Thaçi: BE nuk e ka fokusin te Kosova

Bashkimi Evropian ka vendosur si kusht ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi për liberalizimin e vizave për Kosovën, por presidenti kosovar Hashim Thaçi shprehet skeptik nëse lëvizja e lirë për kosovarët do të realizohet edhe nëse kalon marrëveshja e vijës kufitare me Podgoricën.

“Edhe nëse do të ratifikojmë demarkacionin në Kuvend, sërish do të kemi sfida me këtë përbërje të Komisionit Europian, sepse nuk e ka fokusin tek Kosova”, thotë Thaçi.

Ai në intervistë dhënë për “Dojçe Vele”-n, e akuzoi Bashkimin Evropian për qasje diskriminuese dhe të turpshme ndaj Kosovës.

“Aktualisht BE-ja ka një qasje diskriminuese në raport me qytetarët e Kosovës, ndaj kemi kërkuar që kjo qasje të ndryshojë. Qëndrimi i BE është një pozicion absurd dhe i turpshëm në raport me qytetarët e Kosovës dhe institucionet e Kosovës. Ne kërkojmë të trajtohemi në mënyrë të barabartë me vendet e tjera të rajonit dhe jo të dublifikohen kriteret”, thotë ai.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm se pa kalimin e demarkacionit nuk ka liberalizim, por sërish e quan këtë kusht të vendosur nga Brukseli si të padrejtë.

“Është vendosur pa të drejtë dhe në mënyrë të befasishme nga Komisioni Evropian dhe më shumë sesa kriter, ka qenë kurth politik i KE për Kosovën në mënyrë që të shtyjë edhe më tutje liberalizimin e vizave”, deklaron ai.

Në takimin me zëvendëspresidentin Majk Pens, i cili, sipas Thaçit, ai ka shprehur gatishmërinë e SHBA për t’u përfshirë në dialogun me Serbinë.

“Kam theksuar nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe zëvendëspresidenti Majk Pens konfirmoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta bërë këtë”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button