Zero tolerancë ndaj keqpërdorimeve

Përfitimi më i madh i të gjitha ndryshimeve të iniciuara me protestat qytetare progresive të viteve të kaluara është jo-toleranca ndaj keqpërdorimeve dhe ndaj gjithçka që llogaritet jo e rregullt në shoqëri. Qytetarët, pas një heshtjeje të gjatë, u mësuan ta ngritin zërin për të gjitha gjërat që nuk i arsyetojnë. U mësuan të reagojnë ndaj çdo shenje të keqpërdorimit të pushtetit. U mësuan të mos rijnë heshtur kur paratë e tyre gjejnë rrugën deri te xhepi i funksionarëve përmes honorarëve të larta ose harxhimeve të rrugës. U mësuan të mos heshtin më por të ngritin zërin, dhe kjo është shenjë që mund të bëhemi një shoqëri e shëndoshë me tolerancë të ulët ndaj keqpërdorimeve dhe korrupsionit.

Një rast i tillë ishin reagimet e ashpra të qytetarëve ndaj faktit që anëtarët e KSHZ kishin ndarë bonuse të majme për vetveten. Këto bonuse i kishin ndarë në konsensus të plotë, anëtarët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në këtë institucion. Deri tani ishim mësuar ta shikojmë vetëm Silvana Bonevën si bartëse kryesore të shumave marramendëse të harxhimeve të rrugës, por e pamë që edhe anëtarët tjerë nuk kishin refuzuar të marrin shuma të majme të disa rogave për punën e tyre “të palodhshme” gjatë periudhës së shkuar. Ishin zënë për shumë gjëra ndërmjet vete këta anëtarët e KSHZ, por vetëm për bonuset nuk ishin zënë, madje të njëjtat i kishin aprovuar pas dyerve të mbyllura, dhe fshehtazi nga opinion publik.

Dy janë pyetjet kryesore lidhur me këtë rast: 1) Përse duhej që një ambasador i huaj të zbulojë këtë rast dhe të hapë debat (gjë që rezultoi si shumë pozitive dhe e mirëseardhur) ndërsa ne kemi gazetari hulumtuese dhe shumë njerëz që ngritin zërin kritik ndaj parregullsive ndërsa këtu vendosën të mbesin të heshtur? dhe 2) A ka ndonjë institucion shtetëror që u aktivizua lidhur me këtë rast dhe bëri detyrën e vetë të shqyrtimit? Për shembull, me duket se kemi një farë Komisioni Shtetëror për Pengimin e Korrupsionit i cili duhet të shqyrtojë këto raste dhe ka kompetenca të përcaktuara me ligj ta bëjë pikërisht këtë, madje edhe më herët se sa të detyrohet një ambasador i huaj të shpallë një informatat të tillë. Hajde ja nuk kanë reaguar në kohë, po tani? Ende në gjumë do të rijnë?

Sidoqoftë, ajo që dua të theksoj është presioni publik që u bë ndaj anëtarëve të KSHZ dhe që rezultoi me dorëheqjet e tyre të njëpasnjëshme. Nuk e di a ndodhi edhe dorëheqja e fundit që pritej nga anëtarja e partisë BESA, e cila mbeti e fundit të dorëhiqet, edhe pse kjo parti di të jetë shumë e zëshme në luftën deklarative kundër korrupsionit.

Pra duhet pasur respekt për faktin që qytetarët u unifikuan për një qëllim dhe detyruan disa funksionarë të dorëhiqen. Një gjë e tillë para disa muajsh ishte tërësisht e pamundur. Të mos harrojmë që deputetet që hapën dyert e Kuvendit asnjëherë nuk ndjenë përgjegjësi morale për veprimin e tyre dhe vazhduan të shkojnë në punë krahas kolegëve të tyre që për pak e humbën jetën për shkak të veprimeve të këtyre deputetëve që tani janë në paraburgim. Të mos harrojmë që anëtarët e Këshillit Gjyqësor edhe tani, pasi i thyejnë rregullat ligjor

e për përparimin e gjyqtarëve në karrierë ende nuk e shohin të arsyeshme të japin dorëheqje, të paktën për gjithçka që kanë bërë deri tani dhe për atë që kanë qenë shkaktarë kryesorë që drejtësia jonë të quhet e kapur dhe e robëruar në raportet relevante ndërkombëtare.

Problemi i vetëm nga ky realitet është që në fakt, institucionet që kanë treguar papërgjegjshmëri nuk e bëjnë vet hapin e duhur por detyrohen nga qytetarët të bëjnë një gjë të tillë. Nuk e di si do të ndërtojmë institucione të forta dhe të pavarura shtetërore kur në fakt gjithmonë pritet nga qytetarët të reagojnë ndaj gabimeve të tyre, ndërsa ata vetë nuk krijojnë një mekanizëm të mirëfilltë të përgjegjësisë, kontrollit dhe balancit.

Por ajo që mund të konstatohet është liria e reagimit qytetar dhe fakti që ky reagim qytetar tani më merret seriozisht nga institucionet, në vend se të injorohet dhe të mos merret parasysh fare dhe të trajtohet si reagim armiqësor, ashtu si që bëhej deri në vitin e kaluar.

Gjërat megjithatë kanë filluar dukshëm të ndryshojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. mire shkruan ti po shqiptaret nuk u besojne perallave tua…te filloje drejtesia te funksionoj nga motra yte ne komunen e Tetoves…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button