Balla: Jo më shkelje të afatit të kontratave për veprat publike

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i shoqëruar dhe nga kryetari Bashkisë Elbasan Qazim Sejdini, zhvilluan një takim me banorët e Broshkës, lidhur me shqetësimin e tyre për ecurinë e ngadaltë të punimeve për ndërtimin e urës mbi lumin Shkumbin, që bën të mundur lidhjen e këtij fshati me pjesën tjetër të Njësisë Administrative dhe me aksin nacional Elbasan-Peqin.

“Nisi para një viti, populli mezi e priti, por tani po prishet koha dhe këtu nuk punohet më. Do vijë puna dhe do te thonë s’kemi ç’ti bëjmë natyrës. Pse me dy punëtorë bëhet kjo?”, tha Balla.

“Për ne kjo urë nuk është vepër, por kryevepër. Ura ekzistuese ka marrë jetë njerëzish me ato telat e varur, por natyra bëri që ato tela të këputeshin dhe sot të vijmë deri këtu. Kjo urë i ka të gjitha këtu, zhavorrin, rërën, të gjitha këtu, pra këta jo vetëm duhet ta kishin mbaruar, por të na kishin marrë përsipër edhe një rrugë, t’i hidhnin ca zhavorr, për ta ndihmuar këtë fshat”, u shprehën disa prej banorëve.

Nisur nga fakti i ndërtimit të kësaj ure e cila ka kaluar çdo afat të vendosur, deputeti Taulant Balla gjeti rastin të kërkojë ndryshimin e mënyrës së lidhjes së kontratave dhe tenderimit te objekteve të rëndësishme.

“Jemi shumë të shqetësuar për punimet e deritanishme të kompanisë dhe ky është një rast i cili nga qeveria jonë do të adresohet për të ndryshuar tërësisht mënyrën e lidhjes së kontratave, për mënyrën e tenderimit të objekteve të rëndësishme, sepse çdo objekt e ka një afat dhe tejkalimi i këtij afati është në dëm, qoftë të cilësisë së punimeve, sepse nuk mund të bësh një këmbë ure sot dhe një pas 6 muajsh dhe sa të bëhet këmba e fundit, e para është rrëzuar.

Kemi marrë të gjitha garancitë nga kjo kompani dhe sigurisht do të ushtrojmë të gjithë kontrollin që na jep ligji në mënyrë që 31 Tetori të jetë afati i fundit i dorëzimit të kësaj vepre në mënyrë që banorët e zonës të jenë përfitues të këtij investimi kaq të rëndësishëm.”

Sejdini theksoi edhe të tjera investime që kanë nisur në këtë zonë.

“Në Papërr do të ketë edhe dy ura të tjera, ura beli, që sipas të gjitha gjasave do të përfundojnë para kësaj ure. Paprri është njësia vendore që ka marrë më shumë investime në Bashkinë e Elbasanit, jo rastësisht, i ka pasur nevojë të kahershme, nevoja të cilat ne arritëm t’i plotësojmë dhe do vazhdojmë investimet në pjesën tjetër të kësaj njësie administrative duke ecur paralelisht edhe me njësitë e tjera administrative që edhe ato kanë marrë investime shumë të fuqishme”.

Ura ekzistuese në fshatin Broshkë u shemb në Janar të vitit 2016 nga prurjet e shumta të lumit Shkumbin. Kjo nuk ishte e vetmja emergjencë me të cilën u përball Bashkia e Elbasanit dhe Qeveria Shqiptare në atë periudhë. Situata e pazakontë e motit bëri që disa ura të shemben dhe disa të tjera të dëmtohen duke kërkuar ndërhyrje urgjente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button