ENGJËLLI MBROJTËS I GJUHËVE PYRRHUS BARDHYLI

Po të përgatitej lista e personaliteteve të kulturës shqiptare që kanë shkrirë jetën për çështjen e Gjuhës shqipe, pa dyshim që në krye të saj do të qëndronte emri i figurës vigane të Rilindjes kombëtare, zejtarit të shkrimit që i shndërron fjalët në diamante, stilistit dhe prozatorit të përsosur, autorit  të shkrimeve ma të kthiellta dhe ma të  ambla të toskënishtes, prometeut që e rreshtoi shqipen në një nivel me gjuhën intelektuale e kulturore të bashkëkohësve evropianë, autorit që shkruante me jetën e vet ­, personalitetit të pashpërbëshëm – kryekalorësit të kujtesës –  Zeniti mbi shkretëtirat tabeane  të vdekjeve, territ, poshtërrimit, anatemave të pakuptueshme…, kampionit të shqiptarizmit, ustait më të madh të shkrimit të gjuhës sonë, Sizifit që deshi të lëvrojë shkëmbin – Faik Konicës.

Përkushtimi i tij për mbijetesën e Shqipes në periudha synimesh hegjemoniste për ngulfatjen e gjuhëve të etnive të vogla evropiane nëpërmjet projektit për imponimin e gjuhëve artificiale, si esperantoja dhe volapyku, dëshmohet në veçanti me veprën emblematike “Sprovë për gjuhët natyrore dhe gjuhët e sendërgjuara”, të cilën Konica e shkroi me pseudonimin Pyrrhus Bardhyli, në një moshë akoma djaloshare, përkatësisht në vitin 1904.  Vepra në fjalë i dha kahjen e duhur polemikës së madhe ndërkombëtare ku qenë kyçur emra gjigantë gjuhëtarësh dhe personalitetesh të shquar të shkencës dhe të kulturës evropiane, si papa i simbolizmit Remi dë Gurmoni.

Duke njohur kontributin e Konicës për ngritjen e shqipes në gjuhë arti e kulture, mbase është e tepërt të konstatohet se ajo që e nxiti Atë ta shkruajë esenë në fjalë qe pikërisht meraku për gjuhën tonë të lashtë dhe të veçantë, kujdesi i përhershëm për të nëpërmjet mbrojtjes së identitetit të popujve dhe gjuhëve të nënshtruara… Në fakt, shkruan Luan Starova – konicologu më i shquar, i njohur edhe si zbulues i veprës “Sprovë për gjuhët natyrore dhe gjuhët e sendërgjuara”…, eseja e Faik Konicës lindi si një epilog e polemikës me përkrahësit e gjuhëve artificial (në rradhë të parë të esperantos), në faqet e gazetës L’Européen”.

Argumentet që shtron Faik Konica në mbrojtje të gjuhës, si tipar thelbësor i një identiteti, janë të nivelit të lartë dhe shumë mbresëlënëse, po, për shkak të natyrës së këtij shkrimi, po sjell këtu për lexuesit e mi vetëm disa pohime interesante:

  • Gjuha është fizionomi tingullore e racës, njësoj si tipi fizik, fytyrat, gjestet e zakonshme, qëndrimet…
  • Gjuha është përfaqësuese e gjenisë kombëtare, në lidhje të ngushtë e të drejtpërdrejtë me mendjen dhe pamjen e racës…
  • Gjuha është treguesi më i sigurt i gjendjes së qytetërimit të një populli. Ajo përcakton me një besnikëri të përkryer, metodën mendore të një populli, mënyrën e vet të zakonshme të drejtojë idetë…
  • Çdokush disponon me një predispozitë të trashëguar që ta flasë gjuhën e krenarisë së vet…

Kështu shkruan Faik Konica, alias Pyrrhus Bardhyli, në veprën e tij më shqiptare të shkruar frëngjisht, që shënon fillimet më serioze të mendimit tonë teorik, estetik e letrar në suazat e një kontinuiteti të qartë evropian.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button