“Monstra”, partitë në vrap pas meritave për rastin

Partitë në vrap pas marrjes së meritave për rastin Monstra. BDI-ja thonë se vazhdimisht është angazhuar për zbardhjen e rastit. Por nga LSDM-ja kujtojnë se kthesa pozitive ndodhë si rezultat i dëshmive nga materialet e përgjuara dhe premtimit të saj për zbardhjen e së vërtetës, njofton Alsat M.

Partitë politike e vlerësojnë si qasje të drejtë juridike kërkesën e Prokurorisë Publike për rishqyrtimin e rastit “Monstra”, por secila prej tyre në forma të ndryshme gjithashtu synon të merr merita për këtë rast i cili tani pesë vite ka nxitur reagime nga më të ndryshmet në opinion.

Nga LSDM-ja thonë se kërkesa e Prokurorisë Publike për rishqyrtim të rastit “Monstra” bazohet në dëshmitë e reja të cilat i ka siguruar kjo parti nga materialet e përgjuara telefonike e që i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale. Partia e Kryeministrit Zoran Zaev mbetet në qëndrimin se zbardhja e këtij rasti ishte premtuar që kur ky subjekt kishte qenë në opozitë dhe se sipas tyre i njëjti edhe do të merr epilog të drejtë gjyqësor.

“LSDM-ja kishte premtuar zbardhjen e plotë të rastit dhe këtë po e bëjmë” thonë nga LSDM-ja.

Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se rasti po merr epilog falë angazhimit dhe nismave të shumta të saj për zbardhjen e rastit. I pyetur se pse kjo nuk ndodhi në kohën e qeverisjes së saj me VMRO-në kur edhe kishte ndodhur rasti “Monstra”, deputeti Artan Grubi tha se nismat ishin penguar nga shumë faktor përfshirë edhe prokurorin Marko Zvërlevski.

“Të gjithë ishim dëshmitarë të një gjyqësori të kapur dhe për atë arsye ne morëm iniciativë për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevski. Që nga dita e parë kemi kërkuar proces transparent. Që nga dita e parë e kemi kundërshtuar rezultatin e shkallës së parë dhe Gjykatës së Apelit, prandaj edhe kemi nisur këtë iniciativë në Gjykatën Supreme dhe deri më tani gjithnjë ka qenë në programet tona zgjedhore, duke pasur edhe deklarata, kemi kërkuar transparencë nga gjykata dhe prokuroria dhe rigjykim të rastit. Gjitha përpjekjet që i kemi bërë kanë qenë në përputhje me vendimin e Prokurorisë që u dha dje”, u shpreh Artan Grubi, BDI.

Edhe Aleanca për Shqiptarët thotë se është meritore për kthesën pozitive në rastin Monstra pasi pjesëmarrjen e saj në qeveri e kishte kushtëzuar pikërisht me zbardhjen e proceseve të montuara politike.

“E kemi thënë edhe para zgjedhjeve se është njëra ndër arsyet kryesore për pjesëmarrjen tonë në shumicën parlamentare duke kontribuar si subjekt politik që këto raste të montuara politike të zgjidhen. Madje ju e dini që edhe vetë kryetari Zijadin Sela në deklaratën e tij pas 27 prillit, u jep përparësi këtyre rasteve, “Monstra”, “Lagja e Trimave” dhe “Sopoti” para rasteve tjera sepse parashihen si urgjencë për të kthyer besimin tek institucionet e drejtësisë dhe për ta luftuar idenë e një drejtësie selektive siç ka qenë deri tani”, tha Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.

Lëvizja Besa kthesën e Prokurorisë Publike e quan meritë të popullit shqiptarë dhe protestuesve për drejtësi.

“Pavarësisht se ka subjekte të caktuara politike të cilët mundohet ta përvetësojnë për pikë politike, ne urojmë që një fund të merret një vendim për lirimin e të gjykuarve për rastin “Monstra” dhe drejtësia të zë vendin e vet. Meritorë për këtë pa dyshim janë të gjithë shqiptarët dhe njerëzit e vullnetit të mirë të cilët nuk ndaluan asnjëherë duke protestuar dhe duke kërkuar drejtësi për rastin “Monstra”,  u shpreh Faton Fazliu, Lëvizja Besa.

Vetëm nga VMRO-DPMNE-ja opozitare në qeverisjen e së cilës me BDI-në ndodhi rasti dhe gjykimet me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve, nuk deshën të komentojnë propozimin e organit të akuzës për rishqyrtim të këtij procesi gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button