Liderët e Serbisë dhe Bosnjës duan zgjidhjen e problemeve

Pas takimit në Beograd, udhëheqësit e Serbisë dhe të Bosnjës thanë se duan t’i zgjidhin çështjet e pazgjidhura që nga shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990 dhe lufta në Bosnje që e ka pasuar, transmeton REL.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bisedimet e tij me anëtarët boshnjak, kroat dhe serb të Presidencës trepalëshe të Bosnjës “nuk kanë qenë të thjeshta ose të lehta”.

“Nuk jemi këtu për të dashur ose përqafuar njëri-tjetrin; jemi këtu për t’i zgjidhur problemet”, tha Vuçiq.

Anëtari i Presidencës së Bosnjës, Dragan Çoviq, tha se takimi “është përqendruar në mënyrat për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe zgjidhjen graduale të problemeve”.

Dy anëtarët e tjerë të Presidencës së Bosnjës janë Bakir Izetbegoviq dhe Mlladen Ivaniq.

Lideri i Serbisë dhe ata të Bosnjës thanë se përcaktimi i kufirit midis dy vendeve, tregtia dhe infrastruktura kanë qenë po ashtu në mesin e çështjeve që janë diskutuar.

Vuçiq tha se Bosnja është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Serbisë.

Presidenti serb ka bërë vizitën e parë në Sarajevë në shtator.

Tensionet në rajon janë rritur për shkak të dënimit me burg të përjetshëm të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi e ka shpallur fajtor Mlladiqin më 22 nëntor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-95.

Posterë në mbështetje të Mlladiqit janë shfaqur në disa vende në Beograd, përpara vizitës së liderëve të Bosnjës.

Posterë me fotografinë e Mlladiqit në Beograd.

Posterë me fotografinë e Mlladiqit në Beograd.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP