Gjashtë mësime nga Zgjedhjet Lokale 2017

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Mbaruan edhe këto zgjedhje lokale dhe rezultatet sërish dolën shumë më ndryshe nga pritshmëritë. Sërish pamë që votuesit dinë të befasojnë, përkundër matjeve të shumta që opinionistë të ndryshëm u munduan të bëjnë. Gjërat ndryshojnë shumë nga një cikël zgjedhor te tjetri dhe asnjëherë nuk mund të jemi plotësisht të sigurtë në numrin e votave të fituara më herët, sepse gjithçka mund të ndryshojë brenda natës.

Në bllokun shqiptar, në këto zgjedhje pamë stabilizimin dhe rikthimin e BDI-së, përkundër pritshmërive se po u bashkua opozita shqiptare, ajo do të pësojë debakël të ngjashëm me atë të VMRO-DPMNE-së. Pamë edhe ngritjen e Aleancës për Shqiptarët, rënien e Besës dhe ri-faktorizimin e PDSH-së. Mësuam që kur bëhen koalicionet zgjedhore duhet maturi, eksperiencë por edhe guxim.

Ishte hera e parë që një parti shqiptare vendosi të dalë hapur me një koalicion parazgjedhor me një parti maqedonase. Gjithmonë kanë ekzistuar dhe ekzistojnë koalicione të tilla parazgjedhore por ato gjithmonë kanë qenë dhe janë të fshehta. Kësaj rradhe u bë një hap i rëndësishëm dhe guximi për këtë inovacion u shpërblye. Mendoj që partitë opozitare duhet të kenë më shumë guxim për të bërë gjëra të jashtëzakonshme dhe jo-konvencionale, për të treguar ndryshimin e tyre nga ajo që deri më tani kemi pare në skenën politike. Edhe aty kishte një koalicion pothuajse jo-konvencional i cili do të shohim si do të reflektojë edhe në ciklet e ardhshme zgjedhore.

Ka disa mësime që mund të nxirren nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve:

  1. Përfundimisht duhet bërë dallim mes politikës dhe identitetit kombëtar ose fetar. Partitë politike janë grupe të organizuara që kanë për qëllim ardhjen në pushtet. Gjatë realizimit të këtij qëllimi ato shpesh bëjnë kompromise nga më të ndryshmet, gjë që shpesh shkon tërësisht në anë të kundërt me idealet kombëtare ose përkatësinë fetare që ata dëshirojnë ta promovojnë.
    Prandaj, e mira e punës është që partitë politike të koncentrohen në punën e tyre kryesore dhe këtë ta bëjnë në mënyrë racionale, dhe jo të monopolizojnë idealin kombëtar ose përkatësinë fetare të qytetarëve.
    Gabimi më i madh në këto zgjedhje dhe në shumë të tjera paraprake ka qenë se disa parti mundohen të identifikohen me identitetin e qytetarëve. Në këtë mënyrë, krijojnë situata të tilla të padrejta ku pretendojnë se ata që votojnë kundër tyre nuk janë sa duhet shqiptarë ose nuk janë sa duhet myslimanë. Këtë gjë nuk guxojnë t’ia lejojnë vetvetes, sepse në momentin kur të njëjtat krijojnë çfarëdo lloj koalicioni, qoftë të hapur ose të fshehtë, me cilëndo parti tjetër politike, ai koalicion duket disi i panatyrshëm duke pasur parasysh retorikën e fuqishme nacionaliste ose fetare të përdorur paraprakisht pikërisht nga ato parti.
  2. Mësimi tjetër i rëndësishëm është të ruhet gjakftohtësia dhe të mos përdoren fjalë të mëdha, ofenduese dhe tërësisht negative ndaj kundërshtarëve politikë. Këto zgjedhje na mësuan se partitë politike për interesa të ndryshme mund të koalicionojnë me kë të duan dhe si të duan.
    Por kur na kujtohen fjalët e vrazhda dhe ofenduese që vetë liderët partiakë i kanë thënë për njëri tjetrin vetëm disa ditë para se të ulen së bashku në tavoline dhe të shtrëngojnë duart, gjithçka duket gati se e neveritshme. Prandaj të nderuar politik-bërës, kujdes fjalorin, kujdes ofendimet dhe akuzat e ndërsjella. Asnjëherë nuk i dihet se me kë do të duhet të bashkëpunoni për të fituar ndonjë votë plus pas dy javësh, ose kë do të duhet të përkrahni në zgjedhjet e ardhshme, parlamentare, presidenciale ose lokale. Mësohuni përfundimisht ti bindni qytetarët se duhet të votojnë PËR ju dhe jo KUNDËR tjetrit.
  3. Në këto zgjedhje kishte një leksion specifik që erdhi drejtpërdrejtë nga Gostivari dhe quhet “Leksioni Bejta”. Po, po, leksion për të gjithë politik-bërësit në këtë vend. Nuk ishte leksioni i parë i kësaj natyre, sepse leksion të ngjashëm mbajti edhe Imer Selmani i cili pasi humbi në zgjedhje vite më parë dha dorëheqje nga partia dhe u tërhoq nga politika.
    Në këto zgjedhje, nga të gjithë kandidatët për kryetarë komunash në bllokun shqiptar të cilët nuk arritën fitore, ishte vetëm Bejta që këtë e menaxhoi në mënyrë të pjekur, racionale dhe prestigjioze. Nuk i lejoji simpatizantët e vetë të ofendojnë kundër-kandidatin, të cilit i uroi fitoren dhe për më tepër, hoqi dorë nga funksionet partiake dhe nga politika, qoftë kjo edhe përkohësisht. Ai vullnetarisht barti përgjegjësinë politike për humbjen, ashtu siç i ka hije një politikani. Këtë gjë nuk e pamë të ndodhte nga asnjë kandidat tjetër në këto zgjedhje, edhe pse dy prej tyre janë edhe liderë partiakë.
  4. Një mësim shumë i rëndësishëm për t’u mësuar nga këto zgjedhje është se nuk duhet të përsëriten gabimet e të tjerëve, por duhet të mësohet prej tyre. Ziadin Sela ishte heroi i 27 Prillit dhe viktima që pësoi më së shumti në këtë ngjarje. Ai aty fitoi simpati të shumë qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Kishte qytetarë maqedonas që vendosën foton e tij si foto profili në Facebook. Këtë simpati që i fitoi mundeshte ta materializojë si përkrahje mjaft të gjerë politike, nëse do të përdorte një retorikë më të moderuar gjatë fushatës.
    Ai nuk e bëri këtë dhe kjo është zgjedhje e tij. Por ajo që më befasoi ishte deklarata e tij pas humbjes në Strugë. Ai tha që votat e tija janë pastër shqiptare për dallim nga kundër-kandidati i tij që paska ardhur në pushtet me votat maqedonase. Ju tingëllon e njohur kjo deklaratë? Është gati se identike me deklaratën e Gruevskit pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2016, kur ai e kontestonte fitoren e LSDM-së sepse e njëjta paska pasur numër të konsiderueshëm të votave shqiptare, që sipas logjikës së tij janë jo sa duhet të vlefshme për një fitore të mirëfilltë.
