Barriera antikushtetuese e gjyqësorit

 Numër i zvogëluar i gjyqtarëve për 5% deri në përfundim të vitit 2022. Kjo është paraparë të jetë një nga indikatorët e suksesit sipas “Planit të veprimit për zbatimin e strategjisë së reformës në sektorin e gjyqësorit 2017 – 2022”, që u miratua nga Qeveria e Maqedonisë gjatë muajit të kaluar.

Përndryshe, sipas Strategjisë për reformën e sektorit gjyqësor për periudhën 2017-2022” ndër të tjerat, sa për sy e faqe deklarativisht konstatohet se “parimi i përfaqësimit të barabartë të pjesëtarëve të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë, të cilët nuk janë shumicë, veçanërisht ato më të vogla, nuk zbatohen në mënyrë të vazhdueshme”, në vend se ky parim të jetë vendosur si një nga shtyllat kryesore të reformave në gjyqësor të parapara në të famshmin “Plan 3-6-9” dhe akteve tjera përcjellëse të miratuara nga qeveria.

Sa për krahasim, në Kosovë, kësaj çështje i kushtohet shumë rëndësi. Gjegjësisht sipas nenit 17, paragrafi 1 i Ligjit për Këshillin Gjyqësor “Këshilli Gjyqësorë i Kosovës ndërmerr masa të nevojshme për të rritur numrin e gjyqtarëve nga komunitetet joshumicë në Kosovë, prej radhëve të atyre gjyqtarëve që shërbejnë në Kosovë. Për të përmbushur përgjeqësitë e veta, Këshilli, ndër tjera, nga aplikantët njëlloj të kualifikuar për të shërbyer si gjyqtarë u jep përparësi anëtarëve nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë, ashtu siç është paraparë me nenin 108 të Kushtetutës”. Dhënia e përparësisë për kandidatët me kualifikime të barabarta nga komunitetet e nënpërfaqësuara, do të zbatohet përderisa përqindja e gjyqtarëve pjestarë të komuniteteve joshumicë në Kosovë të jete nën 15% (ndërsa për komunitetin serb të jetë nën 8%).

Ndërsa në Maqedoni ndodh e kundërta, përkatësisht kur pas shumë peripecive paraqiten një numër i kuadrove me përvojë që i plotësojnë kushtet për tu bërë gjykatës, shteti nuk hap konkurse për gjykatës, ndërsa pas një kohe të caktuar edhe i ndryshon ligjet duke i ashpërsuar kriteret deri në maksimum, e duke u thirrur në rekomandimet e Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Evropës por duke lanë mënjanë obligimet e mara nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Rast konkret është Ligji për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr.20/2015,192/2015 dhe 231/2015) me të cilin u shfuqizua ligji me të njëjtin emër i vitit 2010.

Me këtë ligj, shumë juristëve nga gjeneratat që kanë magjistruar para vitit 2015 u pamundësohet që të aplikojnë dhe pranohen në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik, kjo për arsye se ndryshohen “rregullat e lojës” me efektin prapaveprues shumë të disfavorshëm që ka ky ligj për kandidatët potencial, e që “rastësisht” më së shumti i dëmton kandidatët shqiptarë, pra indirekt ky ligj mbron gjendjen momentale në gjyqësi ku bashkësia më e madhe etnike me çdo kusht dëshiron mbajtjen e monopolit në pushtetin gjyqësorë!

Më konkretisht, sipas nenit 57 te këtij ligji, një ndër kushtet e shumta për tu pranuar në trajnimin fillestar për gjykatës në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik (prej ku pas diplomimit Këshilli Gjyqësorë i Republikës së Maqedonisë bën përzgjedhjen e gjyqtarëve) është edhe kushti që kandidati të jetë “jurist i diplomuar me mbarim të arsimit të lartë katërvjeçar shkallën VII/1 të studimeve juridike me mesatare nga më së paku 8,0 dhe studime pasdiplomike me mesatare së paku 8,0 ose jurist i diplomuar me 300 kredi të fituara sipas Sistemit Evropian të Transferit të Kredive (SETK), me mesatare së paku 8,0 në secilin nga dy ciklet e studimeve universitare”.

Pra, më qartësisht, me ligjin e ri shtohen edhe dy kushte që nuk kanë ekzistuar më parë për kandidatët që kanë magjistruar para vitit 2015. Kushti i parë që të kenë të kryer studimet pasdiplomike (magjistraturën) dhe kushti i dytë, që ato të jenë me mesatare së paku 8,0!

Për më tepër, neni 57 i Ligjit për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik është edhe jokushtetues pasi është në kundërshtim me dispozitën e nenin 52, alineja 4 e Kushtetutës së RM-së, sipas të cilës “Ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveç përjashtimit, në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët.”.

Prandaj, Qeveria e Maqedonisë gjatë zbatimit të reformave të paralajmërua në sektorin gjyqësor duhet urgjentisht të largojë këtë barrierë antikushtetuese dhe të mos harrojë se më e pakta që duhet të bëjë është respektimi Kushtetutës, gjegjësisht në këtë rast respektimin e dispozitës së nenit 52, alineja 4 dhe dispozitës së amendamentit VI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë  me të cilin obligohet Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i qytetarëve, të cilët u takojnë të gjitha bashkësive, në organet e pushtetit shtetërorë dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.”.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Artikulli ne fjale eshte i thukt e i sakt.
    Ne praktike duhet zbatuar per sendertimin e domosdoshem te punesimeve, sikur ne shtetet e e perparuara ku shteti juridik eshte i perparuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button