Drejt një pakti njerëzor

Sali Shasivari

Sali Shasivari

Bota në të cilën jetojmë gjendet buzë greminës. Njerëzorja dhe njerëzimi gjendet në rrezik. Nuk janë vetëm luftërat, konfliktet, krizat ekonomike, varfëria dhe epidemitë ato që e rëndojnë tej mase qenien e sotme njerëzore… Bile, mund të konstatohet lirisht se, luftërat, konfliktet, krizat ekonomike, varfëria dhe epidemitë janë rezultat i defekteve më serioze nga të cilat vuan njeriu i epokës ‘postmoderne’, defekte këto të cilat rrënjët e veta i kanë tek egoizmi, materializmi dhe hedonizmi i skajshëm në të cilin është katandisur njeriu bashkëkohor. Ajo që është më e rrezikshme në gjithë këtë çmenduri janë orvatjet e alienimit / tëhuajësimit të qenies njeri, si dhe tentimet e vazhdueshme për shkatërrimin e çdo vlere universale dhe të mirëfilltë njerëzore, duke përfshirë këtu tentimet e vazhdueshme për ndryshimin e koncepteve elementare dhe universale njerëzore, të cilat e bëjnë njeriun njeri. Kështu, ne jemi dëshmitarë të kësaj kohe të pakohë, kur, antivlerat promovohen si vlera, ndërsa vlerat konsiderohen si të parëndësishme. Madje, kjo çmenduri arrin deri në tentativat për ndryshimin e vet kodit gjenetik njerëzor!

Në një gjendje dhe situatë të këtillë, ku, shkaktarët, ‘tregtarët’ dhe përfituesit e këtyre kurtheve njerëzore janë një numër i vogël i personave, familjeve, klaneve dhe grupeve të interesit, të cilët, për hirë të kanibalizmit, egos dhe epsheve të tyre, po i kanosen indit njerëzor, si dhe rrezikojnë që ta helmojnë dhe shkatërrojnë tërë shoqërinë njerëzore; si dhe në momentet kur viktimë e veprimeve të këtilla të padrejta, johumane dhe çnjerëzore janë pjesa dërrmuese e banorëve të këtij globi; është e pashmangshme dhe e detyrueshme që kjo pjesë dërrmuese e popullatës botërore t’i lejë anash të gjitha elementet dhe shenjat dalluese ndërmjet vete, dhe të krijojë një pakt njerëzor dhe strategji të përbashkët, si dhe të gjejë mekanizma dhe mjete adekuate dhe legjitime për t’u përballur me këto ‘viruse’, qofshin ato persona, familje, grupe interesi, klane mafioze, grupe kriminele, etj..

Rruga drejt një pakti të këtillë njerëzor është e gjatë dhe e vështirë, por jo edhe e pamundur. Madje, hapat që duhet të ndërmerren në këtë drejtim janë të shumtë dhe të llojllojshëm.

Hapi i parë dhe i domosdoshëm në këtë drejtim është komunikimi dhe njoftimi i ndërsjellë, duke ia hapur zemrën njëri tjetrit për brengat, hallet dhe dhimbjet nga të cilat vuan secili prej nesh, si dhe për problemet, sfidat dhe pengesat të cilat i hasim në rrugëtimin tonë jetësorë. Mbase, metodat e një komunikimi dhe afrimi të këtillë, në kohën e sotme, janë më të mundshme dhe më të lehta se kurdoherë më parë; sidomos kur kemi parasysh mediat sociale, të cilat, nëse përdoren mirëfilli, do të mundësonin ndryshime epokale.

Përmes shkëmbimit të halleve dhe brengave të përbashkëta, padyshim se do të krijonim një perceptim më të qartë të problemeve dhe sfidave të cilat na tangojnë të gjithëve; hap ky – i dytë – i domosdoshëm dhe vendimtar drejt përafrimit ndaj njëri tjetrit, konsolidimit të radhëve si dhe koordinimit dhe konsultimit të përbashkët, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve adekuate.

Hapi i tretë logjik i radhës do të ishte diagnostikimi, analiza dhe identifikimi i shkaktarëve real të problemeve me të cilat ballafaqohemi; larg nga hamendja, stereotipet dhe paragjykimet, të cilat na hidhen si pluhur në sy, dhe të cilat na shpërqendrojnë vëmendjen dhe mundin.

Me këtë hap të tretë do të mbaronte faza e parë – e pashmangshme – e diagnostikimit dhe e të kuptuarit të shkaqeve të vërteta të fatkeqësive me të cilat përballet njerëzimi i ditëve të sotme; gjithmonë duke u nisur nga maksima: ‘njohja e problemit është gjysma e zgjidhjes’.

Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk guxojmë të mjaftojmë me kaq, por detyrimisht duhet të kalojmë në fazën e dytë, fazën e veprimit, e që nënkupton kthimin e gjërave në ujdi dhe në vendin e vet.

Kjo fazë e dytë – e veprimit – është sa vendimtare po aq edhe e vështirë, ngase kërkon durim dhe qëndrueshmëri.

Hapi i parë i kësaj fazë vepruese është sensibilizimi dhe vetëdijesimi i masës së gjerë mbi shkaqet, shkaktarët, problemet, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme; ngase, mosnjohja dhe keqkuptimet, jo vetëm që ndikojnë në defokusimin e njerëzve nga shkaktarët dhe problemet e vërteta, por ato rrezikojnë të dështojnë edhe proceset e ndryshimit. Ky vetëdijesim duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë, si dhe duhet të përcjell çdo hap tjetër konkret që ndërmerret drejt përmirësimit të situatës.

Hapi i dytë i radhës – në këtë fazë vepruese – është demaskimi dhe denoncimi i shkaktarëve të këtyre fatkeqësive, duke hedh dritë mbi anën e shëmtuar të tyre, si dhe duke rrënuar kultin e tyre të të qenurit ‘idol’ dhe model për njerëzit në përgjithësi, si dhe gjeneratat e reja në veçanti. Kjo, ngase, çrrënjosja e së keqes është parakusht i domosdoshëm për mbjelljen e së mirës.

Hapi i tretë në këtë drejtim do të përfshinte shpalljen e ‘luftës’ kolektive dhe të pakompromis ndaj padrejtësive dhe fenomeneve destruktive, si dhe ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes adekuate – në të gjitha format e mundshme legjitime – ndaj viktimave të padrejtësive dhe fenomeneve të këtilla; pavarësisht se kush dhe ku janë këto viktima; çdoherë duke u nisur nga bindja se ‘e keqja në kojshi rrezikon të të vijë në shtëpi’.

Për më tepër, të gjithë hapat e mësipërm, duhet të përcillen me ofrimin e alternativave të mirëfillta dhe adekuate, si dhe me krijimin e modeleve dhe moduseve, të cilat do të parandalonin kthimin në situatën e mëparshme.

Ndonëse procesi i sipërpërmendur mund të konsiderohet si tejet teorik, mirakëndës, ideal, bile-bile edhe utopik dhe i parealizueshëm, realiteti është se rrugëdalje tjetër nuk ka.

Në saje të kësaj që u tha, dhe shumëçkahit që mbeti pa u thënë, banorët e këtij globi kanë dy zgjedhje të vetme, edhe atë: o të punojnë si një trup i përbashkët, duke respektuar dallimet në mes tyre, në funksion të mbrojtjes së njerëzores dhe njerëzimit në përgjithësi; ose, përndryshe, do të shndërrohen në ‘kafshatë’ të lehtë – si të ndarë që janë – për kopetë e ‘ujqve’ të pangopur, të cilët, si zakonisht, operojnë nën taktikën ‘ndaj nga kopeja dhe kafsho’, apose në versionin e njohur ‘përçaj dhe sundo’!

Andaj, zgjidhni dhe merrni!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP