” dhe “kombin e zgjedhur”. Ai është kundër krenarisë së pakuptimtë, i bindur se një popull, në kushte specifike, i shtyrë nga nevoja, edhe tjetërsohet. Këto rregulla të pashkruara nuk e kursejnë askënd, as shqiptarët.

Kjo periudhë dhe Migjeni iu deshën Kadaresë për krahasim të kohës së tij me kohën dhe rrethanat kur jetoi autori i “Lulit të vocër”. Dy periudhat kohore kanë ngjashmëri, por edhe specifikat e veta. Kadare, kështu, e “fshehu” edhe idenë kryesore të librit të tij: luftën e individit me pushtetin.

“Migjeni e di se sa më i madh të jetë kulti i sunduesit në një vend, aq më e vogël është liria e vendit”, shkruan Kadare, i cili, në njëfarë mënyre, identifikohet me Migjenin.

Si mund të krijohet kulti për njeriun aty ku njerëzit njihen mes vete?

Kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet terrorit. Sipas Kadaresë përmes terrorit krijohet mjegulla për tiranin, e cila është e tmerrshme për shkrimtarët novatorë si Migjeni, veçmas kur janë të vetëm.

A synon Kadare të thotë se edhe ai ishte novatori i vetëm në kohën e diktaturës?

Sipas Kadaresë një shkrimtar i madh dhe i vetmuar është si druri që ia kanë vënë shenjën për t’u prerë. Shpëtimi nga hakmarrja e mundshme e pushtetit do të thotë që shkrimtari jo të mos shkruajë fare, por ta prish talentin për hir të mbijetesës, sepse në kohë totalitarizmi, në kohë fërkimesh të mëdha, dënimi me burg për një shkrimtar është privilegj, njëkohësisht tepër i rrezikshëm për diktaturën, që frikësohet nga rritja e famës së shkrimtarit.

Shkrimtari, që t’i shpëtojë vrasjes aksidentale prej ndonjë vrasësi ordiner apo që t’i shpëtojë ndonjë “aksidenti” në trafik, duhet të mediokritizohet. Jo ta flijojë artin e tij, por të shkruajë dobët, të tjetërsohet, të vetëvritet moralisht për t’i ikur likuidimit fizik.

Kadare nëpërmjet veprës “Ardhja e Migjenit në letrat shqipe” jep imazhin e një periudhe kohore, me heronj dhe antiheronj. Njëkohësisht jep imazhin e çdo diktature.

Ngjashëm si ardhja e Prometheut, për të sjellë zjarrin e dyshimit, që është domosdoshmëri për ta ndriçuar mendjen e njerëzve, ashtu edhe ardhja e Migjenit në letrat shqipe është e veçantë, veçmas në kohë ndrydhjesh të vullneteve.

Risjellja e Migjenit në kohëra të ndryshme përherë është e mundur. Së pari: Migjeni u përket të gjitha kohërave. Së dyti: një kohë përherë, për diçka, ngjan me një kohë tjetër…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP