LIRIA E PJESSHME

Artistët janë përplasur me botën reale nga e cila kanë huazuar materialin bruto për ta krijuar botën e tyre fiktive.

Ata kanë ëndërruar dhe kanë sakrifikuar për një botë reale më të bukur dhe më humane.

Ata shpesh kanë besuar me naivitet se mund ta ndryshojnë botën nëpërmjet ëndrrave të tyre, por drita e gjeniut, si zakonisht, e ndriçon me shumë vonesë mendjen njerëzore.

Sado artistët e duan një botë më ndryshe nga çfarë është, pra më të bukur, më të fisme, më të denjë për të jetuar, ata nuk arrijnë ta ndryshojnë ashtu sikurse ëndërrojnë.

Dostojevski tha: “Arti nuk e ndryshon botën, por e bën më të bukur”. Dhe bota u bë më e bukur me kryeveprat e tij, krijuar nga presioni i dhembjes. “Më jepni një dhembje t’u jap një kryevepër!”, tha ai.

Botën e ndryshojnë shpejt njerëzit e veprimit. Për të mirë ose për të keq.

Janë të mëdhenj njerëzit e veprimit që në misionin e tyre nuk e harrojnë njeriun, këtë qenie të papërsëritshme, të vetmen qenie që prodhon vetëdijshëm e vetvetishëm simbole e kulturë.

Shtetet zhvillohen kur nuk e humbin politikën, atëherë kur politika i merr në konsideratë edhe ëndërrimtarët.

Nuk ka kombe dhe njerëz të lirë pa politikë dhe si e kemi politikën ashtu e kemi shoqërinë dhe shtetin.

Ne jetojmë në shoqëri dhe në shtet “pjesërisht të lirë”.

Ne jetojmë në vendin me liri të pjesshme, kurse liria e pjesshme është mungesë lirie.

Mungesa e lirisë, në diskurset diplomatike, emërtohet si liri e përgjysmuar, liri e kufizuar, liri e pjesshme.

Liria nuk e duron përgjysmimin, sepse ajo është e plotë ose e mosqenë.

Ne ëndërrimtarët e përhershëm përpiqemi për ardhjen e ditës kur do të jetojmë në një vend plotësisht të lirë.

Flasim ndonëse askush nuk na dëgjon.

Flasim dhe na marrin për të çmendur.

Flasim dhe na tallin si albatrosin e bukur që pushtonte qiellin.

Do të vazhdojmë të flasim sepse, sikurse thotë një poet, “ka një qiell që na dëgjon”.

Do të vazhdojmë të flasim dhe të klithim, sepse duam një botë më të bukur, në mos për ne, së paku për fëmijët tanë.

Hë për hë jemi “pjesërisht të lirë”, kemi liri copa – copa, liri me arna.

Kemi aq sa meritojmë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button