Maqedoni, ulen parashikimet për rritjen ekonomike

Rritja ekonomike në Maqedoni këtë vit nuk do të jetë më e lartë se 1.5 për qind, sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, shifër kjo shumë më e ulët në krahasim me projektimet e Qeverisë në fillim të vitit për një rritje prej 3 për qind.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore, Bruto Prodhimi Vendor këtë vit do të realizojë rritje prej 1.5 për qind, në vitin 2018 prej 3.2 për qind dhe 3.9 për qind në vitin 2019, njofton REL.

Sa i përket ngadalësimi apo uljes së parashikimit për këtë vit, nga Banka Botërore bënë të ditur se në këtë ka ndikuar pasiguria politike në pjesën e parë të vitit, ndërsa shtytësit kryesorë të zhvillimit pritet të jenë konsumimi i nxitur nga rritja e punësimit dhe investimeve në sektorë të ndryshëm.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Sllobodan Najdovski thotë se të dhënat e Bankës Botërore duhet të shihen në dy aspektet, në ndikimin e rritjes ekonomike vjetore dhe në bazë të shpenzimeve buxhetore.

“Duhet të bëhet një analizë se cilat janë sektorët që kanë ndikuar për uljen e rritjes ekonomike dhe cilat janë arsyet e ngecjes së ekonomisë. Nëse ato janë të karakterit momental, përkatësisht për një periudhë më të shkurtër kohore, si ngjarjet politike apo lëvizje tjera të caktuara në tregun botëror të metaleve, atëherë kjo nuk do të ketë ndikim afatgjatë. Në aspekt të shpenzimeve buxhetore, mund të thuhet se bëhet fjalë për një periudhë të shkurtët që të ketë dallime thelbësore. Në këtë periudhë vlerësoj se duhet që shpenzimet buxhetore të jenë në harmoni me rritjen e parashikuar”, thotë Najdovski.

Arben Halili, ekspert i ekonomisë dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë se Qeveria gjatë këtij viti, si ajo e kaluara ashtu edhe kjo e tanishmja, kanë lënë anash ekonominë në interes të zgjedhjeve nëpër të cilat po kalon vendi, andaj edhe sipas tij vlerësimet janë më se reale.

“Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar, subjektet politike më shumë ishin të interesuar për të punuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen edhe këtë të diel, sesa për ndonjë reformë strukturore që do të mund të gjeneronte ndoshta ndonjë efekt më të shpejtë gjatë kësaj periudhe. Gjithsesi se të dhënat e fundit të Bankës Botërore janë më se reale dhe unë nuk pres ndonjë rritje evidente në sektorin e ekonomisë”, thotë Halili.

Kryetari i Konfederatës së punëdhënësve të Maqedonisë, Mile Boshkov, thotë se biznesi po heziton të zgjerojë aktivitete ekonomike pikërisht për shkak të pasigurisë politike, andaj edhe për momentin sipas tij nuk mund të parashikohet se sa kompani do të përfshihen në aktivitete të reja.

Ai thotë se vlerësimet e fundit të Bankës Botërore duhet të merren seriozisht parasysh dhe të bëhet një analizë e detajuar mbi rrjedhat e zhvillimit ekonomik.

Muajin e kaluar edhe misionit i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka dalë me vlerësime thuajse të ngjashme me ato të Bankës Botërore lidhur me aktivitetet e ngadalësuar ekonomike në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP