Të shtunën do të mbahet seanca kuvendore për prokurorin publik

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi të shtunën, 25 nëntor, e caktoi seancën në të cilën duhet të emërohet prokuror i ri publik i Republikës së Maqedonisë. Kjo, do të jetë java e dytë e vazhduar e punës për deputetët të cilët të shtunën debatuan për risistemimin e mjeteve nga Buxheti për vitin 2017.

Qeveria i propozoi Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë të emërohet Lubomir Joveski, anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë.

Joveski është propozuar për prokuror të ri pasi, në pajtim me procedurën e përshkruar, për të mendim pozitiv ka dhënë edhe Këshilli i prokurorëve publikë. Për emërimin e prokurorit publik, Kuvendi vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votave. Prokurori publik ka mandat prej gjashtë vitesh me të drejtë të emërimit të sërishëm.

Në konkursin për prokuror të ri publik janë paraqitur 23 kandidatë, ndërsa Këshilli i prokurorëve publikë ka dhënë mendim publik vetëm për dy prej tyre.

Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik u shty për shkak të zgjedhjeve lokale që u mbajtën muajin e kaluar.

Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë mbeti pa drejtues pasi Marko Zvërlevski më 17 gusht të këtij viti u shkarkua nga detyra. Deri në emërimin e prokurorit të ri publik, këtë funksion e kryen Liljana Spasevska.

Në kuadër të seancës së 22-të të caktuar për të shtunën, siç bën të ditur MIA, në rend dite janë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për këshillin gjyqësor dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve, ligjit për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për konfirmimin e fakteve dhe ngritjen e procedurës për konfirmimin e përgjegjësisë për gjykatës, si dhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për sigurim pensional dhe invalidor, për sigurim shëndetësor, për kontributet nga sigurimi i obligueshëm social dhe për akcizat, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Kuvendi këto ditë është me agjendë të ngjeshur. Pas vizitës së djeshme dhe takimeve me eurokomisarin Han, sot janë caktuar disa seanca të komisioneve parlamentare dhe seanca e 21-të plenare, ndërsa për vizitë është edhe grupi i deputetëve për marrëdhëniet ndërparlamentare me Republikën e Maqedonisë të Radës supreme të Ukrainës.

Nesër do të fillojë debati i amendamenteve në Komisionin për çështje evropiane për ligjin për përdorimin e gjuhëve. Grupet e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe të Lëvizjes BESA kanë parashtruar rreth gjashtëdhjetë amendamente sipas propozim tekstit.

Tani për tani, sipas paralajmërimit të ueb-faqes kuvendore, nuk ka aktivitete të caktuara për të premten më 24 nëntor, por këtë javë do të mund të pritet që Qeveria të dalë me propozime të reja për vendet e zbrazëta në radhët e tyre pas zgjedhjeve lokale pas çka Kuvendi duhet sërish të mblidhet për zgjedhjen e tyre.

Të hënën, ndërkaq, më 27 nëntor duhet të fillojë mbledhja e Komisionit për financim dhe buxhet në rend dite të së cilit është Propozim-buxheti për vitin 2018, ndërsa ai në seancën plenare do të mund të gjendet më 11 ose 12 dhjetor.

Kuvendi deri në fund të vitit duhet të mbajë seancë për shtrimin e pyetjeve të deputetëve, e para nga formimi i Qeverisë së re, me fjalim të rregullt vjetor të presidentit Gjorge Ivanov dhe për ratifikimin e marrëveshjes me Bullgarinë. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button