5 konkluza nga zgjedhjet lokale në Kosovë

Ngjashëm si në Maqedoni, zgjedhjet lokale që mbaruan dje në Kosovë ishin zhvillim i mëtutjeshëm i rrëfimit politik të filluar me zgjedhjet parlamentare të qershorit. Atëbotë pata shkruar se zgjedhjet parlamentare ndryshuan përgjithmonë tablonë politike të Kosovës, kryesisht nga revolucioni i Vetëvendosjes dhe rrënia drastike në vota e koalicionit PAN. Në njëfarë mënyre këto zgjedhje përforcuan tendecat e parlamentareve, por me disa përjashtime që shënuan kthesë ose përmbysje të atyre tendencave. Më poshtë po sjell 5 konkluza të përgjithshme që sipas meje shënuan zgjedhjet lokale në Kosovë:

1. Mbizotërimi i frymës opozitare. Njëlloj si në zgjedhjet parlamentare, në Kosovë vazhdon të mbizotërojë fryma opozitare. Dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe LDK, kanë fituar pothuajse të gjitha komunat e mëdha. Nën udhëheqjen e tyre tani gjenden Prishtina, Peja, Prizreni, Gjilani, Podujeva e shumë komuna tjera. Ky padyshim është leksioni më i madh i këtyre zgjedhjeve. Sikur nesër të kishte zgjedhje parlamentare, s’do mend se njëra prej dy partive do të dilte e para, ndërsa së bashku pa problem do të arrinin shumicën, madje pa pakicat. Kosova e tha përsëri fjalën e vet; ajo është e gatshme për ndryshime.

 

2. Vetëvendosja – revolucioni vazhdon. Storja kryesore e zgjedhjeve parlamentare ishte ngjitja e Vetëvendosjes në majë të skenës politike kosovare. Shumëkush mund t’a interpretojë rezultatin e sotëm të saj si dështim, por janë disa parametra që flasin për të kundërtën. Së pari, para katër viteve Vetëvendosje fitoi vetëm në Prishtinë, pa qenë në balotazh në asnjë komunë tjetër. Sot ajo ka arritur të mbajë Prishtinën, madje pa ndihmën e PDK dhe AAK si rradhën e kaluar. Kolonës së fitoreve ajo ja ka shtuar tani edhe qytetin e dytë të Kosovës, Prizrenin, si dhe Kamenicën. Nuk duhet harruar se ajo ishte në balotazh në plot komuna tjera dhe fakti se ishte instrumentale në mposhtjen e PDK në disa komuna tjera, si për shembull në Mitrovicë. Ajo poashtu ka numër ku e ku më të madh të këshilltarëve nëpër kuvende komunale se zgjedhjet e kaluara. Leksion i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve pra është vërtetimi se rezultati i Vetëvendosjes në parlamentare nuk ishte rastësi dhe se ajo tanimë është shndërruar në parti me shtrirje të gjërë dhe trup votues solid. Vetëvendosje do të vazhdojë të mbetet faktor kyç në politikën kosovare, i pëlqen kjo dikujt apo jo.

 

3. Rikthimi i fuqishëm i LDK. Me shumëçka LDK konsiderohej si humbëse më e madhe e zgjedhjeve parlamentare, por kjo parti ka arritur të bëjë kthesë rrënjësore brenda një kohe shumë të shkurtër. Ajo vazhdon të kontrollojë disa qytete të mëdha si Peja, Gjilani e Podujeva dhe një sërë komunash më të vogla. Sado që nuk arriti të kthejë Prishtinën, ajo megjithatë shënoi rezultat tepër solid në kryeqytet. LDK ka arritur të bëjë kthesën me një miks të shëndoshë përvoje e rinie, bilanc mes figurave të vjetra të popullarizuara dhe prurjeve të reja. Padyshim kjo i ka shkuar përdore sajë memorjes së saj institucionale dhe përvojës së gjatë në politikbërje. Nëse vazhdon me reforma të këtilla s’do mend se ajo shpejtë mund të rikthejë pozicionin e vet edhe në nivel qendror. Sidoqoftë leksion i këtyre zgjedhjeve ishte se LDK asnjëherë nuk duhet nënçmuar.

 

4. Rezultat befasues i AAK. Pas koalicionit parazgjedhor me PDK që dukej si komprometim dhe vështirësive gjatë formimit të qeverisë, që për më tepër u bë sajë ndihmës së pakicës serbe, dukej se AAK është në trajektore rrënie të lirë. Por ajo ka shënuar rezultat të lakmueshëm duke fituar Gjakovën e Suharekën, si dhe pesë bastione tjera të vogla nëpër Dukagjin. Me këtë AAK është rradhitur e dyta me numrin e komunave të fituara. Hë për hë është vështirë të gjykohet nëse ky sukses është rezultat i qeverisjes në nivel qendror apo ndonjë faktori tjetër, por sido që të jetë nuk mund të mohohet se AAK ka përmirësuar dukshëm pozitat e saj politike. Problem i saj megjithatë ngelet shtrirja e dobët gjeografike. Ajo vazhdon të mbetet fuqi rajonale, e koncentruar në Dukagjin, pa shtrirje në pjesën tjetër të Kosovës. Me këtë ajo ngelet shumë mbrapa LDK-së e Vetëvendosjes, që tani për tani janë të vetmet që mund të thonë se janë parti vërtetë mbarëkombëtare.

 

5. Debakli i PDK. Gjashtë muaj më parë PDK ishte mbretëreshë e vërtetë e politikës kosovare. Papritmas ajo vendosi të rrëzojë qeverinë e saj dhe të shkojë në zgjedhje të parakohshme, me gjasë për të përforcuar pozicionet në qeveri. Quajeni seri potezash të gabuar, quajeni mungesë lidershipi me largimin e Hashim Thaçit, quajeni ngopje të elektoratit, por s’ka dyshim se PDK po shkon nga debakli në debakël. Tani lere më që nuk kontrollon qeverinë ashtu siç ka menduar, por ajo ka ngelur me vetëm pesë komuna; Ferizajin dhe katër komuna tjera të vogla sa për të thënë. Për herë të parë në historinë e saj PDK duket si parti e çorientuar, e paorganizuar, pa vizion dhe pa ardhmëri në horizont, në pozicion ndoshta si LDK pas vdekjes së Rugovës. Çfarë do të ndodhë me partinë dikur më të madhe kosovare; a do të arrijë të këndellet dhe rikthehet si LDK-ja, apo do të shndërrohet në parti regjionale e rurale që pushtetin do t’a ëndërrojë vetëm si rimorkio e ndonjë partie më të madhe? Kam përshtypjen se në këto zgjedhje lokale ajo nuk e ka thënë fjalën e fundit; gjithçka do të varet nga potezat që do t’i luajë muajt e ardhshëm.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button