    Ata që kandidohen për kryetarë komune duhet të dinë që vota e secilit qytetar ka vlerën e njëjtë, dhe se pasi të zgjidhen, ata janë kryetar të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Prandaj, një politikan i mirëfilltë i cili jeton në një shtet multi-etnik dhe kërkon të udhëheqë një komunë ku ka qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike, nuk mund të pretendojë se votat e tija duhet të jenë etnikisht të “pastra” ndërsa ai të udhëheqë një komunë etnikisht të përzier.
  5. Dhe përfundimisht, në këto zgjedhje qytetarët mbajtën një leksion shumë të rëndësishëm: Ata zgjodhën ta ndëshkojnë retorikën radikale, qoftë ajo nacionaliste, apo fetare. Qytetarët vendosën të zgjedhin përfaqësues dhe udhëheqës të komunave që kanë pikëpamje më të moderuara në këtë aspekt dhe që nuk janë përjashtuese ndaj komuniteteve tjera.
    Në komuna të caktuara qytetarët zgjodhën persona më të moderuar edhe përkrah akuzave për sjellje kriminale në të kaluarën. Ky është leksion i rëndësishëm sepse tregon që qytetarët po bëhen më pak tolerantë ndaj nacionalizmit bile edhe krahas dyshimeve të mundshme për kriminalitet. Dhe për këtë gjë nuk mund të fajësohet qytetari për atë se pse nuk e ndëshkon sa duhet dyshimin për kriminalitet. Ai vendos se kush dëshiron që ta përfaqësojë dhe cili është më i pranueshëm për të, dikush që ka vendosur ta shumëzojë me zero për shkak të përkatësisë së tij etnike, religjioze apo partiake, apo dikush që duket më i moderuar në këtë aspekt e që mund të ketë pasur problem me ligjin në të kaluarën.
    Fundja, qytetari nuk është gjykatës, ai vendos vetëm për përfaqësuesin e tij, ndërsa për atë se a është dikush i korruptuar ose jo, akuzën e ngren prokuroria ndërsa vendimin e sjell gjykata. Dhe kjo përgjegjësi nuk përjashtohet me faktin se dikush është në pushtet. Për këdo që ka prova se ka kryer aktivitete të paligjshme, qoftë pushtetar ose qytetar i thjeshtë, ligji duhet të vlejë njësoj dhe është detyrë e gjykatës që të njëjtin ta zbatojë. Pra kjo punë zgjidhet përmes sundimit të së drejtës dhe vlefshmërisë së barabartë të ligjit të cilën gjë duhet ta sigurojnë institucionet e jurisprudencës dhe jo qytetari i thjeshtë përmes votës së tij.
  6. Mësimi “bonus” nga këto zgjedhje është se partitë politike dhe liderët e tyre nuk duhet të partizojnë institucionet e arsimit sipëror sepse një gjë e tillë duket keq, dhe nuk u bën nder as atyre e as institucionit të cilit ata padrejtësisht dhe përkundër të gjitha standardeve dhe normave ligjore përkatëse kanë vendosur t’ia shkelin autonominë universitare dhe të kalojnë pa u sanksionuar për këtë. Hapësirat e universiteteve, veçanërisht ato të një universiteti ndërkombëtar të themeluar për të siguruar të drejtën tonë për arsim në gjuhën amtare, nuk mund të jenë vend i përshtatshëm ku partitë politike të mbajnë konferencë shtypi ose takime në kuadër të kampanjës parazgjedhore me intelektualë të shquar (gjë që i bën të gjithë të tjerët që punojnë në atë universitet e nuk janë pjesë e atij takimi të konsiderohen si intelektualë “të pashquar”).
    Intelektualët, qofshin të shquar ose jo, sigurisht që kanë të drejtën e tyre të bindjeve dhe angazhimeve politike. Megjithatë, hapësirat e universiteteve janë diçka tjetër dhe ato nuk guxojnë të jenë pjesë e spoteve publicitare të kampanjës së njërit apo tjetrit kandidat për kryetar komune sepse kjo është në kundërshtim me Ligjin për arsim të lartë, dhe me të gjitha standardet ndërkombëtare etike të kësaj lëmie. Askush nuk ka të drejtë që të shkelë autonominë e universitetit për qëllime të kampanjës politike, dhe askush nuk ka të drejtë që të tolerojë një gjë të tillë pa marrë masat e nevojshme të mbrojtjes së asaj autonomie. Në qoftë se akademikët nuk i respektojnë ligjet dhe standardet etike, çfarë mbetet për të tjerët?!

