YPG pret fundin e shpejtë të IS-it në Raqqa

Njësitë Kurde të Mbrojtës së Popullit, ose YPG, i thanë të shtunën agjencisë së lajmeve Reuters se grupi Shteti Islamik është në prag të humbjes në Raqqa të Sirisë dhe qyteti më në fund mund të pastrohet nga xhihadistët të shtunën apo të dielën.

Koalicioni kundër grupit Shteti Islamik, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, tha se rreth 100 luftëtarë të këtij grupi u dorëzuan në Raqqa në 24 orët e fundit dhe janë “larguar nga qyteti”, por sërish priten luftime të rënda “gjatë ditëve të ardhshme”.

Zyrtarët e koalicionit nuk thanë se si u larguan luftëtarët nga qyteti dhe ku janë dërguar ata.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, tha se ata janë transportuar jashtë qytetit Raqqa me autobus sipas një marrëveshjeje ndërmjet IS-it, koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Forcat Demokratike Siriane (SDF), që dominohen nga YPG. Nuk ka pasur komente rreth këtyre raportimeve qoftë nga koalicioni qoftë nga SDF-ja.

SDF-ja e mbështetur nga sulmet ajrore të koalicionit dhe forcat e posaçme, janë duke luftuar që nga qershori për të dëbuar IS-in nga Raqqa, de fakto kryeqyteti i IS-it dhe baza e operacioneve ku ishin planifikuar sulmet ndaj perëndimit.

Humbja përfundimtare e Shtetit Islamik në Raqqa do të jetë një arritje e rëndësishme në përpjekjet për të mundur kalifatin e vetëshpallur nga grupi në Siri dhe Irak, ku më herët gjatë këtij viti grupi u dëbua nga qyteti i Mosulit.

“Betejat po vazhdojnë në Raqqa. Daesh-i (një akronim për IS-in), është afër të marrë fund. Sot ose nesër qyteti do të çlirohet”, i tha me telefon agjencisë Reuters, zëdhënësi i YPG-së, Nouri Mahmoud, transmeton VoA.

Në një koment dërguar me email agjencisë Reuters, zëdhënësi i koalicionit, Ryan Dillon, tha se rreth 100 luftëtarë të IS-it janë dorëzuar në Raqqa në 24 orët e fundit dhe “janë larguar nga qyteti”, por pa dhënë hollësi të tjera.

“Ne ende presim luftime të vështira në ditët në vazhdim dhe nuk do të përcaktojmë kohën se kur do mundet në tërësi IS-i në Raqqa”, tha ai. duke shtuar se rreth 85 për qind e qytetit është çliruar deri më 13 tetor. Rreth 1 mijë e 500 civil, ia dolën të ikin tek Forcat Demokratike Siriane gjatë javës së fundit tha ai.

Omar Alloush, anëtar i këshillit civil që është ngritur për të drejtuar Raqqan, i tha Reutersit të premten vonë se po bëhen përpjekje për të shpëtuar civilët dhe po vazhdojnë përpjekjet ” për të dëbuar elementet terroriste nga krahina e Raqqas”, po pa dhënë hollësi të tjera.

Një grup aktivistësh që raportojnë mbi Raqqan shkroi në Facebook se një duzinë autobusësh hynë në Raqqa gjatë natës pasi kishin udhëtuar nga zona veriore e tij.

Vëzhguesi Sirian tha se luftëtarët e IS-it dhe familjet e tyre janë larguar nga qyteti dhe autobusët arritën për të evakuuar luftëtarët e mbetur me familjet e tyre, por nuk u tha se ku mund të jenë dërguar ata.

Gjatë luftës më shumë se 6 vjeçare në Siri, arritja e tillë e autobusëve ishte shpesh shenjë e evakuimit të luftëtarëve edhe civilëve.

Fushata kundër IS-it në Siri po përqendrohet tani krahinën lindore Deir el-Zour, që është në kufi me Irakun.

IS-i po përballet me SDF-në në njërën anë dhe me forcat qeveritare siriane të mbështetura nga Irani dhe sulmet ajrore ruse në anën tjetër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button