Ivanov: BE projekti paqësor që mobilzoi vendet dhe shoqëritë nga Ballkani

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në hapjen e “Samitit 100” për biznes të liderëve të Evropës Juglindore, që këtë herë mbahet në Shkup, deklaroi se, “qëllimi i këtij samiti është të jetë zë i fuqishëm që do të tërheqë vëmendjen e polikanëve nga rajoni, sepse biznesmenët flasin njëzëri për prioritetet themelore të këtij rajoni”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Ivanov, duke përmendur disa sfida për ekonominë dhe biznesmenët e rajonit, tha se për të tejkaluar fragmentimin e Ballkanit nevojitet lidhje politike dhe e sigurisë përmes anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO.

“Bashkimi Evropian ishte projekti më i suksesshëm paqësor që mobilizoi vendet dhe shoqëritë nga Ballkani. Ne ndryshojmë vullnetarisht për shkak të fuqisë tranformuese të Unionit. Por, lodhja nga zgjerimi te ne krijoi një lodhje nga pritja dhe në vend që të merremi me reforma, kemi filluar të merremi me veten. Prandaj, e nevojshme është që Bashkimi Evropian sa më shpejtë t’i fillojë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë”, deklaroi presidenti Ivanov.

Në vijim, ai tha se me çdo kapitull të mbyllur, vendi evropianizohet dhe u afrohet standardeve të dëshiruara evropiane demokratike. Ai shtoi se synojnë që një ditë vendet e Ballkanit të jenë pjesë e tregut evropian, ku kompanitë e rajonit do të munden lirshëm të konkurrojnë dhe të arrijnë sukses.

Sipas tij, ndërtimi dhe avancimi i infrastrukturës në vendet e rajonit do të ndryshojë gjeografinë dhe të ardhmen, pasi që, siç tha ai, do t’i lidhë vendet e Evropës Juglindore, gjë që do ta rrisë konkurrencën e ekonomive të rajonit për investime të huaja.

“Ajo në mënyrë të pakthyeshme do të ndryshojë gjeografinë e rajonit, do t’i fshijë paragjykimet dhe ndarjet, do ta përmirësojë bashkëpunimin dhe do ta ndërtojë të ardhmen evropiane për të gjitha shtetet e rajonit”, u shpreh ai.

“Arritëm ta mbyllim ‘korridorin e migrantëve në Ballkan’, por nuk arrijmë t’i mbajtë të rinjtë në Ballkan”

Presidenti maqedonas poashtu theksoi se një sfidë e madhe e Ballkanit është edhe largimi i stafit profesional, duke shtuar se arritën të parandalojnë fluskin e emigrantëve që kishin synim Evropën, por nuk arrijnë të parandalojnë të rinjtë e rajonit të cilët kanë të njëjtin synim sikurse emigrantët.

“Si shtete, ne arritëm ta mbyllim ‘korridorin e migrantëve në Ballkan’, por në asnjë mënyrë nuk arritëm ta parandalojmë emigrimin e të rinjve tanë. Duket se emigrantët ilegalë dhe të rinjtë tanë kanë diçka të përbashkët dhe ajo është destinacioni i tyre. Rajoni ynë është duke u zbrazur”, tha Ivanov.

Në hapjen e “Samitit 100” për biznes, i pranishëm ishte edhe anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Mlladen Ivaniq, i cili theksoi se kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për lidhjen e politikës dhe ekonomisë.

“Unë përkas në mesin e njerëzve që mendojnë se politika dhe ekonomika patjetër të qëndrojnë të bashkuar. Çdo vendim politik ka implikime ekonomike, si dhe rezultatet e mira ekonomike mund të nënkuptpojnë rezultate solide politike. Mendoj se ka rëndësi të madhe që nga koha në kohë njerëzit e biznesit të kenë mundësi të bisedojnë me njerëzit e politikës dhe të shohin cilat janë çështjet kyçe që duhet të ndryshohen, të përshtaten. Ndërkaq, me rëndësi të veçantë është që këtë ta bëjnë kompanitë e mëdha që janë garantuese të stabilitetit dhe zhvillimit afatgjatë”, deklaroi Ivaniq.

Ai shtoi se strukturat politike duhet të bashkëpunojnë ashtu sikurse bashkëpunojnë biznesmenët e rajonit, me qëllim të krijimit të një imazhi më të mirë dhe pozitiv në Ballkan.

Ndër të tjera, anëtari i Presidencës së BeH-së theksoi nevojën për infrastrukturën që lidh vendet e rajonit, duke shprehur bindje se kjo do të rrisë bashkëpunimin e biznesit dhe do të promovojë marrëdhëniet midis vendeve.

Ndryshe, në këtë edicion të gjashtë të samitit për biznes që do të mbahet këto dy ditë, do të marrin pjesë mbi 150 liderë biznesi nga Evropa Juglindore, katër kryeministra nga Ballkani Perëndimor, si dhe ministra dhe përfaqësues nga BE-ja. Ata do të diskutojnë për mundësitë dhe potencialet e rajonit në përgjithësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button