Pse femrat e godasin moralisht njëra-tjetrën?

Suzana Ejupi

Suzana Ejupi

Diku thellë në vete, shumë femra (me pak përjashtime) kanë tendencë për t’u krahasuar me njëra tjetrën, qoftë me vetëdije ose në nënvetëdije. Në veçanti, ky krahasim vjen në shprehje, ose bëhet tepër i dukshëm dhe më i llahtarshëm, kur një grua gjysmë e formuar, ose me plot mungesa në karakter dhe profesion, ndjehet e rrezikuar nga një femër tjetër, e cila është më e ngritur, ka një formim personaliteti relativisht të plotë dhe të mbështjellur me ngjyrime karizmatike të shpirtit emancipues. Një femër me një shpirt të lartësuar, mendje të ndritur, pamje joshëse, qëndrim elegant dhe rrezatues, gjithmonë provokon dhe zgjon shqisat dashakeqe të femrave, të cilat i kanë të mangëta këto virtyte dhe vlera të larta njerëzore. Si rrjedhojë, në mes të këtyre dy grupeve femërore, pas shpine ose pas dyerve të mbyllura, zhvillohet një luftë verbale, jokonstruktive dhe ndjellakeqe. Pra, gruaja gjysmë e formuar, në pamundësi për të konkurruar dhe garuar me nivelin e gruas së emancipuar në bazë meritore, ajo përzgjedh ta sulmojë ose godasë dinjitetin dhe integritetin e saj, pa bazë dhe argumente të arsyeshme. Në kontekst të këtij sulmi moral dhe profesional, në mes të këtyre dy grupeve, zhvillohen pole të kundërta, me energji armiqësore, joprodhuese dhe regresive. Disa nga arsyet pse janë ngritur këto mure përplasëse ose kundërshtuese mes këtyre dy grupeve të femrave, do të shtjellohen në vazhdim të këtij vështrimi.

Gruaja e natyrshme dhe me pasion për të shërbyer shoqërinë në mënyrë të denjë, dallon në shumë aspekte të formimit, në krahasim me gruan gjysmë të formuar. Për më shumë, të dy grupet, në thelb janë ose llogariten të suksesshme dhe gëzojnë një punë, mirëqenie materiale ose status shoqëror, por në kuptimin më të ngushtë të fjalës, ato dallojnë në mënyrën se si janë formuar dhe çfarë rrethana dhe mundësi kanë shfrytëzuar. Është ai lloji i grave që është ndërtuar me themel dhe në vazhdimësi, dhe është ai lloji tjetër që është ndërtuar në mënyrë gjysmake, rastësisht dhe si me vështirësi. Lloji i parë i grave, kanë treguar gatishmëri për t’u formuar si personalitete që në fëmijërinë e hershme dhe dashurinë për librin e kanë pasur të mbjellur në mënyrë sistematike, ndërsa lloji i dytë i grave, nuk kanë lexuar asnjëherë, por janë dhënë pas librit vetëm kur u është parashtruar nevoja eventuale dhe mundësia për të shfrytëzuar privilegjet dhe për të realizuar interesat. Pra, këto femra nuk është se e duan librin dhe kanë motivim të brendshëm dhe të natyrshëm për të lexuar, por motivimi i jashtëm, me nuanca të thella interesi, privilegji, pushteti, statusi shoqëror, popullariteti, dhe nevoja për simpatinë e të tjerëve, i nxisin në lexim nga imponimi. Këto sjellje që shfaqen në përputhshmëri me egoizmin e tyre, psikologija e njohur Karen Horney i kategorizon si nevrozë dhe i ndan në nevojë për pushtet, nevojë për prestigj shoqëror, nevojë për pëlqimin nga të tjerët e kështu me rradhë. Lloji i parë i femrave është pajisur me virtyte, aftësi, njohuri, dhe vlera në vazhdimësi, dhe ka krijuar karrierë në mënyrë të plotë dhe të thellë, duke absorbuar shprehi pune dhe duke vepruar profesionalisht në çdo nivel të fushës që ushtron, ndërsa lloji i dytë i femrave aty për aty shndërrohet në mësimdhënëse, shkrimtare, gazetare, politikane e kështu me radhë. Lloji i parë i femrave ka njohuri të përgjithshme, njohuri të ngushta dhe të kompletuara, ka ndërtuar koncepte të qarta dhe din të bëjë sintezë të njohurive të fituara më parë, për të zbërthyer dhe trajtuar fenomene shoqërore që ndërlidhen ngushtë me jetën, rrethanat kulturore, gjendjen psikologjike e shoqërore dhe disponimin profesional të një populli. Ndërsa grupi i dytë i femrave, kanë njohuri gjysmake dhe të rastësishme, ndërlidhur me profesionin që ushtrojnë, duke i kamufluar potencialet e kufizuara profesionale përmes koncepteve dhe ideve që i marrin të gatshme nga burime të ndryshme, me raste të dyshimta dhe i modifikojnë një çik, për të krijuar përshtypje se janë origjinale të tyre. Grupi i parë i femrave kanë devotshmëri dhe diciplinë në punën që ushtrojnë dhe gjithmonë mbështeten në një standard pune të pranueshëm dhe efektiv për shoqërinë, në çdo fushë të jetës. Ndërsa grupi tjetër i femrave përpiqen t’i mbulojnë mangësitë profesionale përmes lëvdatave, lajkave, gënjeshtrave dhe manipulimeve profesionale që bëjnë, për të ndërtuar një imazh të rrejshëm, por bindës për masën, që nuk e kanë të zhvilluar të menduarin kritik dhe analitik; pra, që lehtësisht pranojnë atë që u servohet dhe lehtësisht binden ndaj këtyre modeleve dhe imazheve të rrejshme. Grupi i parë i femrave nuk synojnë të impresionojnë publikun, as nuk pretendojnë të arrijnë famë, aq më shumë të lavdërohen ose shtrembërojnë realitetin për të fituar respektin publik, por ato e tregojnë veten dhe punën e tyre duke kontribuuar në vazhdimësi, për të mirën e përgjithshme dhe duke e realizuar atë mision përmes punë së vërtetë. Ndërsa grupi i dytë i femrave, nuk e shërbejnë shoqërinë se e kanë të zhvilluar ndjenjën e solidaritetit ose bamirësisë, por ato e kanë të potencuar ndjenjën e interesit personal dhe të ndjerit e rëndësishme. Grupi i parë i femrave synojnë mirëqenie fizike, mendore dhe shpirtërore përmes rrugës së denjë dhe përplot sakrifica, ndërsa grupi i dytë synojnë paranë, pushtetin, famën ose statusin shoqëror, duke mos zgjedhur mjetet për të arritur qëllimin.

