Policia arreston deputetët Kurti, Haxhiu e Bujupi (VIDEO)

Policia e Kosovës ka arrestuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai është arrestuar me forcë në hyrje të Kuvendit të Kosovës, gjersa po shkonte në seancën plenare të Kuvendit. Deputetët e Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar arrestimin e tij, duke u shtyrë më policinë, e cila ka përdorur sprej djegës për t’i larguar ata, transmeton REL.

Menjëherë pas arrestimit me forcë të Kurtit, ka reaguar Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai konfirmoi se të arrestuar janë edhe deputetet, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.

“Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës – Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti – u arrestuan në mënyrë brutale nga Policia e Republikës së Kosovës me urdhra politik, duke hyrë në seancë. Pra, tre deputetët ishin duke ardhur në seancën e cila është thirrur për sot”, tha Ymeri.

“Ky është edhe një rast, ose vazhdimësi e një përndjekje masive dhe gjithëpërfshirëse që ka filluar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht kohëve të fundit, me dënimin e katër aktivistëve tonë me 21 vite burg pa kurrfarë prove e dëshmie dhe pastaj me këtë vazhdim të këtij gjyqi të padrejtë karshi deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes në këtë rast, për shkak të protestës tonë meqë rast e mbrojtëm sovranitetin e republikës dhe integritetin territorial e vendit”, theksoi kryetari i Vetëvendojes.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar të mërkurën një urdhërarrest për tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë.

“Policia e Kosovës ka pranuar urdhërarrestet dhe konform autorizime që kemi do të ndërmarrim masa”, thanë zyrtarë të Zyrës për komunikim të Policisë së Kosovës.

Tre deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj Bujupi akuzohen, për siç thuhet, përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm, përkatësisht hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP