Rreziku nga fishekzjarret, ekspertët: Burim aksidentesh dhe dëmtimesh

Fishekzjarret janë padyshim një mënyrë e bukur për të shënuar momente kulmore të ceremonive apo festave të ndryshme, siç është edhe ajo e Vitit të Ri. Megjithatë, përtej atmosferës së jashtëzakonshme që krijojnë, ato janë të rrezikshme për shëndetin, prandaj duhet të ndiqen disa procedura sigurie në mënyrë që mos të rrezikoni jetën tuaj dhe të fëmijëve, njofton Shendeti.al.

Ekspertët e ISHP-së bëjnë thirrje që të keni kujdes me përdorimin e fishekzjarrëve gjatë festave të fundvitit, pasi mund të bëhen burim aksidentesh dhe dëmtimesh si djegie, shurdhime etj. Sipas ekspertëve, fishekzjarrët çlirojnë substanca toksike në ambient, përhapin zhurma, shkaktojnë trauma në fëmijë e të moshuar, deri edhe rrezik për jetën.

“Materialet piroteknike (fishekzjarret), në rast se nuk përdoren në kohën dhe vendin e duhur, përbëjnë rrezik serioz për shëndetin. Nga eksperienca e viteve të kaluara, ju bëjmë apel për kujdes në tregtimin dhe përdorimin e fishekzjarrëve, veçanërisht në ditët e festave të fundvitit”, bëjnë thirrje ekspertët.

Qendra e Traumës, vitin që kaloi raportoi disa raste me djegie të gradëve të ndryshme, dëmtime në dëgjim dhe shikim, si pasojë e shpërthimeve të pakontrolluara të fishekzjarrëve.

Disa nga këshillat që japin ekspertët për përdorimin e fishekzjarrëve natën e Vitit të Ri.

Kujdes! Fishekzjarrët, një lojë e rrezikshme.

  • Mani fëmijët larg tyre, ruani veten dhe të tjerët.
  • Asnjëherë mos përdorni fishekzjarrë në ambiente të mbyllura (shtëpi, lokale, bare, zyra dhe klasa shkolle).
  • Asnjëherë mos ndizni fishekzjarrë brenda sendeve të forta e të mbyllura, si gota e shishe qelqi, kuti metalike etj.
  • Udhëzoni fëmijët të mos përdorin fishekzjarrët si lojë, pasi mund të dëmtohen rëndë.
  • Mos lejoni fëmijët të luajnë me fishekzjarrë apo t’i ndezin ato pa praninë tuaj.
  • Asnjëherë mos mbani fishekzjarrë në xhepa.
  • Asnjëherë mos i vendosni ato në pjesë të trupit kur i ndizni, por mbajini në një distancë të sigurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button