Kur një grua vërtet e suksesshme, gëzon një pamje të bukur dhe një mendje të ndritur, për më shumë kur është ndërtuar dhe formuar si personalitet gjatë gjithë jetës, ajo sulmohet dhe goditet rëndë nga grupi i dytë i femrave, që nuk kanë forcën mendore dhe shpirtërore për t’u krahasuar dhe për ta mbisunduar kapacitetin e saj, të cilin kapacitet e ka ndërtuar me vite, pa ndërprerje dhe ndërhyrje të faktorëve jo të denjë. Po i njejti grup i femrave, në pamundësi për të gjetë paralelizëm me këto femra, përzgjedhin t’i nënvlerësojnë, përgojojnë, përqeshin dhe demotivojnë, për t’ua shuar atë dritën e brendshme, të cilën e kanë ndërtuar vite me radhë dhe me punë të vazhdueshme. Kur femra gjysmë e formuar e godet moralisht një femër tjetër të denjë, kjo nënkupton se vullneti i saj nuk qëndron në gjetjen e formave njerëzore për të konkurruar me femrat tjera, por ajo përzgjedh forma të ulëta, dekurajuese dhe dashakeqe, për të luftuar konkurrencën.

Pra, femrat nuk duhet të synojnë të godasin shpirtin e njëra-tjetrës, por ato duhet ta përkrahin, motivojnë dhe ndihmojnë njëra-tjetrën, me qëllim që të zhvillojnë dhe ndërtojnë një ardhmëri më të mirë për botën femërore. Për ta bërë këtë, studiuesja e psikologjisë femërore, Karen Horney, sugjeron që, për ta ruajtur shëndetin mendor, çdo femër duhet t’i nënshtrohet vetë-analizës, me qëllim që të identifikojë nevrozat që e udhëheqin në jetë dhe t’i mbajë nën kontrollin e duhur. Për në fund, qasja progresive e një femre kundrejt një femre tjetër, do ta shërbente shoqërinë pozitivisht, dhe njëkohësisht do të prodhonte kushte të shëndosha dhe të dobishme për gjeneratat e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP