COPËZA DITARI

 

Pa dy muaj bëhen tre vjet që shkruaj për PORTALB-in, falë të cilit kam bërë një numër të konsiderueshëm lexuesish besnikë. Shi për këtë, duke dashur t’i relaksoj pak nga zhurma zgjedhore e përmbytur me tuba uji, gropa asfalti dhe shtëllunga mjegullnajash (respekt kandidatëve me vlera qytetëruese, morale e profesionale, që premtojnë ndryshime të gjasshme, që nuk janë tregtarë flamujsh, që garojnë fer, që nuk blejnë vota dhe nuk i dëmtojnë pariparueshëm linjat përbashkuese brendashqiptare…), vendosa të shpalos pikërisht për ta fragmente nga ditari i pabotuar i vitit 2001, i cili shpresoj të pritet mirë kur të dalë në dritë.

Përdryshe, ditari është mbajtur me shkrim automatik dhe, në dallim prej pjesëve të shkëputura që mund t’i lexoni në vijim, është me pasazhe më të plota dhe më domethënëse, me skenime të padjallëzuara fenomenesh, situatash dhe pasojash të dhembshme për viktimat e pafajshme të konfliktit në fjalë.

2 maj (e mërkurë)

Në Manastir u përsërit nata e kristaltë, ndërkaq në një kafeteri të Shkupit ra viktima e parë, një shqiptar fatkeq nga Kosova. U sulmua dhe ambasada shqiptare. Të rahurit dhe të burgosurit e shumtë janë dëm kolateral… Mediet maqedonase minimizojnë krimet e bëra dhe dëshirojnë t’ua mveshin viktimave. Për sulmuesit e ambasadës thonë se kanë pasur për qëllim ta vrasin policin që ruante objektin (dmth: ishin shqiptarë); për shqiptarin e vrarë nga Kosova thonë se ishte qërim hesapesh i njerëzve të nëntokës, të cilës i paska takuar edhe viktima, sepse në xhepin e tij paskan gjetur 15.000 DM (!?); për piromanët dhe demoluesit e pronave të shqiptarëve të Manastirit thonë se paskan sulmuar edhe dyqanet e maqedonasve, pra: nuk paskan kanë bërë dallime racore, etnike, fetare… Natyrisht, kryqet ortodokse nëpër muret e dyqaneve të shkrumuara dhe kryqet naziste askush nuk i zë në gojë. Huliganët maqedonas janë palë e revoltuar dhe mbeten vetëm “storiteli” (kryerës të veprave). Teroristët janë të tjerë dhe flasin shqip.

5 maj (e shtunë)

Fshatrat e Kumanovës janë në vorbullën e xhehenemit. Forcat qeveritare rekrutojnë paramilitarë. Ata e thërrasin popullatën civile shqiptare që të largohet nga vendbanimet, po njerëzit nuk e bëjnë këtë sepse e dinë çfarë i pret… Qëndrimi nën granata, natyrisht, rrit numrin e të vrarëve dhe të plagosurve. Bota e sheh këtë dhe bën sehir, sikur ka humbur durimin për t’biseduar ndryshe me mushkën. Mediet janë bërë nxitëset kryesore të luftës. Si në Serbi. Ato i mëshojnë legenit për bashkimin e partive të tyre me në krye kishën ortodokse. Prioritet kanë proklamuar mbrojtjen e Tetovës nga teroristët dhe shpalljen e gjendjes së luftës, që vetëm sa s’është bërë…

Këto medie akuzojnë kolegët shqiptarë si jolojalë ndaj shtetit. Sot u akuzua sërish programi televiziv shtetëror në gjuhën shqipe për gjoja nxitjen e terorizmit. U shkarkua dhe redaktori përgjegjës i tij, ndaj në mbrëmje mund të mos kemi lajme shqip, ose do të kemi lajme të selektuara direktivash. Po kjo nuk është gjë e re. Gjatë këtyre 10 viteve kemi pasur terr informativ, sa herë që për dike nuk ka qenë e bukur e vërteta.

Tetova aktualisht duket e qetë, po ka shenja ogurzeza që këtë qetësi e bëjnë të dyshimtë. Pas urdhërit që kanë marrë fshatarët e malësisë së Tetovës që t’i lëshojnë vendbanime, njerëzit janë të frikësuar.

7 maj (e hënë)

Situata vazhdon të jetë e rrezikshme. Kojshitë armatosen dhe mobilizohen për luftë.  Në kësi situate nuk ka shumë vend për optimizëm, vaçmas pas qëndrimit të Robertsonit dhe Solanës, sepse në terren po përgatiten kubari të reja. Ata ndoshta do t’arrijnë përkohësisht ta prolongojnë shpalljen e gjendjes së luftës, po jo dhe luftën.

10 maj (e enjte)

Në Shkup po mbahet edhe një panair armësh ku vendin qendror e ka “Zastava” e Kragujevcit. Pompoziteti i kësaj vakie albanofobe nuk i lë shteg paqes dhe barazisë ndërmjet dy etnive kyçe të vendit.