Duke u nisur nga kjo, partitë politike shqiptare, duhet të binden një herë e mirë se u duhet një agjendë e re që shkon përtej asaj që ato e kanë pasur deri më tani. Qytetarët kanë treguar në zgjedhjet e dy viteve të fundit që janë lodhur nga retorika e viteve të 90-ta e cila përsëritet nga shumë subjekte politike por e cila nuk sjell më vota si ka sjellë në të kaluarën. Prandaj, e mira e punës është që ato të bëjnë punën e tyre, politikën.
Të tregojnë si do i zgjedhin nevojat elementare të qytetarëve, ndërsa temat e mëdha ti trajtojnë atje ku duhet, dhe jo të njëjtat ti përdorin si retorikë votë-mbledhëse dhe ti harrojnë tërësisht duke bërë koalicione edhe me “armiqtë” e përbetuar sepse në fund të fundit, qëllimi i tyre i vetëm real dhe legjitim është ardhja në pushtet, dhe këtë asnjëri prej tyre nuk e konteston dhe nuk e mohon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

3 thoughts on “Gjashtë mësime nga Zgjedhjet Lokale 2017

  1. Kam ndjekur pak a shumë opinionet e autores dhe më kan pëlqyer, sidomos në periudhën para zgjedhjeve parlamentare. Por te ky shkrim më bën përshtypje JOkonzistenca. Pothuaj se me asgjë nuk mund të pajtohem përveç se me vlerësimin për retorikën e gabuar të Selës dhe vlerësimin për Bejtën. Veçanërisht më bën përshtypje vlerësimi që qytetarët edhe mund të kenë mbyllur sytë para disa personave të inkriminuar….Sa i përket institucioneve të arsimit të lartë, ato më shumë janë të klanizuara se politizuara, që bara bie mbi të gjithë ne që kemi lejuar. Përndryshe shqiptarët votuan me shumë mençuri.

  2. Zonja donë të na jep shkollë qytetarie! Ka bërë një far emri në opinion dhe kujton se gjithçka që thotë edhe ja qëllon! Në cilësinë e motrës së kryetares së Tetovës z. Teuta Arifi, e kemi të qartë pse kjo flet kështu si flet! Ti zonjë dhe shumë si ti, përpara se të na jepni leksione qytetarie, do bëni mirë të kërkoni ndryshimin e kushtetutës, ku ne shqiptarët do të je,o të barabartë 100% me maqedonasit. Nuk kemi ne gjë kundër maqedonasve, nuk e di përse e kuptoni tragjike thënien e z. Sela se ai ka votat puro shqiptare? Kur thuhet kjo, atëherë bëhet e qartë se partia bdi e cila tërë kohën gënjen opinionin se i përfaqëson interesat e shqiptarëve, bie poshtë sepse bdi nuk i përfaqëson interesat e shqiptarëve. Kur thuhet si thotë z.Sela, i bëhet e qartë të gjithëve se shqiptarët edhe më tutje janë të diskriminuar në vendin e vetë dhe se ky diskriminim duhet të merr fund më. Kur thuhet si thotë z.Sela, aty ka një çështje që duhet rregulluar, prandaj, ju që na tregoni përralla për qytetari, do të ishte mirë ose të heshtni, ose me argumente ta bindni palën maqedonase që të sillet në mënyrë qytetëruese me popullin autokton shqiptar në Maqedoni, je juriste, urdhëroni e bëjeni. Retorika qytetare ka kuptim kur të ndryshon kushtetuat.

  3. Observatori ka observuar ne menyre objektive, qarte dhe shkurt, me kolumnist se sa kolumnistja e cila shumicen e shkrimeve i ka informative dhe jo analitike. ky fakt ende me shume bie ne sy ne konkurrencen e kolumnisteve ne portalb. Partia shqiptare politike te mos kete lidhje me identitet kombetar kjo mund te thuhet vetem ne shtete normale. A ju duket Maqedonia shtet normal!? Nese po, lexoni Salajdin Salihun ne tekstin e tij te fundit.
    Observator, e nenshkruaj cdo fjali, pike dhe presje qe keni dhene ketu! Me analist se shumica e analisteve qe frekuentojne mediat tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP