MALLKIME PA FUND

Për shkak të një mallkimi mbi ishullin Lokrum në afërsi të Dubrovnikut, në tre shekujt e fundit të gjithë ata që e blenë këtë ishull vdiqën në mënyrë tragjike. Ngjarja daton që nga viti 1023, kur në ditën e “Shën Benediktit” u dogjën pothuajse të gjitha shtëpitë në Dubrovnik. Me shpresë që Perëndia të mëshirohej për të ardhmen, Dubrovnikasit  bashkë me Benediktasit në Lokrum e ndërtuan manastirin “Shën Maria”, si dhe shumë objekte tjera të cilat shekuj me radhë shërbyen për njerëz të varfër, pleq e të sëmurë. Kjo zgjati plot shtatë shekuj, derisa Dubrovniku ra në një gjendje të vështirë financiare. Atëherë pushtetarët e tij – Guçetiq, Sorkoçeviq dhe Puciq vendosën që ta shesin ishullin për 60.000 dukatë. Blersi vuri kusht që nga ishulli të dëbohen Benediktasit dhe t’u merrej e gjithë pasuria. Kështu edhe ndodhi. Ata, duke e braktisur ishullin në lutje, njëherit edhe mallkuan: “Qoftë i mallkuar kushdo që e shet e blen Lokrumin për kënaqësi private”. Pas një kohe Sorkoçeviqi u pat hedhur nga pallati i tij, Guçetiqi u përmbyt në afërsi të ishullit, ndërkaq Puciqi u pat var  në dhomën e tij.

Pas një kohe pronari i ardhshëm i ishullit u bë kapiteni Tonasheviq. Por, për më pak se gjashtë muaj ai u zhduk me gjithë familjen e tij. Pastaj ishulli u  ble nga një njeri i pasur nga Budapesti i cili shpejti u mbyt me varkën e tij. Pas tij, ishulli i mallkuar u ble nga Maksimiliani (vëllai i Franjo Josip I). Por, menjëherë pas kësaj, atë e kishin vra persona të panjohur. Më pas gruaja e tij Sharlotë u pat kthyer në ishull, por pas disa muajsh edhe ajo kreu vetëvrasje. Viktima e radhës si blerës ishte Mbreti Oto Fridrih Vilhelm (Ludvig II), i cili po të njëjtin vit humbi pushtetin e tij dhe u gjet i vdekur në afërsi të bregut. Në 1919 ishulli u ble nga Jugosllavia e atëhershme dhe prej atëherë kurrë nuk u shit më. Sot ishulli me natyrën dhe pamjen e tij të bukur, u shërben vizitorëve, turistëve dhe adhuruesve të natyrës.

Nuk e kamë ndërmend të ngacmoj mallkimin nga KSHZ dhe institucioneve të ngjashme, ku shumë lehtë arrihet konsensusi i përgjithshëm nacional që viti të ketë 16 muaj. Jo për më kot thonë, se kur janë në pyetje paratë edhe djalli i citon librat e Zotit. A shumë vet thonë se paratë i kanë fituar me dhjetë gishtërinjtë e tyre. Por, ne kemi mallkime edhe akoma më atraktive. Për shembull, Gjole Ivanov pat mallkuar deri në brezin e shtatë! Gruevski kishte mallkuar ambasadorët e huaj; Do funksionar të BDI-së kishin mallkuar Zaevin, që ua prishi bizneset; Edhe nga Aleanca kishin hedhur mallkim ndaj tij që ua kishin hutuar do votues; Shumë persona zyrtarë hodhën mallkim mbi qeverinë që shkoj për shkak të reketit; Njerëzit e sëmurë mallkuan furnizuesit me barna të falsifikuara; Pacientët e pakënaqur hodhën mallkim ndaj ministrisë së shëndetësisë: “Dashtë Zoti që t’u ikin mjekët përtej shtatë detërave, e mos të keni mjekë as për ilaç”. Dhe me të vërtetë u zhdukën! Poashtu mbi 20 mijë qytetarë hodhën mallkim mbi Mijallkovin dhe Gruevskin për shkak të veshit të madh – “Veshët ju bëfshin si të miut”. Dhe mos t’i numëroj gjitha mallkimet nga arsenali ynë tejet i pasur.

Disa religjione thonë se mallkimi është një energji negative psikologjike e formuar nga emocione të forta negative të njeriut që vuan, e cila udhëton drejt qiellit dhe kthehet te ai të cilit i është drejtuar! Vetë pushteti i mëparshëm është provë për këtë! Pasi që me vite të tëra ndoqi politikën e dhunimit dhe vrasjes së ndërgjegjes së shëndoshë. Madje edhe bukën e shndërroj prej nevoje në luksizëm.

Por, akoma s’kemi lansuar mallkim për kthim të parave të vjedhura, jo nga dikush tjetër por nga patriot të mëdhenj të parave të vjedhura! Ajo me KSHZ-në është vetëm një pikë uji në det. Kurse ne ua vurëm zjarrin. Piskasim ndaj të keqes së vogël, kurse i qeshemi të keqes së madhe! Heshtëm 12 vjet ndaj të keqes, kurse tani po bërtasim që për këto 4 muaj efektiv nuk e kemi kompensuar të humburën!

