Ç’punë kanë liderët e partive tona politike në universitetet publike?

Autonomia e universiteteve tona shqiptare është si duket vetëm një fjalë e shkruar në ligj dhe kushtetutë dhe kjo nuk përputhet fare me zbatimin e saj në realitet. Pikërisht kjo është arsyeja përse më ka penguar dhe më pengon akoma prezenca e liderëve të partive si mysafirë në raste solemnitetesh, edhe pse mund edhe të kenë qenë ftuar zyrtarisht nga nikoqirët. Në çfarë cilësie dhe roli kanë ardhur ata dhe çfarë përfaqësojnë me prezencën e tyre, kur dihet botërisht se ndërhyrja e tyre në punët e institucioneve të larta arsimore bie ndesh me parimet e përgjithshme të drejtësisë dhe të drejtën e garantuar me kushtetutë të autonomisë së universiteteve si institucione të larta publike arsimore.

Nëse për punëtorët e arsimit është e ndaluar me ligj të bëjnë politikë në vendin e punës gjegjësisht të praktikojnë bindjet e tyre politike në vendin e punës, me qëllim të evitimit të ndërhyrjes dhe ndikimit të tyre në drejtim të indoktrinimit të të rinjve me ideologji dhe filozofi të partisë së caktuar politike, pse kjo të mos jetë e ndaluar edhe për përfaqësuesit e lartë të partive tona politike, të cilët mezi presin ‘ftesën’ të marrin pjesë në punët që janë ekskluzivisht në kompetenca të institucionit përkatës.

Cili është mesazhi që ata përcjellin me prezencën e tyre? Nëse ata japin mesazh që e përkrahin punën e institucionit të lartë arsimor, ata këtë lirisht mund ta bëjnë nëpërmjet të përfaqësuesve të tyre në institucionet shtetërore, gjegjësisht të dikasterit përkatës të  qeverisë, kompetent për arsimin, të cilët po ashtu me kushtetutë dhe ligj janë të detyruar të jenë të paanshëm dhe të bëjnë vetëm punët e tyre, që janë: sigurimi i financave buxhetore për sigurimin e kushteve të volitshme për punë, siç janë hapësirat për pune (klasa dhe kabinete) si psh. konvikte për studentët, biblioteka të pajisura me literaturë te bollshme profesionale, dhe furnizimi i tyre me mjete adekuate për fushat përkatëse, kabinete të pajisura me pajisje moderne dhe laboratorike, angazhimin e kuadrove kompetente profesionale me status të rregullt dhe me kohë të pacaktuar, (dhe jo ta lënë atë në ngarkesë te mjeteve vetanake institucionale!), dhe e vetmja ndërhyrje e tyre më ingerencë ligjorë është vetëm të kontrollojnë ligjshmërinë e veprimtarisë së institucioneve nëpërmjet të sektorit përkatës gjegjësisht inspektoratit shtetëror për arsim të lartë.

Sikur të kishte qenë pretekst së paku njëri prej obligimeve të lartpërmendura, atëherë deri diku kjo do të ishte një arsye për të ‘festuar së bashku’, por vetëm me prezencën e kuadrove të deleguara partiake në ministrinë e arsimit, kulturës, apo të ngjashme. Përndryshe prezenca e tyre në solemnitete të caktuara që nuk kanë asnjë lidhje direkte me punët e organeve partiake, jo vetëm që është e tepërt dhe joetike por edhe mund pa dashje të keqkuptohet nga personeli i institucionit por edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtare, si shenjë e ndërhyrjes direkte të partive në punet e përditshme të universitetit, e motivuar fshehurazi për dërgimin e mesazhit deri te të punësuarit e institucionit, që të kenë kujdes më kritikat gjatë prononcimit të tyre për zhvillimet aktuale politike, sepse …

Si nuk më panë sytë ndonjë rast të ngjashëm në rajon dhe më gjerë por edhe te bashkëqytetarët tanë maqedonas, ku kryetarët e partive më të mëdha në vend shkojnë mysafirë në institucionet e larta edhe atë me pretekste edhe më të mëdha, siç është inaugurimi i ndonjë godine të re apo investimi më të madh buxhetor për zgjerimin e hapësirave dhe kapaciteteve të punës së universitetit.

Një eveniment i tillë në demokracitë perëndimore, vetëm paraqitja e tyre edhe për punë private do të kuptohej si skandal i llojit të vet, si presion dhe ndërhyrje direkte në autonominë e universitetit ku supozohet të jenë mendjet e të ndritura, historikisht të quajtura “truri i kombit”, dhe të cilët sikur të ishin vërtet të tillë, do të ‘tmerroheshin’ nga prezenca e tyre e panevojshme në hapësirat e institucionit, dhe jo t’i mirëprisnin ata me ‘lule-lale” sikur të ishin së bashku në ndonjë ‘miting partiak’ të rradhës.

Nostalgjia e tyre eventuale e bashkëpunimit të mëparshëm nëpër organet partiake apo në institucionet qeveritare apo kuvend, duhej të kishte marrë fund me marrjen e përgjegjësisë për të udhëhequr me institucione të larta arsimore, autonomia dhe paanshmëria e të cilëve është e garantuar me aktin më të lartë juridik në vend. Kontaket dhe raportet e mëhershme dhe të reja me përfaqësues të lartë partiakë mund të shfrytëzohen vetëm në dobi të ngritjes dhe rritjes së kapaciteve të punës, në drejtim të sigurimit të mjeteve të domosdoshme për financimin e punëve të peëditshme mësimore-shkencore të insitucionit, dhe assesi për ahengje të përditshme partiake.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button