Esad Pasha dhe Serbia

Janë ca figura dhe ngjarje historike që xigëlojnë kurreshtjen e brezave. Figurë e tillë është pa dyshim edhe Esad Pashë Toptani, bëmat e të cilit nuk duhet njohur as për të problematizuar të sotmen as për të identifikuar gjithë familjen Toptani më një anëtar të saj, por për të shmangur përsëritjen e gabimeve, ligësive, tradhëtive… të kushtueshme për periudha të gjata kohore… Kjo është arsyeja e parë dhe e vetme që më shtyri të sjell para lexuesve të Portalb-it ca të dhëna të përkthyera nga mediet e dikurshme serbe për mikun e tyre shqiptar që prehet në varrezat ushtarake serbe të Parisit.

Është fjala për artikullin e Nush Shkrelit “Esad Pasha dhe Serbia”, të botuar në gazetën PRAVDA, më 10-11 shtator të vitit 1933, shkas i të cilit u bë biografia e mbretit Zog, shkruar nga Tin Dili, në gazetën VATRA të Tiranës, ku, ndërmjet tjerash, përmendej Esad Pashë Toptani si agjent serb, që kishte punuar tërë kohën në dëm të Shqipërisë.

Sipas Nush Shkrelit, për Serbinë këto ishin shpifje monstruoze kundër personalitetit të madh dhe burrështetasit të shquar…, i cili e udhëhoqi Shqipërinë në përiudhën më të vështirë historike, duke u kujdesur vazhdimisht për thellimin e miqësisë shqiptaro-serbe. Nushi habitet si qe e mundur të shpifet për mikun e madh serb Esad Toptanin, kur ai më nuk ishte gjallë? Si qe e mundur që Shqipëria toleroi shpifjet kundër Serbisë fqinje, kur pjesa më e madhe e pushtetarëve të asokohshëm shqiptarë kishin gjetur disa herë strehim pikërisht në territorin e saj? Në veçanti, si qe e mundur që të lejohej fyerja e nënës së mbretit Zog – mbesës së Esad Toptanit dhe fyerja e Xhelal Beut, vëllait të mbretit Zog, që, në pushtetin e Esadit ishte ministër?

Nush Shkreli, i cili i shihte gjërat nga këndi i një opinionisti serb, përshkruan përçarjet ndërshqiptare dhe rolin që luajti në këtë mes Esad Toptani, për të konstatuar se shqiptarët nuk janë aventuristë dhe nuk duan asgjë më shumë se të mbrojnë Shqipërinë në kufijtë e saj të përcaktuar në Konferencën e ambasadorëve në Londër.

Sipas tij, qe Esad Toptani ai që shpëtoi Shqipërinë nga shpërbërja e plotë, pas dështimit të Princ Vidit, përkatësisht, pas ngritjes së flamurit turk në Durrës nga dum-babistët, me ç’rast miku i madh i serbëve, mori gjithë pushtetin në duar dhe i qetësoi rebelët fanatikë, me frikën se mund ta rrezikojnë ekzistencën e Shqipërisë londineze.

Nga fundi, artikulli i Nush Shkrelit kthehet në një polemikë me Tin Dilin, të cilin e konsideron armik të Esad Toptanit dhe njeri që nuk e pranon rolin e tij pozitiv në ruajtjen e Shqipërisë nga katastrofa e zhbërjes. Po e sjellim këtu pjesën ku Nushi bëhet avokat mbrojtës i Esadit: Esad Pasha flijoi veten dhe ardhmërinë e tij për intereset e Shqipërisë. E dhëna se gazetari i posapërmendur (fjalën e ka për T. Dilin – F. S.) është kundër Esad Pashës, për shkak se ai e lehtësoi tërhjekjen e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, duke mos e lejuar Austro-Hungarinë dhe forcat e qendrës që ta organizojnë popullin shqiptar, dëshmon se ai nuk është historian. Esadi e kishte obligim ta ndihmojë ushtrinë serbe dhe aleatët me të gjitha forcat. Gazetari Tin Dili duhet ta dijë se mikpritja është zakon i shenjtë i popullit shqiptar, madje edhe kur janë në pyetje armiqtë e tij. Gjithë bota e njeh besën tonë, po, mjerisht, disa masha të Austro-Hungarisë, të shoqëruar me disa oficerë të monarkisë, të fshehur sot në malet tona, na e turpëruan besën…

Dhe sikur kaq nuk i mjaftoi për të shpërfaqur profilin e tij të plotë, Nush Shkreli nxitoi t’ia vë kapakun kryeveprës: Për sa i takon Serbisë dhe Jugosllavisë së sotme, z. Dili duhet ta dijë se ajo e ka dashur dhe e do pavarësinë tonë të plotë dhe qetësinë e brendshme. Z. Dili dhe të tjerët e dinë se, pas kryengritjeve të viteve 1920 – 1921 – 1923 – 1924, Jugosllavia ndërhyri për pajtimin e Malësorëve, Mirditorëve dhe Dibranëve me regjimet e vendit, kurse, në fund të vitit 1924, pajtoi Hamid beun e Toptanajve me mbretin e tanishëm shqiptar…

Interesante, apo? Ndoshta dhe zbavitëse për ata që nuk e njohin historinë e danajve të Laokoontit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button