Por, fakt se koha ecë ngadalë për ata që presin, por shumë për ata që duhet të bëjnë. Qeveria bëri një depërtim meteorik jashtë, dhe tani nga një shtet margjinal që shkonte drejt shkatërrimit, arriti ta shndërrojë në lojtar serioz rajonal. Zaevi guximshëm u hidhet temave përvëluese, nga të cilat të tjerët iknin sikur nga djalli. Madje edhe i keqpërdorin të njëjtat. Dorën në zemër, kjo përmban një dozë të madhe rreziku për statusin personal, por dëshira për ta arritur qëllimin është më e fuqishme. Këtë njerëzit dinë ta çmojnë edhe atëherë kur nuk pajtohen. Besoj se së shpejti  Maqedonia do ta braktisë rrugën me therra dhe do të niset drejt rrugës së hapur. Do të jemi dëshmitarë të zhvillimit ekonomik dinamik pas ftesës për në NATO dhe fillimit të negociatave për në UE. Për shembull, pas anëtarësimit në NATO, Bullgaria i rriti investimet e huaja pothuajse për katër herë më shumë (nga 3.36% në 12.06%), Shqipëria afro tri herë (nga 3.72% në 9.12%), Mali i Zi mbi tri herë, etj.

Por, fakt është se në planin e brendshëm ka lëshime të cilat duhet të korrigjohen sa më shpejtë, veçanërisht në politikën kadrovike. Disa udhëheqës shumë dobët gjinden në punën e tyre, do tjerë fluturojnë në qiell, do të tretë bojkotojnë. Shërbimet shtetërore janë të stërmbushura me analfabetë, andaj është e domosdoshme që të krijohet një filtër i paanshëm pastrimi. Duhet mbështetur maksimalisht ata që dëshirojnë të investojnë në vend. Ajo është punë e atyre që kanë legjitimitet politik e jo të deleguar. Në fund të fundit, ky do të jetë provimi kryesore për qeverinë e re. Nuk mban konstatimi se kemi situata të komplikuar, andaj duhet të presim. Politika nuk do të thotë lojë vetëm kur keni letra të mira, por lojë e mirë edhe atëherë kur keni letra të këqija.

Përveç kësaj pengesë shtesë bën edhe “familja” e cila, megjithëse është deri në fyt në krim, fajëson “hakmarrje nga hunta”. Keni kapur grabitës me strajcë plot me para në bankë, ndërkaq ai thotë se është viktimë e huntës! Por, ajo kërkon “pajtim”, e kjo do të thotë që ne do duhet t’ua falim paratë tona të vjedhura. Njerëzve nuk u intereson nëse dikush do të shkojë në burg dhe sa do të qëndrojë, por ata nuk janë të gatshëm që t’ua falin paratë e tyre. Pajtim pa kthim të parave do të pasonte me mallkime të mbi dy milionë njerëzve. Kurse me atë nuk do të mund të ballafaqohet asnjë “analizë e thellë”.

Gruevski shfaq shqetësim të madh për të burgosurit, jo pse ata qajnë, por nga frika të mos “këndojnë” diçka në burg. Këtë të gjithë e dinë, prandaj edhe protestat e tij janë të vizituara më pak dhe se protesta të një shoqate peshkatarësh. Ivanovi thotë se që të tejkalohet kriza politike, së pari duhet duhet të tejkalohet ajo morale! Pikërisht për shkak të etikës dhe moralit të tillë, ai inkurajonte fuqishëm mercenarët e grusht shtetit me emër atraktiv – “Për një Maqedoni të përbashkët”, që të rrahin ose të vrasin sa më moralisht. Tani morali i rrjedh nga këmbët, pasi vet me shumë moral e shkeli kushtetutën. Një pjesë e atyre që tani “realizojnë” me pantofla në Shutkë, e kanë kuptuar se më mirë është që tu vret e vërteta sesa tu ledhatojë gënjeshtra. Kurse ata “intelektualë” që thonë se artistët duhet të kenë imunitet të përjetshëm, me vetëdije nuk duan të shohin mercenarizmin në do prej tyre. Një pjesë prej tyre i kanë dhënë shpirtrat në shitje. Sa më i imët shpirti, aq më i lartë çmimi. Dhe tani shohin se eksplozivi plastik qenka shtrenjtuar shumë. Tani vet analizojnë se a humbën mendjen nga pushteti apo pushtetin nga mendja.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Mersel, në mungesë të numrit tënd në tlf tim të ri, sërisht me susta, por vetëm i ri se të vjetrin, nuk e di nëse duhet ta them, por ja po e them ( një ditë ndoshta e kthej në tregim) ia dhurova një gruaje rome që takova rrugës për në punë, po të shkruaj admirimin për këtë tekst. NJë nga tekstet më të mira politike që kam lexuar, dhe ja ta them këtu që nuk ke tekst mesatar ti, të gjitha janë citatni, do të thoshin kroatët. Paraqitu, jam në numrin e vjetër, ta flasim këtë ëndrrën time kombëtare, migrimin tonë në mëmëdhe, duke mos lëvizur vendit. Gurbet bashkëkohor haha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button