Zonja e buzëqeshur

Nga dritarja e hapur e zyrës sime dëgjoj një grua hallemadhe duke i sqaruar babait të saj në moshë se si durimi i saj paska arritur në prag të çmendurisë për shkak të padrejtësive të mëdha të shoqërisë sonë dhe indiferencës institucionale… “Isha te kryetarja e komunës! Ka dhjetë vite që kam diplomuar dhe assesi të gjejë punë. Mendova që këtë hall t‘ia qaj edhe asaj. Pas shumë përpjekjesh arrita deri te zyra e prefekturës! Ajo më priti mirë, pastaj më inkurajoi shumë, por nuk u ndal duke buzëqeshur… Ikën shumë muaj, ndërsa unë nuk morra asnjë përgjigje, më mbetën vetëm buzëqeshjet e saja“, tregon, mes tjerash, gruaja e mërzitur.

E shikova këtë grua të gjorë, por tani buzëqesha edhe unë! Sikur e ndjeu forcën e buzëqeshjes sime dhe duke u kthyer ngadalë nga dritarja ime, më pyeti, e habitur! Edhe ti …? Edhe ti si ajo, ani de …?

Vazhdova duke buzëqeshur, por nuk mund ta definoja nëse kjo buzëqeshja ime ishte e ngrohtë, e ftohtë, e ëmbël… por, buzëqeshjen e saj e di sigurt që është tallëse, përçmuese, djallëzore. Ah, e tillë është ajo, e njoh qëmoti, kështu buzëqeshet gjithnjë! Kështu buzëqeshej, edhe kur ishte studente! Vazhdoi të buzëqeshej edhe gjatë punës pedagogjike, bile edhe gjatë kohës kur ishte gazetare, pastaj këshilltare… Buzëqeshja e saj filloi të shkëlqejë kur e la shkencën dhe depërtoi në politikë. Buzëqeshje kulmore kishte si ministre për çështje europiane, edhe pse, atëbotë, Europa u largua më së shumti prej nesh. Buzëqeshjet nuk i ndali as gjatë kohës kur pretendonte kolltukun e prefektit. Kryelartë, e shoqëruar nga të rinjtë dhe të rejat, me shkopin magjik, bënte shënimin e gropave, që nuk i rregulloi asnjëherë! Por dhe këtu, nga „selfijet“ e bëra, buzëqeshjet e saja ishin më të theksuara. Kështu vazhdoi edhe në prefekturë, buzëqesh njërit buzëqesh tjetrit, buzëqesh Hasës buzëqesh Husës, buzëqesh Jankit buzëqesh Stankit, buzëqesh… Buzëqeshje tepër ‘modeste‘ ka kur me dorën gjysmë të ngritur i përshëndetë autobusët plot të rinj dhe të reja, që me të madhe po ikin në mërgim. Buzëqeshja e saj joshëse shfaqet edhe kur kalon me veturë pranë lumit të katandisur nga betonet, mobiliet, plehrat, … që, Zoti e di kur janë pastruar për herë të fundit.  E buzëqeshur është edhe kur shfaqet në qendër të qytetit, kur sheh sheshin e mbuluar me mushama, me tenda, me pisllëqe…

Ndoshta ka dëshirë të buzëqeshë edhe kur kalon pranë  kazinove gjigantë, por këtu disi stepet, sepse nuk është e sigurt ngaqë brenda mund të ndodhen edhe fëmijët e lagjes së saj.

Buzëqeshet edhe kur i sheh godinat e larta të ndërtuara vend e pa vend, por këtë e bënë fshehurazi, sepse mund ta vëzhgojnë zogjtë, sorrat dhe bilbilat, që ndihen të rrezikuar për shkak të shpërfilljes brutale të avantazehve mjedisore! Po, po, ajo kënaqet duke buzëqeshur derisa arsimi po rrënohet! Ajo buzëqeshë bile edhe kur mbeturinat na hyjnë në gojë. Ajo buzëqeshë ndërsa qyteti po vdes!

Shtrohet pyetja: Ç‘ju desh profesoreshës shumë të respektuar, të bëhet një politikane shumë e dobët. Ekziston një thënie shumë e fuqishme „Me politikë merren njerëzit të cilët nuk arrijnë në shkencë, sepse shkenca nuk njeh tallje, përbuzje, hipokrizi…nuk njeh as ironi“.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. shume i qelluar dhe njerezor teksti. aferim Afrim!
    vetem dy komente, nese me lejohen.
    lidhur me citatin qe keni dhene ne fund, mendoj se njelloj si shkenca, edhe politika mund te mos njeh tallje, perbuzje, hipokrizi…varet kush e ben politiken, prej cfare materiali eshte i ndertuar personi, sa joshet nga paraja e sa nga parimet qe s’jane parime nese shkelen.
    e dyta, valle zonja e buzeqeshur ka qene profesore shume e respektuar duhen pyetur studentët dhe kolegët, pergjigjet e tyre nuk mendoj se kane ne nje vije me konstatimin tuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button