23 maj (e mërkurë)

Tetova është bërë qytet policësh. Krismat janë zhvendosur në thellësi të Sharrit dhe shqetësimi i popullatës civile është si ai i marsit. Sot në mëngjes ka pasur sërish detonime të rënda dhe askush nuk e di çfarë në të vërtetë ndodh lart në male. Informata për 7 policët e plagosur duket e saktë, ashtu si ajo për 70 civilët e plagosur të fshatrave të Kumanovës. Rezultatet e dialogut shqiptaro-maqedonas nuk janë askund, kurse mediet trumbetojnë suksesin e tij. Në fakt, ata flasin për shtyerjen e regjistrimit të popullatës, që gjoja qenka bërë pas insistimit të fortë të partive shqiptare.

25 maj (e premte)

Zhurma rreth marrëveshjes së tre liderëve shqiptarë në Prizren ka për qëllim fshehjen e kasaphanës së Kumanovës. Mediet pispillosin sjelljen e kulturuar dhe humane të forcave të armatosura ndaj civilëve të zhvendosur me granata prej shtëpive të tyre. Ata pohojnë se nuk ka asnjë të vrarë nga radhët e civilëve shqiptarë, po këtë askush nuk e beson…

29 maj (e martë)

Solana dje nuk arriti gjë, sepse, akoma pa ateruar mirë aeroplani, deklaroi se do të mundohet t’i bindë shqiptarët të hjekin dorë nga marrëveshja e tyre. Para takimit me Solanën, krerët maqedonas mbajtën takime të veçanta me kryetarin e shtetit dhe u morën vesh të mos lëshojnë pe para kërkesave shqiptare, kuse, pas takimit, ai (Solana) pohoi se ka arritur marrëveshje të re mes anëtarëve të koalicionit të gjerë. Në lajmet e orës 22 ndoshta do ta kuptojmë se për çfarë marrëveshje të re është fjala?

Përkundër këtyre fakteve, ofenziva e çartur ushtarako-policore s’ka të ndalur. Tani po godasin pamëshirshëm, ashtu siç kërkoi para do ditësh djaloshi kryeministër. Kjo mënyrë e luftimit të “teroristëve” e ushqen mllefin shqiptar, ndaj, përkeqësimi i përgjithshëm i situatës ka gjasa reale. Numri i djemve të evakuuar nga fshatrat e krizës të cilët u nënshtrohen “kontrolleve” policore dhe shpallen teroristë është në rritje. Dhuna shtrihet edhe përtej Kumanovës, gjithandej ku ka shqiptarë, kurse rrahjet, maltretimet, bastisjet në orët e hershme të mëngjesit, kidnapimet e njerëzve nga ana e policisë make…, nuk i llogarit askush. Nëse brenda javës nuk ndërpriten luftimet, ka gjasa të zgjërohen gjithandej…

30 maj (e mërkurë)

Akademia e Shkencave maqedonase hapi sot kutinë e pandorës, që mund të gjenerojë shumë xheheneme. Duke hedhur idenë e këmbimit “paqësor” dhe “vullnetar” të territoreve dhe pjesëtarëve të dy etnive më të mëdha të vendit, akademikët kanë shkelur në dërrasën e kalbur serbe. Planin dhe hartën komike e ka publikuar sot gazeta “Veçer”, që dirigjohet nga VMRO-ja. Sipas këtij projekti, neve na lihet me zemërgjerësi një xhep i Pollogut, ku do të duhej të vendosen “vullnetarisht” edhe qindra e mijëra shqiptarë të tjerë nga Kumanova, Shkupi, Struga, Kërçova… Natyrisht, si kundërshpërblim, akademia kërkon liqenin e Ohrit, atë të Prespës dhe Pogradecin, ku do të vendosen maqedonasit e mbetur pa vatan.

Propozimi i akademikëva u mirëprit nga kryetari i parlamentit dhe nga piromanë të tjerë.  LSDM-ja e Cërvenkovskit, partia e Tupurkovskit (ideatorit të sllavëve antikë…) dhe disa subjekte të tjera më minore kërkojnë distancim të menjëhershëm nga dokumenti që do ta varrosë përfundimisht Maqedoninë. Ata e shprehën haptas drojën për nxitjen e publikimit të hartave shqiptare, që nuk do të jenë të njëjtat me këto të “fëmijëve të rritur”, siç i quajti një deputet yni akademikët maqedonas. Kurse të vërtetën lakuriqe të albanofobisë dhe  “trampës” me territore dhe me fate popujsh e shpërfaqi para gazetarëve vendorë dhe të huaj vetë strategu i saj Gjorgji Efremov:: “Më tregoni, si do të duket shteti ynë pas 50 vitesh, nëse e ndërrojmë kushtetutën ashtu siç kërkojnë shqiptarët?”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button