Të dyshimta akuzat ndaj Tahirit, sistemi TIMS asnjë provë të veten

Vishet me mister kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dje që të hiqet imuniteti i deputetit për Tahirin dhe të hapet rruga për arrestim dhe kontroll të banesës së tij. Por kërkesa që ka shkuar në Kuvend dhe veprimet e prokurorisë kanë ngjallur mjaft dyshime, shkruan “Gazeta Sot“.

Gazeta është konsultuar me prokurorë dhe ekspertë të fushës dhe veprimet e prokurorisë, duket se i ngjajnë një lufte politike sesa veprimeve procedurale. Nëse i marrim me radhë, në rregulloren e Kuvendit, është e përcaktuar në nenin 118, se në rastet kur kërkohet heqja e imunitetit apo mandatit, prokuroria duhet të dorëzojë dokumente shoqëruese që vërtetojnë akuzat e ngritura.

Por gazeta ka shoqëruar raportin e dorëzuar nga Besim Hajdarmataj dhe aty ngrihen mjaft pikëpyetje. Prova e vetme e prokurorisë, ndryshe nga përgjimet e italianëve, është se pretendohet që Saimir Tahiri ka bërë 4 kalime jashtë shtetit nën shoqërinë e Artan Habilajt. “Subjekti në hetim Saimir Tahiri me datë 05.11.2013 ka realizuar shitjen e automjetit me targa AA003GB, tek personi në hetim Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj.

Me datë 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, personi në hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targa AA003GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur me datë 05.11.2013. Në këto udhëtime rezulton që personi në hetim Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar nga subjektet e tjera të dyshuara Artan Habilaj, etj”, shkruhet në dosjen e prokurorisë. Gazeta ka siguruar të dhënat e sistemit “TIMS” në data për të cilat flet prokuroria dhe ka mospërputhje. E para, rezulton që Tahiri në këto data ka dalë jashtë vendit nën shoqërinë e familjes së tij. Personat që e kanë shoqëruar janë: Drini Tahiri, Luiza Tahiri, Bashkim Tahiri, Fatilda Tahiri.

Por rezulton që në të njëjtën periudhë ka dalë jashtë vendit dhe Artan Habilaj, por dhe ai në shoqërinë e familjes së tij. Kjo nuk do të thotë se është bërë diçka e paligjshme që inkriminon ministrin. Edhe vetë Tahiri e ka deklaruar dje se ka qenë me familjen me pushime. Gjëja tjetër komprometuese, është se Llalla bazohet mbi përgjimet e autoriteteve italiane, përgjime që sipas ekspertëve ende nuk mund të përdoren si prova. Burimet thanë se autoritetet ende nuk i kanë sjellë të dhënat në bazë të procedurave që duhen. Në dokumentin që prokuroria ka dorëzuar në prokurori, rezulton se bazohet në atë se çfarë ka publikuar media. Sipas tyre janë  6 prova: 2 raste kur në përgjime përmendet Tahiri, 2 raste kur Habiljat janë kapur me drogë, rasti që Tahiri u ka shitur makinën tip “Audi” dhe rasti kur Habilaj dhe Tahiri rezultojnë në “TIMS” që kanë kaluar kufirin në të njëjtën ditë. Pra nuk ka asnjë provë tjetër.

Loja e dyshimtë

Goditja ndaj Tahirit në këtë periudhë duket se është një lojë e dyshimtë e Llallës dhe e dy njerëzve që e kanë emëruar aty, Ilir Meta dhe Sali Berisha. Ajo që ngjall dyshime se kemi një aleancë Meta-Berisha për të rrëzuar qeverinë, u tregua dy ditë më parë, ku Kryemadhi e Basha u bënë bashkë dhe kanë ecur në të njëjtën linjë. Berisha dhe LSI gjithmonë e kanë akuzuar Tahirin për lidhje me krimin, por asnjëherë nuk kishin prova.

Duket se dosja e publikuar nga italianët është shfrytëzuar nga ata përmes Llallës për të bërë skandal, edhe pse nga ana procedurale mungojnë provat. Nëse marrim një rast të ngjashëm, është ai kur Adriatik Llalla hapi hetim ndaj kreut të ILDKP, Shkëlqim Ganaj dhe gjykata ja rrëzoi, pasi ishte kundër sekuestrimit të dokumenteve. Në vendim u tha se prokurori nuk ka asnjë provë që ka nisur hetimet dhe ecën vetëm mbi bazë dyshimi. Dhe në këtë rast është e njëjta situatë dhe Llalla duket se po shfrytëzon arrestimin e Tahirit për të kontrolluar banesën dhe të dhënat e tij me qëllim që të sigurojë prova për të treguar lidhjet me Habilajt. Situata i ngjason një sulmi politik ndaj Ramës dhe pas saj duket e fshihet Meta e Berisha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button