Shkëndija kontrolluese të forta në Antali
Futbollistët e Shkëndijës tanimë disa ditë janë në pushim të merituar, ndërsa kryesia në intenzitet të plotë është aktive në drejtim të kompletimit të planprogramit për vitin 2018.
Tani më është e njohur se skuadra do të nisë përgatitjet më 3 janar 2018, ndërsa prej 9 deri më 16 janar ekipi do të zhvillojë fazën e parë përgatitore në Ohër.
Faza e dytë dhe kryesore do të vijojë prej 20 janar në Antalia të Turqisë. Në tokën turke janë planifikuar 4 ndeshje kontrolluese dhe tani më kuqezinjtë kanë mësuar emrat e ekipeve rivale. Testi i parë do të zhvillohet më 22 janar përballë ekipit zviceran, Zurich, ndërsa më 26 janar pason kontrolluesja me Olimpik Doneck nga Ukraina.
Testi i tretë është caktuar më 30 janar përballë Dinamo Zagrebi të Kroacisë, ndërsa kontrollueset në tokën turke mbyllen më 3 shkurt përballë Qabalas së Azerbajxhanit. /Portalb.mk/